1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planet e Netanjahut për koalicion të madh qeveritar po gjejnë pak mbështetje në Izrael

Clemens Verenkotte24 Shkurt 2009

Formimi i qeverisë në Izrael po rezulton i vështirë. Ndërkohë, një vendim i diskutueshëm për personelin i kryeministrit Ehud Olmert ka ngjallur diskutime në Izrael

https://p.dw.com/p/H0FD
Presidenti izraelit Shimon Peres dhe lideri i opozitës Benjamin Netanjahu
Presidenti izraelit Shimon Peres dhe lideri i opozitës Benjamin NetanjahuFotografi: AP

Planet e shefit të partisë Likud, për të krijuar një koalicion të madh qeveritar morën një goditje zhgënjyese: ministrja e jashtme, Zipi Livni e Partisë Kadima foli për "ndryshime të rëndësishme në mendime", pas bisedës së parë me Netanjahun. Edhe ministri i mbrojtjes, Ehud Barak i Partisë Laburiste refuzoi bashkëpunimin: pas disfatës së qartë në zgjedhje, partia e tij nuk është në dispozicion për koalicion në qeverinë e djathtë nacionale, nën Benjamin Netanjahun. Ofertës së shefit të Likudit, për të mos e ndërprerë fillin e bisedimeve, Baraku iu përgjigj:

"Besoj se nëse ai do që të takohemi, atëherë do të takohemi. Por siç thashë në krye të deklaratës sime, dëshira e zgjedhësve është që ta shohin në opozitë partinë laburiste, dhe ne e respektojmë këtë dëshirë."

Me Zipi Livnin Netanjahu nuk mundi të bjerë dakord për çështjen qendrore të një zgjidhjeje me dy shtete. Ministrja e jashtme dhe shefja e Kadimas, sipas fjalëve të saj këmbëngul që ngritja e një shteti palestinez ka për të prioritetin më të lartë. Në përputhje me këtë, e zhgënjyer e bëri ajo bilancin e bisedës me shefin e Partisë Likud:

"Nuk arritëm asnjë lloj mirëkuptimi, ka ndryshime fundamentale mendimi për këtë. Megjithatë, e rëndësishme është të thuhet se rëndësia e "unitetit" konsiston në atë, që të ecet në rrugë të përbashkët. Dhe prandaj ka rëndësi të verifikohet, nëse ekziston një rrugë e tillë e përbashkët, apo nëse kemi të bëjmë me dy rrugë të ndryshme."

Shefi i Likudëve, sipas informacioneve të shtypit izraelit, është shprehur me gojë edhe me shkrim se nuk do t'u bëjë lëshime palestinezëve në çështjet thelbësore si Jeruzalemi, kolonitë, vendosja e kufirit ose themelimi i shtetit. Deputetëve të partisë së tij ai u tha pasdite:

"Besoj se kurrë më parë nuk ka pasur një orë të tillë të emergjencës, ndoshta me përjashtim të luftës së pavarësisë, dhe besoj se kjo orë e emergjencës kërkon qëndrime të tjera. Ajo kërkon heqjen dorë nga politika me të cilën jemi mësuar. Ajo kërkon që t'i lëmë anash të gjitha rezervat e zakonshme personale dhe politike, të cilat do të kishin qenë legjitime në kohë të tjera, por që nuk janë tani. Në këtë moment ne duhet t'i bashkojmë forcat tona".

Vëmendje të madhe tërhoqi në Izrael shkarkimi nga kryeministri Ehud Olmert i kryenegociatorit shumëvjeçar Amos Gilad, sepse ai e kishte kritikuar publikisht kryeministrin. Giladi, një i besuar i afërt i ministrit të mbrojtjes Ehud Barak zhvillonte me anë të ndërmjetësve egjiptianë bisedimet indirekte me Hamasët në Kairo- si për armëpushimin në Rripin e Gazës, ashtu edhe për lirimin e ushtarit izraelit, Gilad Shalit.