1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani A2 për refugjatët shkakton debate

AUD (dpa, afp)25 Janar 2016

Politikanë kristjandemokratë përgënjeshtruan se një aleate e kancelares Angela Merkel po kundërshton politikën e saj ndaj refugjatëve. Julia Klöckner është kandidate për kryeministre në landin Rajnland-Pfalc.

https://p.dw.com/p/1HjbU
Deutschland, Angela Merkel und Julia Klöckner
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Julia Klöckner, e cila është njëra nga pesë zëvendëskryetaret e Bashkimit Kristjan-Demokrat (CDU) tha se "Plani A2" i saj për t'i trajtuar më me vendosmëri refugjatët që në kufi ishte vetëm një "shtesë" ndaj politikës ekzistuese të kancelares Merkel.

"Unë e mbështes shprehimisht politikën e kancelares Merkel", i tha Klöckner gazetës "Passauer Neue Presse", një gazetë në qytetin e Bavarisë jugore Passau. Ky qytet është në kufi me Austrinë dhe në një itinerar kryesor që përdoret nga azilkërkuesit e zonave të konfliktit të Lindjes së Mesme.

Të dielën në mbrëmje, kryetari i Grupit Parlamentar të CDU-së, Volker Kauder i tha stacionit televiziv ZDF se propozimi i Klöcknerit nuk është një devijim nga strategjia e shumëfishtë e Merkelit, që përfshin edhe ndihmën e BE për refugjatët sirianë që qendrojnë në Turqi. Kauder tha se e rëndësishme është që "krahas fokusit në një zgjidhje të përbashkët në BE, të nxiten edhe hapat nacionalë." Një pjesë e madhe e sugjerimeve të Klöcknerit përmbahen në një amendament për të drejtën e azilit, të cilin do ta diskutojë kabineti i Merkelit këtë javë.

Plan A2 i nevojshëm

"Plani A2" i Klöcknerit parashikon qendra në kufi për të kontrolluar që aty aplikuesit për azil, kthime më të vendosura të atyre që u refuzohet kjo kërkesë dhe kuota të zhdërvjellëta pranimi të refugjatëve. Këto kuota do të bazohen në kapacitetin që kanë komunat gjermane për të sistemuar të ardhurit.

Sekretari i Përgjithshëm i simotrës bavareze, CSU i tha që nga Mynihu revistës Spiegel se plani i Klöcknerit ecën "në drejtimin e duhur." Kryetari i CSU-së, Horst Seehofer kërkoi së fundi caktimin e një kufiri prej 200.000 azilkërkuesish në vit, që t'i pranojë Gjermania. Por kjo u refuzua nga kancelarja Angela Merkel për shkaqe humanitare.

Sondazhet e fundit në landin e Rajnland-Pfalcit dhe në dy lande të tjera, Baden-Vyrttemberg dhe Saksoni-Anhalt, të cilat në 13 mars do të mbajnë zgjedhje rajonale, tregojnë se dy të tretat e votuesve janë të preokupuar me krizën e refugjatëve. ZDF konstatoi në një sondazh të dielën një rënie prej tre përqind në mbështetje për CDU-në në landin e Rheinland-Pfalcit, ku Julia Klöckner është kandidatja kryesore e opozitës për landin.