1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130109 Ägypten Friedensplan

Esther Saoub14 Janar 2009

Ndërkohë që luftimet vazhdojnë në Gazë, ndërmjetësuesit në arenën diplomatike po nxitojnë për të mundësuar vendosjen e paqes në rajon. Edhe egjiptianët janë të angazhuar në një plan paqeje.

https://p.dw.com/p/GY6u
Presidenti egjiptian Mubarak duke biseduar për gjendjen në Rripin e Gazës me Ministrin e Jashtëm gjerman, Steinmeier në Kairo, janar 2009Fotografi: AP

Armëpushim apo tërheqje? Kjo është pyetja që shtrohet aktualisht. Plani i paqes i Egjiptit parashikon fillimisht një armëpushim të kufizuar dhe bisedime, të cilat do t'i jepnin fund kontrabandës së armëve, do të hapeshin pikat kalimtare të kufirit - si dhe një tërheqje të trupave izraelite. Diplomatët perëndimorë, së fundi edhe ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier dhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, e mbështetën këtë plan.

Nga pala arabe ai do të shihej me sy kritik, thotë politolologu egjiptian Hasan Nafa: “Kërkesat e së ashtuquajturës “iniciativa egjiptiane” pasqyrojnë në të vërtetë kërkesat e Izraelit përsëri. Ato mund të përmbushen vetëm në qoftë se ka një fitore të qartë ushtarake. Çështja thelbësore e “iniciativës” është përpjekja për të arritur një rezultat pa veprime luftarake”.

Hamas-Führer Ismail Haniyeh
Udhëheqësi i Hamasit, Ismail HanijaFotografi: AP

Hamasi ka rezerva për planin e paqes

Pika më kritike e Hamasit është kërkesa për një armëpushim deri në 15 vjet, pa tërheqjen e menjëhershme të ushtrisë izraelite. Por një prezencë e pushtuesve në Rripin e Gazës është e papranueshme, u tha ditën e martë. Po ashtu vëzhguesit ndërkombëtarë të kufirit i kundërshtuan islamistët. Në Kairo, në të njëjtën kohë ishin për bisedime përfaqësues të Hamasit nga Siria dhe nga Rripi i Gazës. Edhe Musa Abu Marsuk-u, numri dy i byrosë politike të Hamasit që jeton në Damask, ishte i pranishëm në këto bisedime: "Ne kemi pa dyshim rezerva dhe dëshirë për ta ndryshuar planin e paqes të Egjiptit. Në qoftë se këto dëshira merren parasysh, mund të krijohet një paketë që mund të çojë në një zgjidhje. Këtë "iniciativë" në formën e saj aktuale ne nuk e pranojmë".

Mubarak kërkon mbështetje për planin e paqes

Megjithatë, egjiptianët këmbëngulin hapur që të qëndrojnë tek versioni i deritanishëm. Dhe me këtë qëndrim u bë e qartë që Kairoja është kundër një takimi të posaçëm të Ligës Arabe, që është caktuar të mbahet javën e ardhshme më 16 janar në Katar, për të rishikuar edhe njëherë planin e paqes. Presidenti i Egjiptit, Mubarak të martën pasdite ka udhëtuar së bashku me shefin e tij të shërbimit sekret për në Arabinë Saudite, për t'u konsultuar me mbretin Abdullah. Supozohet që ai ka shkuar për të kërkuar mbështetje për planin e tij të paqes dhe përkrahje kundër organizimit të takimit arab.

Gaza zerstörtes Haus durch Israel Angriffe
Ndërkohë lufta vazhdon. Shtëpi e shkatërruar në Gazë, 14 janar 2009Fotografi: AP

Hasan Nafa, politologu egjiptian e vlerëson qëndrimin egjiptian, si kapitullim përballë Izraelit. "Izraeli po përpiqet që të gjitha palëve arabe dhe jo arabe t'u diktojë vendimet e tij. Pikërisht këtë Egjipti e ka kuptuar, por nga ana tjetër ai e ka kuptuar po ashtu që nuk mund t'i ndihmojë palestinezët.“ Strategjia e Egjiptit është të zhvillojë bisedime me të dyja palët dhe të ofrojë shpresa që kjo strategji të jetë e suksesshme. Këtë e bëri të ditur edhe këshilltari i ministrit izraelit të mbrojtjes, Amos Gilad, i cili do të jetë të mërkurën i pranishëm në raundin e dytë të bisedimeve në Kajro.