1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani i OKB-së nuk është kundër Kosovës

Bekim Shehu/Prishtinë 12 Nëntor 2008

Të gjithë ambasadorët e vendeve më të industrializuara përfshirë edhe SHBA i kanë bërë thirrje Prishtinës zyrtare që ta pranojë planin gjashtë pikësh të OKB-së, që EULEX në fillim të dhjetorit të vendoset në Kosovë.

https://p.dw.com/p/Ft6C
EULEX të vendoset në Kosovës, por vetëm konform pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës
EULEX të vendoset në Kosovës, por vetëm konform pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së KosovësFotografi: AP

Në Prishtinë po vazhdojnë përpjekjet e diplomatëve ndërkombëtarë për të bindur udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që ta pranojnë planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, i cili do të mundësonte vendosjen e misionit EULEX në Kosovë.

Ambasadorja e SHBA-së Tina Kajdanov, ka deklaruar se plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit nuk është kundër Kosovës, por në të mirën e saj dhe e vendos Kosovën në rrugën drejt bashkimit evropian. Mirëpo, plani vazhdon të kundërshtohet nga Prishtina zyrtare. Kjo për faktin që sipas tyre, plani përcakton status të veçantë për sistemin doganor të veriut të Kosovës, për policinë serbe, gjyqësinë, trashëgiminë kulturore dhe ndan vendbanimet në vija etnike.

Udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës zhvilluan një takim me të gjithë spektrin politik kosovar dhe pa dallim ata morën mbështetjen që të refuzohet në mënyrë kategorike plani i OKB-së. Në një delaratë të përbashkët, thuhet se Kosova nuk ka hezituar asnjëherë që EULEX të vendoset në Republikën e Kosovës, por ky proces duhet të zbatohet vetëm konform pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Edhe serbët e Kosovës e kanë komentuar refuzimin që Prishtina i bëri planit gjashtëpikësh të OKB-së. Kryetari i Këshillit Kombëtar të serbëve të Kosovës, Nebojsha Joviq, thotë se Prishtina me refuzimin e planit ka dashur të luajë një lojë politike për t'i bindur serbët që ta pranojnë vendosjen e EULEX në Kosovë pa kushte. Sipas tij edhe EULEX-i nuk mund të jetë mision i përshtatshëm tashmë kur UNMIK-u i ka dorëzuar të gjitha përgjegjëistë tek institucionet e Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër ai thotë se do të ishte mirë që në Kosovë të vendosej një mision që nuk do të ishte as UNMIK e as EULEX, por një mision që do të bazohej mbi 1244 të KS-it ku nuk do të merrej parasysh as pavarësia e as plani i Marti Ahtisaarit.

Sidoqoftë në zyrat e presidencës dhe të kryeministrisë, vazhdimisht janë duke u zhvilluar takime me dyer të mbyllura me diplomatët ndërkombëtarë në përpjekje për të arritur një kompromis për planin në mënyrë që EULEX në fillim të dhjetorit të zbarkojë i tëri në Kosovë. Tash për tash akoma nuk ka një qëndrim ndryshe të Prishtinës, e cila thotë se nuk do ta shkelë Kushtetutën e vendit, por EULEX duhet të funksionojë vetëm në bazë të kësaj Kushtetute.