1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Platforma "sekrete" e Serbisë parashikon autonomi për serbët Kosovë

Bahri Cani20 Dhjetor 2012

Autoritetet e Beogradit kanë hartuar një "platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës", që zyrtarisht ende mbahet "top secret". Por shumë gjëra janë bërë publike. Prishtina e cilëson atë të të papranueshme.

https://p.dw.com/p/176LV
Fotografi: AP/Montage DW

Platforma e re e Serbisë për Kosovën i ngjan platformës së dikurshme të presidentit serb Boris Tadiq, pohojnë mediat në Beograd. Esenca e saj, sipas këtyre burimeve, është e njëjtë: Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. E reja e propozimit të presidentit të tanishëm Tomisllav Nikoliq dhe qeverisë së kryeministrit Ivica Daçiq, është që kësaj radhe flitet shumë më hapur edhe për një autonomi të veçantë për serbët e Kosovës. Burimet e informuara mirë thonë se pala serbe do të kërkojë krijimin në Kosovë të një lloj entiteti serb, të ngjashëm me atë të serbëve në Bosnjë e Hercegovinë.

Nikoliq zhvillon bisedime mbi "platformën sekrete"

Presidenti Nikoliq i ka informuar mbi këtë "platformë sekrete" disa nga ambasadorët e huaj në Beograd, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe subjeketet politike në Serbi. Platforma është miratuar nga krerët e paritve të koalicionit qeveritar, para disa ditësh. Ndërkohë që gjatë së enjtes (20.12.2012), Nikoliqi ka biseduar edhe me liderët e partive opozitare Dragan Gjillas (Partia Demokratike), Vojisllav Koshtunica (Partia Demokratike e Serbisë), Çedomir Jovanoviq (Partia Liberale Demokrate) si dhe përfaqësuesit e partive hungareze. Ndërsa të premten (21.12.2012) në Beograd do të zhvillohet edhe një takim i Nikoliqit me përfaqësues të subjeteve të dala nga zgjedhjet serbe në Kosovë.

Serbia me këtë platformë bën të qartë se nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, edhe pse në kuadër të saj kërkohet "një lloj statusi special" për pjesët e Kosovës të banuara me shumicë serbe. Qëllimi i platformës është jo afrimi por largimi i rajoneve të banuara me serbë nga influenca e qeverisë dhe institucioneve të tjera kosovare, thonë analistët në Beograd.

Prishtina: Platforma dëmton dialogun

Pala kosovare e ka hedhur poshtë platformën serbe si të papranueshme dhe të dëmshme për procesin e zgjidhjes së problemeve mes këtyre dy vendeve. Autoritetet kosovare pohojnë se ajo do të dëmtojë rëndë edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe ata që po përpiqen të ndërmjetësojnë në këtë dialog.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjraga dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kanë deklaruar se ky dokument e largon Serbinë dhe Kosovën nga procesi i normalizimit të raporteve. Thaçi: "Platforma hap apetitet për ndarjen territoriale të Kosovës, e cila nuk do të realizohet kurrë". Thaçi thekson më tej, se plani është "antievropian dhe kundër stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe në rajon".