1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plumba mbi rezidencën e ambasadorit gjerman në Athinë

dpa/dw/ E.Xhani30 Dhjetor 2013

Rezidenca e ambasadorit gjerman në Greqi ka qenë objekt i një atentati. Shumë sinjale flasin për një sfond terrorist të atentatit. Dëme në njerëz nuk pati.

https://p.dw.com/p/1AiUr
Fotografi: Reuters

Nata e mbrëmshme solli orë tmerri për ambasadorin gjerman në Greqi, Wolfgang Dold, por për fat të mirë pa dëme: rreth orës 3:30 (ora lokale) të së hënës (30.12.), njerëz të panjohur kanë qëlluar me automatikë Kalashnikov mbi rezidencën e tij në lagjen Chalandri në Athinë.

Polici që ruan rezidencën nuk e ka përdorur armën e tij për shkak të shtëpive përballë, u bë e ditur. Zona përreth rezidencës është bllokuar në perimetër të gjerë nga policia. Në mediet greke flitet për rreth 50 gëzhoja të gjetura në vendngjarje nga forcat e policisë. Sipas informacioneve të para janë ndaluar gjashtë persona.

Schüsse auf Residenz des deutschen Botschafters in Athen
Rezidenca e ambasadorit gjerman në AthinëFotografi: Reuters

Nuk është atentati i parë

Gjithsej duket se bëhet fjalë për katër persona, të cilët kanë kaluar me dy motorra para rezidencës. Ata kanë qëlluar në ajër dhe mbi ndërtesë, në të cilën ka shumë vrima nga plumbat. Atentatorët duket se me qëllim nuk kanë qëlluar në drejtim të rojes.

Kryeministri grek Antonis Samaras dhe ministri i Rendit Nikos Dendias kanë telefonuar ndërkohë me ambasadorin Dold.

Rezidenca e ambasadës gjermane ka qenë objekt i një sulmi terrorist edhe në maj 1997. Atëherë mbi ndërtesë ishte qëlluar me një granatë antitank. Autorësinë e atentatit e pati marrë përsipër organizata ilegale "17 Nëntori". Ky grup ka qenë aktiv nga 1975 deri në shpartallimin e tij 2002, dhe e ka pranuar autorësinë e 23 vrasjeve dhe një numri atentatesh të tjera.

Në Greqi kryhen vazhdimisht atentate ndaj objekteve diplomatike, bankave apo firmave të huaja. Në pjesën më të madhe të rasteve ka pasur vetëm dëme materiale. Policia bën përgjegjës ekstremistët e majtë ose anarkistët për atentatet.

Shumë grekë e shohin qeverinë gjermane si përgjegjësen kryesore për kushtet e trojkës ndërkombëtare, e cila kërkon masa të forta kursimi nga Greqia që prej fillimit të krizës së borxheve në vitin 2010, në këmbim të ndihmës financiare.