1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po afrohet pajtimi historik shqiptaro-serb?

AG/Arben Muka22 Tetor 2012

Shefi i diplomacisë serbe Ivan Mrkić viziton të hënën e të martën Tiranën. Kjo është vizita e parë e një ministri të Jashtëm serb pas shumë vitesh në Tiranë. Reagimet kanë qenë pozitive.

https://p.dw.com/p/16UI7
Ivan Mrkić, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë
Ivan Mrkić, ministri i Punëve të Jashtme të SerbisëFotografi: Reuters

Të hënën dhe të martën ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mrkić do të qëndrojë në Tiranë, në kuadër të një turi që zhvillon në rajon. Mrkić pritet të bisedojë me autoritetet zyrtare të Shqipërisë për bashkëpunimin dypalësh si dhe për kooperimin mes vendeve të Ballkanit. Tirana dhe Beogradi me oshilime në marrëdhëniet mes tyre, kryesisht nga çështja e Kosovës, përpiqen të intensifikojnë raportet mes dy vendeve, duke u përfshirë në projekte të përbashkëta dy a më shumë palëshe në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Pas vitesh, kjo është vizita e parë e një diplomati kaq të lartë serb në Shqipëri. Vetë ministri i Jashtëm serb e ka theksuar vetë këtë fakt për gazetën serbe "Politika", duke thënë se ka kaluar një kohë e gjatë që në Shqipëri nuk ka qenë asnjë ministër i Jashtëm serb. Ai është shprehur optimist për të krijuar bazat për bashkëpunim të mirë me Tiranën.

Ministria e Jashtme, Tiranë
Ministria e Jashtme, TiranëFotografi: Mimoza Dhima

Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndet vizitën e Mrkić

Vizita e Ivan Mrkić në Tiranë ndodh pas takimit javën e kaluar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daćić. Ministria e punëve të jashtme e Shqipërisë e ka përshëndetur menjëherë këtë takim që u zhvillua nën kujdesin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshës Catherine Eshton.

"Vazhdimi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve është në interes të dy vendeve, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe i shërben integrimit të të dy vendeve dhe gjithë rajonit në Bashkimin Evropian"- thuhej në një komunikatë që lëshoi fundjavën e kaluar ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë.