1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polemikë dhe propagandë - Reagime iraniane ndaj vizitës së Shirin Ebadit në Deutsche Welle

17 Korrik 2009

Në vizitën e saj në Deutsche Welle, mbajtësja e Çmimit Nobel të Paqes, Shirin Ebadi e kritikoi qeverinë e Teheranit për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut. Deklaratat e saj u kritikuan ashpër nga mediat iraniane

https://p.dw.com/p/IrbH
Shirin Ebadi gjatë vizitës në Deutsche Welle
Shirin Ebadi gjatë vizitës në Deutsche WelleFotografi: DW/Montage

Tradicionalisht, Gjermania gëzon një emër të mirë te populli iranian. Letërsia gjermane, kultura dhe muzika njihen dhe vlerësohen në Iran. Filozofët gjermanë i lexojnë dhe diskutojnë. Edhe në fushën ekonomike ekzistojnë lidhje të ngushta. Sipërmarrjet gjermane eksportojnë çdo vit mallra me vlerë prej miliardash në Iran - megjithatë me një tendencë në rënie. Zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të 12 qershorit sollën një ftohje të mëtejshme. Në Berlin u shqiptuan kritika të ashpra në mënyrën si vepruan forcat iraniane të sigurisë kundër demonstruesve pas zgjedhjeve.

Mediet iraniane po e përdorin tani qëllimisht vizitën e mbajtëses iraniane të Çmimit Nobel të Paqes, Shirin Ebadi ne DW për sulme të ashpra. Kështu për shembull, agjencia e lajmeve IRNA shkruan: "Shirin Ebadia po merr gjithnjë e më tepër pozicionin e Angela Merkelit."

Më tej thuhet: "Zonja Ebadi në harmoni me Angela Merkelin u shprehën me hipokrizi ditët e fundit për lirinë dhe të drejtat e njeriut në Iran. Por ajo hesht - ashtu si medie të tjera perëndimore - për vrasjet prej sionistëve dhe prej pushtuesve të Palestinës. Kjo nuk ndodh për herë të parë."

Ebadi u shpreh kundër sanksioneve që rëndojnë mbi popullin

Gjatë konferencës së shtypit në DW, Shirin Ebadia u shpreh në mënyrë të qartë kundër sanksioneve ekonomike, sepse ato dëmtojnë vetëm popullin. Bultan News, gjithashtu një agjenci iraniane lajmesh, e kthen këtë deklaratë në të kundërtën dhe pohon: "Po të mos sjellin demokraci negociatat me Iranin, atëherë kombet perëndimore duhet të vendosin sanksione kundër kombit iranian. Veç kësaj, thotë ajo, negociatat janë gjithmonë rruga më e mirë - por ne nuk mund të negociojmë pafundësisht."

Ndërkohë, qeveria iraniane e vendos vrasjen e një egjiptianeje të re në një sallë gjyqi në Dresden në lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë federale gjermane. Zëvendësja e presidentit Ahmadinexhad, Saxhadi i tha agjencisë iraniane të lajmeve, Fars: "Vrasësi hyri pa problem me armë në sallën e gjyqit, prandaj duhet të nisemi nga fakti se ka vepruar i ngarkuar nga qeveria federale."


Më parë, presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad kërkoi nga Kombet e Bashkuara që të vendosin sanksione kundër Gjermanisë. Qeveria federale gjermane i ka hedhur poshtë ndërkohë me vendosmëri të gjitha akuzat.

Ahmadinexhad shfrytëzon polemikën mbi programin bërthamor

Sulme polemike si këto bëjnë pjesë në repertorin standard të medieve konservatore në Iran. Presidenti Mahmud Ahmadinexhad e ka përdorur me mjeshtëri grindjen e viteve të fundit për programin bërthamor, për të tërhequr vëmendjen nga problemet ekonomike në vendin e tij dhe për ta bërë për vete popullin.

Ndërrimi i Xhorxh Bushit me Barak Obaman në Shtëpinë e Bardhë i mori Ahmadinexhadit armikun e tij të preferuar. Zgjedhjet e diskutueshme dhe protestat e shtypura me dhunë e dobësuan edhe më tej prestigjin e tij. Me krijimin e imazhit të kundërshtarit udhëheqja iraniane përpiqet me sa duket të fitojë terren. Në shënjestër - krahas Britanisë së Madhe dhe Francës - ndodhet edhe Republika Federale Gjermane.

Deri tani kjo strategji nuk po shoqërohet me sukses. Kritika për zgjedhjet vazhdon edhe vetë në Iran. Protestat vazhdojnë, megjithëse qeveria ka arritur që me anë të dhunës dhe kërcënimeve t'i mbajë larg rrugës shumicën e demonstruesve.

Autor: Jamsheed Faroughi - Sybille Golte /Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani