1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia e shtetit në Tiranë thotë se shkaku i vdekjes së Trebickës është aksidenti

Arben Muka / Tiranë14 Shtator 2008

Shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma e shoqëruar me kontuzion të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve nga goditje-përplasja, karakteristikë kjo e traumave automobilistike- thotë policia e shtetit.

https://p.dw.com/p/FHsi
Fotografi: DW/Cama

Pas hetimeve të para që ka realizuar grupi me rreth 30 ekspertë në lidhje me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka, policia e shtetit ka njoftuar disa rezultate paraprake nga ajo që ka ndodhur ditën e premte rreth 200 km larg Tiranës, në fshatin Lekas të rrethit të Korçës. Nëpërmjet një zëdhënësi në Tiranë, policia deklaroi se "nga tërësia e veprimeve hetimore të deri anishme rezulton se viktima Kosta Trebicka, një natë para ngjarjes ka fjetur në hotel në Voskopojë dhe në orën 05 të mëngjesit ka dalë i vetëm nga hoteli dhe me mjetin e tij është nisur për gjueti. Konfirmohet nga dëshmitarët dhe veprimet hetimore në hotel, se ai ka fjetur i vetëm dhe është larguar i vetëm nga hoteli". Gjithashtu policia e shtetit ka dhe një konkluzion paraprak, që tregon sipas saj se shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma e shoqëruar me kontuzion të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristikë kjo e traumave automobilistike. Zëdhënësi i policisë tha për reporterët se "në përfundim të veprimeve hetimore, konkluzionet përfundimtare të ekspertëve të përfshirë në këtë hetim do të bëhen publik".

Veç grupit të madh të ekspertëve shqiptarë në mënyrë paralele investigime të pavarura për ngjarjen është duke bërë dhe një hetues i posaçëm amerikan. Kjo pas vetë një kërkese për mbështetje që ka bërë Prokuroria e Republikës në Tiranë për ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri.
Në orët e vona të së shtunës trupi i pajetë i Trebickës iu dorëzuar familjarëve në Tiranë, për ti bërë ceremoninë mortore sipas traditës. Të dielën pasdite i ndjeri do të përcillet nga familjarët të afërmit dhe miqtë për në banesën e fundit.

Vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka po përcillet me interesim jo vetëm në Shqipëri, pasi ai ishte dëshmitari kryesor për atë që konsiderohet si skandali i trafikut të fishekëve nga Shqipëria në Afganistan dhe për tragjedinë e Gërdecit, në mars të këtij viti, ku mbetën të vdekur 26 vetë dhe qindra të lënduar.