1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia liron Sheshin Taksim nga demonstruesit

Auron Dodi (dpa, br, dw)12 Qershor 2013

Kryeministri i Turqisë la të kuptojë se nuk përjashtohet një lëvizje për t'i shtypur me forcë protestat antiqeveritare. Rexhep Taip Erdogani tha se që tani e tutje nuk do të ketë më tolerancë.

https://p.dw.com/p/18nxK
Fotografi: Reuters

Kryeministri i Turqisë tha të martën, në një takim në Ankara me deputetë të partisë së tij AK se i ka mbaruar durimi me demonstruesit, që kanë protestuar prej gati dy javësh kundër qeverisë dhe partisë së tij.

"Atyre që janë te Sheshi Taksim dhe kudo gjetkë, duke marrë pjesë në demonstrata me dëshira të sinqerta: unë ju bëj thirrje të largoheni prej këtyre vendeve dhe t'u jepni fund incidenteve dhe ju dërgoj ndjenjat e dashurisë sime. Por atyre që duan të vazhdojnë incidentet unë u them: "Mori fund". Prej tani ne nuk do të kemi më tolerancë për ta," tha Erdogani.

Policia futet në Sheshin Taksim

"Ne jo vetëm që do t'u japim fund veprimeve, por do të jemi te zverku i provokatorëve dhe terroristëve dhe askush nuk do të shpëtojë", shtoi kryeministri. Në kohën që Eedogani fliste, policia e pajisur me mjete kundër demonstruesve u fut në Sheshin Taksim, i cili ka qenë në qendër të protestave antiqeveritare. Policia përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe ujëhedhës për t'i shpërndarë protestuesit. Buldozerët larguan barrikadat e ngritura nga demonstruesit. Por disa nga protestuesit, megjithatë, nuk hoqën dorë nga rezistenca, dhe u përleshën për disa orë me policinë.

Në fjalimin e tij me ligjvënësit nga partia e tij, Erdogani gjithashtu e mbrojti vendimin për të përdorur forcën kundër demonstruesve.

"A pritej nga ne që të përgjunjeshim përballë atyre dhe t'u thoshim: ju lutemi, largojini leckat tuaja? Ata mund të më quajnë të ashpër, por ky Taip Erdogan nuk do të ndryshojë", tha ai.

Policia shpërndan demonstruesit në Sheshin Taksim
Policia shpërndan demonstruesit në Sheshin TaksimFotografi: Reuters

Fjalët e Erdoganit qenë në konstrast të thellë me atë që pati deklaruar qeveria e tij vetëm një ditë më parë. Të hënën, zëvendësi i Erdoganit, Bulent Arinc tha se kryeministri është i hapur për dialog me protestuesit dhe planifikon që të takojë disa prej përfaqësuesve të tyre të mërkurën.

Trazirat, që nisën 12 ditë më parë me demonstratat kundër planeve për të eleminuar një park në Sheshin Taksim, u kthyen shpejt në protesta kundër kryeministrit dhe kundër asaj që shumë e shohin si sjellje autoritare të tij. Demonstratat shpërthyen që atëherë në Ankara, në kryeqytet, dhe në shumë qytete të tjera të Turqisë.

Kritika nga bota

Përpjekjet e Erdoganit për të shtypur protestuesit kanë ndeshur në kritikat e aleatëve të Turqisë.

"Shqetësohem shumë kur shoh përdorimin e ujëhedhësve", i tha të martën komisioneri për të drejtat e njeriut i qeverisë gjermane, Markus Löning, kanalit televiziv privat, NTV. Ai gjithashtu e kujtoi Ankaranë për angazhimet e saj për të drejtën e lirisë së fjalës dhe të mbledhjes së lirë.

"Ne i bëjmë thirrje qeverisë turke që të respektojë të drejtat e qytetarëve të saj", u shpreh Löning.

SHBA, një aleate tjetër e ngushtë e Turqisë shprehën shqetësimin për përdorimet e mëparshme të dhunës.

"Ne vazhdojmë të jemi seriozisht të shqetësuar për raportet e përdorimit të tepruar të forcës nga policia dhe për numrin e madh të të plagosurve e dëmtimin e pronës, dhe i mirëpresim thirrjet që për këto ngjarje të zhvillohen hetime," i tha reporterëve të hënën sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.