1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia në gatishmëri për zgjedhjet

Angelina Verbica4 Maj 2011

Asistenca ndërkombëtare nëpërmjet misioneve të BE-së, SHBA dhe zyrës së OSBE-së në Tiranë është duke asistuar policinë e shtetit ne Shqipëri, për të përmbushur standartet në procesin zgjedhor të dielën, që vjen.

https://p.dw.com/p/118dk
Fotografi: dpa

Të dielën tjetër në votimet lokale do të jenë në gatishmëri rreth 6500 forca policore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Incidentet e deritanishme në fushatën elektorale, aktet e dhunës, shpërthimet me lëndë ekplozive, dëmtimet e zyrave elektorale të kandidatëve, deklaratat e nxehta mes subjekteve politike etj, kanë krijuar një lloj klime tensioni, kur duhen dhe pak ditë nga votimet.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani
Ministri i Brendshëm, Bujar NishaniFotografi: DW

Për ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, detyra e policisë së shtetit është që të parandalohet, ose të trajtohet konform ligjit çdo akt, që do të cënojë normalitetin e procesit zgjedhor. Në një bisedë me DW-në Nishani, përsërit disa herë se misioni kryesor i policisë së shtetit është “krijimi i një klime sa më të qetë dhe të sigurtë për qytetarët, që ata të shprehin lirshëm të drejtën e votës më 8 maj”. Sipas tij dy dokumentet e rëndësishme, që orientojnë dhe garantojnë standardet, si ato të vendeve të BE-së, janë ligji për funksionet e policisë së shtetit dhe kodit elektoral në pjesët, që përcakton të drejtat dhe detyrat e saj në të gjithë procesin. “Një element i rëndësishëm gjykimi për mua është dhe trajnimi i specializuar dhe i specifikuar, që ka kryer trupa policore nga drejtuesi më i lartë deri tek punonjësi më i thjeshtë në gradë në dy aspekte. Në njërën anë në njohjen e detajuar të detyrave të tyre, në njohjen e përgjegjësive të tyre, në njohjen e detajuar të kufizimeve dhe nga ana tjetër tek përvoja pozitive, që ka policia prej kohësh”.

Trajnimi i punonjësve të policisë

Poster me kandidatin e "Aleancës për të ardhmen", Edi Rama
Poster me kandidatin e "Aleancës për të ardhmen", Edi RamaFotografi: DW

Një pikë orientuese e punës së policisë në procesin zgjedhor është bashkëpunimi me ndërkombëtarët. Dy nga programet kryesore, që asistojnë dhe monitorojnë uniformat blu në Shqipëri janë misioni PAMECA i BE-së dhe misioni ICITAP i Departamentit të Drejtësisë të SHBA. Këto dy misione nëpërmjet ekspertëve të tyre do të jenë në të njëjtën kohë dhe monitorues të mënyrës se si policia e shtetit ka përballuar dhe do të përballojë katër fazat e procesit zgjedhor: përiudhën para elektorale, pjesën e mbetur nga fushata elektorale, ditën e votimit dhe fazën e fundit, që ka të bëjë me numërimin e votive dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar.

OSBE akordon telefona satelitorë për komunikimin mes njësive policore

Aktive në mbështetjen e policisë së shtetit është zyra e OSBE në Shqipëri, që mori pjesë në fushatën e trajnimit me punonjësit e policisë. Në fillim të javës shefi i zyrës, ambasadori Eugen Wolfrath, i ka vlerësuar maksimalisht përgatitjet, që ka bërë policia shqiptare për zgjedhjet, siç ka deklaruar ai “e përgatitur siç duhet dhe plotësisht e ndërgjegjshme për nevojen e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe akses të lirë në mbështetje të qytetarëve”. Ambasadori Wolfarth konfirmoi projektin mbështetës të policisë në ditën e zgjedhjeve, ku OSBE-ja do t'i akordojë një sasi telefonash satelitorë për të mbuluar komunikimin mes njësive policore në zonat më të thella rurale të vendit.

Poster me kandidatin e "Aleancës për qytetarin", Lulzim Basha.
Poster me kandidatin e "Aleancës për qytetarin", Lulzim Basha.Fotografi: DW

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, përmend dhe një kontribut tjetër të ekspertëve të OSBE-së në këtë fazë të procesit zgjedhor. “Të cilët jo vetëm kanë qënë të përfshirë në trajnimet dhe në përgatitjen e udhëzuesve të këtyre trajnimeve, por dhe përmes botimit të një ‘libri xhepi', që është një udhëzues për çdo punonjës policie, gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve dhe më pas, se si ai duhet të përfshihet të kryejë detyrat e tij. Pra qoftë OSBE, qoftë dhe dy misionet ndërkombëtare të BE-së dhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA, kanë qënë dhe janë duke punuar ngushtësisht me strukturat e policisë së shtetit.”

Nisur nga vlerësimet pozitive, që ka patur në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe ato parlamentare të vitit 2009 për punën dhe angazhimin e policisë së shtetit ministri Nishani shprehet në mënyrë figurative se “për votimet e 8 majit 2011 do të vijojë eksperinca pozitive në ruajtjen e standardeve europiane dhe ajo do të marrë një medalje tjetër në flamurin e saj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica