1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA Georgien Ukraine

24 Korrik 2009

"SHBA-ja edhe në të ardhmen do t'ju qëndrojë pranë", tha Joe Biden në Tbilisi dhe Kiev. SHBA-ja i mbështet këto dy vende edhe për antarësimin në NATO. Megjithatë mesazhi i vërtetë i Biden është një tjetër.

https://p.dw.com/p/IwYb
Zëvendës presidenti i SHBA-së Joe Biden në Kiev i shoqëruar nga presidenti i Ukrainës Viktor JushtshenkoFotografi: AP

Vizitat e nënpresidentit të ri të SHBA-së Joe Biden në Kiev dhe Tbilis pas takimit para dy javësh në Moskë të presidentit të SHBA-së Obama me presidentin rus Medvedjev janë pjesa e dytë e një politike të re të SHBA-së ndaj Evropës Lindore. Pas fillimit të ri në marrëdhëniet ruso-amerikane për të cilin u shpreh presidenti Obama, ishte detyra e nënpresidentit tani, që t' i sqaronte politikën e re Kievit dhe Tbilisit. Zëvendëspresidenti kishte sjellë me vete mesaszhe të hapura, por edhe disa mesazhe indirekte.


Jo zona të influencës ruse


Mesazhet më të hapura dhe më të qarta të Bidenit ishin, që SHBA-ja nuk i pranon zonat e influencës ruse në hapësirën post-sovjetike dhe se angazhohet për integritetin territorial të të dyja shteteve dhe vazhdon të jetë e hapur parimimisht për integrimin e këtyre dy vendeve në strukturat euro-atlantike. Edhe politika e re e SHBA-së e konsideron parimisht të mundshëm antarësimin e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë në NATO.


Me këto deklarata fundamentale Obama dhe Biden janë në kontinuitet me qeverinë parardhëse të George W. Bushit. Por sidoqodftë ato i venë një theks tjetër politikës aktuale, gjë që bëhet e qartë nga mesazhet më pak direkte të Bidenit në Kiev dhe në Tbilis. Biden iu shmang përmendjes së afateve konkrete, apo ndonjë plani kohor për antarësimin e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë në NATO.


Një fillim i ri me Moskën, Kievin dhe Tbilisin


Pra mesazhi i vërtetë i Bidenit ndaj Kievit dhe Tbilisit është një tjetër. Mbështetja parimore për një Ukrainë sovrane dhe një Gjeorgji sovrane do të vazhdojë, por paralelisht me fillimin e ri me Moskën ka edhe një fillim të ri me Kievin dhe Tbilisin. Politika që ndiqte presidenti i SHBA-së Bush ndaj Evropës Lindore synonte mbajtjen e Rusisë nën kontroll. Për këtë arsye Kievi dhe Tbilisi, mbështeteshin në mënyrë masive, gjë që e shfrytëzoi veçanërisht presidenti gjeorgjian Shakashvili.


Ndërsa presidenti i SHBA-së Obama do tani që ta çlirojë Kievin dhe Tbilisin nga kjo varësi, duke u nisur edhe nga fakti që presidentët Jushçenko dhe Shakashvili ndodhen nën presion në politikën e brendëshme dhe që së paku në Ukrainë është i diskutueshëm antarësimi në NATO. Pranimi në NATO ka kuptim vetëm nëse të dyja vendet përgatiten mirë për këtë dhe nëse kjo mbështetet në masë edhe nga qytetarët.


Aksioma për politikën e SHBA-së në hapësirën post-sovjetike nuk është më kufizimi i Rusisë me ndihmën e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë, por aktivizimi i një Rusie partnere për objektivat globale të SHBA-së, në radhë të parë në Afganistan dhe Iran. Ndonëse Ukraina dhe Gjeorgjia mund të vazhdojnë të llogarisin me mbështetjen e SHBA-së, mundësia e presionit nga Kievi dhe Tbilisi ndaj politikës së SHBA do të jetë këtej e tutje më e vogël. Ky ishte mesazhi i hidhur, por i duhur, që kishte sjellë me vete Biden për Jushçenkon dhe Shakashvilin.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Dr. Pandeli Pani