1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika gjermane ndaj Sirisë

Sven Pöhle / Angelina Verbica11 Shtator 2013

Qeveria përshëndet propozimin për të kontrolluar armët kimike të Sirisë. Po ndikimi i politikës gjermane në ngjarjet në Siri është i pakët.

https://p.dw.com/p/19fqR
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle
Fotografi: MACDOUGALL/AFP/Getty Images

"Me lëvizjet e orëve të fundit shanset për një zgjidhje politike në Siri janë ringjallur përsëri“, thotë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel mbështet përpjekjet diplomatike, të cilat janë duke marrë formë ngadalë.

Siria sipas ministrit të Jashtëm, Walid al-Moallem, është e gatshme të japë informacion për rezervat siriane të gazit helmues. Kështu për momentin mund të mënjanohet një goditje ushtarake kundër Sirisë. Më parë Rusia propozoi kontrollin ndërkombëtar të armëve kimike siriane.

Politikanët gjermanë të të gjitha partive shpresonin gjithmonë për një zgjidhje diplomatike. Kjo tani duket e mundur, sepse përveç Rusisë edhe Kina, fuqia e dytë me të drejtë vetoje, që i kishte penguar më parë sanksionet kundër Sirisë në Këshillin e Sigurimit, u bashkua me iniciativën diplomatike.

Sergei Lavrov dhe Walid Muallem, takimi në Moskë
Sergei Lavrov dhe Walid Muallem, takimi në MoskëFotografi: AFP/Getty Images

Aktor apo spektator?

Kancelarja Angela Merkel
Kancelarja Angela MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

Për këtë linjë të përbashkët ka kontribuar mjaft në ditët e fundit politika e jashtme gjermane, pohon politikani i partisë liberale, FDP, Rainer Stinner, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të parlamentit gjerman. Gjermania ka marrë pjesë aktive në këtë zgjidhje duke kërkuar kontakt intensiv me Rusinë, për të bindur Moskën që të mos bashkëpunojë me një regjim, që mund të ketë përdorur armë kimike, thotë politikani liberal Stinner.

Jan van Aken i Partisë së Majtë e sheh rolin e deritanishëm të Gjermanisë në konfliktin e Sirisë krejt ndryshe: "Qeveria gjermane është spektatore dhe madje spektatore e keqe." Kancelarja Merkel ka ndjekur një kurs zigzag në çështjen e Sirisë. Mungon vullneti i qeverisë gjermane, për të ndërhyrë në Siri.

Hija e gjatë e distancimit ndaj Sirisë

Thomas Jäger e konsideron ndikimin gjerman minimal. Profesori për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme në Universitetin e Këlnit beson se Gjermania nuk ka dhënë ndonjë kontribut vendimtar në Këshillin e Sigurimit dhe në raundet e negocimit. "Gjermania është pozicionuar edhe në bazë të aftësive të saj."

Qeveria gjermane e ka sinkronizuar në masë të madhe politikën e saj për Sirinë me politikën e partnerëve perëndimorë, por pa përcaktuar qëndrimin e saj të mëtejshëm. Kështu edhe kur aleatët perëndimorë të Gjermanisë menduan të sulmonin ushtarakisht regjimin e Asadit për shkak të dyshimit për përdorimin e gazit helmues.

Një nga arsyet për hezitimin e politikës gjermane ndaj Sirisë është e kaluara gjermane. Në vitin 2011 Berlini i la të pakënaqur aleatët perëndimorë gjatë votimit për ndërhyrjen ushtarake në Libi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjermania abstenoi dhe e gjeti veten në anën e Rusisë dhe Kinës, të cilat gjithashtu abstenuan. Aleatëve perëndimorë u ishte prezantuar më parë edhe "jo"-ja gjermane kundër përfshirjes së mundshme në luftën në Irak në vitin 2003.

Politika gjermane për Sirinë është përqëndruar kryesisht në ndihmën humanitare për refugjatët sirianë. Në qershor Angela Merkel deklaroi se qeveria gjermane do të rrisë ndihmën për të dëbuarit me 200 milionë euro që këtë vit. Gjermania ka siguruar deri tani 190 milionë dollarë për refugjatët sirianë. Përveç kësaj qeveria gjermane ka rënë dakord të pranojë 5.000 refugjatë sirianë. Në ditët dhe javët e ardhshme ata do të vijnë në Gjermani.

Përfshirje në shkatërrimin e armëve kimike?

Në situatën aktuale kryesorja është që përpjekjet diplomatike të mbushen me jetë, thotë eksperti i politikës Jäger. "Se çfarë roli do të luajë qeveria gjermane, do të varet nga fakti, se çfarë shërbimesh dhe kompetencash do të ofrohen për këtë proces.

Ministri i Jashtëm Westerwelle i bëri thirrje Damaskut që të nënshkruajë menjëherë konventën ndërkombëtare për ndalimin e armëve kimike dhe gjithashtu të lejojë kontrollin nga inspektorët ndërkombëtarë në vend. Përveç kësaj duhet të kërkohen përgjegjësit për hedhjen e gazit të dyshuar helmues në gusht dhe në rast nevoje këtu duhet të përfshihet Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Westerwelle ofron përfshirjen e Gjermanisë në shkatërrimin e armëve kimike siriane. Ekspertiza për këtë ekziston në Gjermani, thotë Oliver Meier, ekspert për kontrollin e armatimit dhe çarmatimin në Institutin Shkenca dhe Politika në Berlin. Por ai mendon se deri atëherë do të duhet kohë.