1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika islandeze para drejtësisë

15 Mars 2012

Në Islandë këtë të enjte përfundon një proces historik. Ish kryeministri Geir Haarde, është politikani i parë i lartë në botë, të cilit iu desh të japë llogari para gjyqit për krizën financiare.

https://p.dw.com/p/14Kkf
Fotografi: AP

Para afro katër vitesh bota ishte ende në rregull për Geir Haarde. Ai ishte një kryeministër shumë i popullarizuar tek bashkatdhetarët e tij dhe Islanda shihte me plot besim drejt ardhmërisë. Pastaj shteti ishull shkoi në prag të krizës financiare dhe idilit i erdhi një fund i papritur. Në vjeshtë të vitit 2008, bankat më të rëndësishme në vend falimentuan, shumë prej 320.000 islandezëve humbën kursimet e tyre. Zemërimi i tyre u drejtua kryesisht kundër Haarde-s, i cili akuzohej për dështime masive në menaxhimin e krizës. Pothuajse brenda natës, eksperti i ekonomisë u ndodh para rrënojave të karrierës së tij politike. Pas protestave të vazhdueshme, në janar të vitit 2009 ai dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

"Ish kryeministri si kurban"

Për ish shefin e Partisë Konservatore, tani në moshë 60 vjeçare do të vinin ditë edhe më të këqija. Pas një periudhe të gjatë përgatitjeje, më 5 Mars të këtij viti në Gjykatën Kombëtare Speciale "Landsdsdómur" në Rejkjavik filloi procesi gjyqësor për rolin e tij në krizën financiare. Nëse ai shpallet fajtor atëherë mund të dënohet me të holla apo me dy vjet burgim. Këtë të enjte (15.03.2012) mbaron procesi gjyqësor, por mbetet ende e hapur se kur do të bëhet shpallja e vendimit. Haarde, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Sipas tij, atëherë askush nuk ka mundur të imagjinojë dimensionet e krizës. Ai e sheh veten si kokë turku. Shumë vëzhgues pyesin nëse aktakuza është e justifikuar ligjërisht.

Janar 2009: Protesta kundër Haarde-s në Rejkjavik
Janar 2009: Protesta kundër Haarde-s në RejkjavikFotografi: AP

Christian Rebhan, ekspert për Islandën në "Grupin e Kërkimeve për Politikë të Evropës Veriore" në Universitetin Humboldt të Berlinit dyshon se: "Për shkak se procesi u shfrytëzua politikisht nga partitë politike për Haarde-n ishte e lehtë që ta paraqesë veten si kokë turku. Nëse procesi ishte në fakt ligjërisht konsekuent, për këtë ka një hapësirë të gjerë interpretimi në dispozitat kushtetuese dhe rregullat ligjore. Ky ishte me të vërtetë një vendim politik dhe jo ligjor."

Rebhan i referohet veprimeve të partive politike para fillimit të procesit gjyqësor. Fillimisht në fokus të një komisioni hetimor ishin edhe disa ministra të tjerë. Por ,pas një votimi parlamentar ata nuk kishte më nevojë që të japin llogari. Prandaj Haarde, akuzon shumicën e majtë parlamentare për një teatër politik. Sipas tij, do të duhej të akuzoheshin edhe ministrat përgjegjës nga radhët e socialdemokratëve, të cilët në atë kohë ishin anëtarë të qeverisë së tij të koalicionit. E qartë është se gjatë kohës sa Haarde ka qenë në pushtet ka pasur për një kohë të gjatë një përzierje fatale të vakumit ligjor, shkujdesjes së autoriteteve mbikqyrëse si dhe një përzierje ndërmjet politikës dhe sektorit të financave, të cilat e kthyen Islandën në një fushëlojë për matrapazët financiarë.

Në foto, Christian Rebhan
Në foto, Christian RebhanFotografi: privat

Pavarësisht asaj se çfarë roli mund të ketë luajtur ish-kryeministri në këtë mes, procesi është futur tashmë në histori. Kjo për faktin se Haarde jo vetëm që është lideri i parë në botë që ndodhet në gjyq për shkak të krizës financiare, por është edhe rasti i parë për të cilin duhet të vendosë Gjykata Speciale e themeluar në vitin 1905. Islanda është një nga vendet e pakta ku politikanëve mund t'iu bëhet një proces gjyqësor për shkelje të detyrës zyrtare.

Shembull jo i mirë për vendet e tjera

Në skenën ndërkombëtare debatohet shumë në fejtonet politike dhe forumet e internetit për rastin Haarde. Ata analistë dhe blogerë të cilët kërkojnë konsekuenca personale për gabimet e rënda politike e vlerësojnë si shembullor veprimin islandez. Juristi gjerman i të drejtës ndërkombëtare Christian Tomuschat, nuk pajtohet me vlerësimet e tilla: "Natyrisht që është e vetkuptueshme që liderët duhet të përgjigjen për vendimet e gabuara politike. Por që kjo të ndodhë në formën e një procedure penale është diçka e re dhe ndoshta nuk mund të jetë patjetër model shembull sepse në fund të fundit përgjegjësinë për vendimet në një shtet demokratik nuk i mban vetëm një person, por një sistem i tërë qeveritar."

Në foto, Prof. Christian Tomuschat
Në foto, Prof. Christian TomuschatFotografi: picture-alliance / Sven Simon

Autorë: Ralf Bosen / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama