1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikan i suksesshëm dhe evropian i bindur

Iveta Ondruskova / Bahri Cani26 Shtator 2012

Që prej katër dekadash Wolfgang Schäuble është deputet në Parlamentin gjerman. As sfidat politike dhe as atentati nuk e kanë stepur politikanin e sukseshëm në rrugën e tij.

https://p.dw.com/p/16BMe
Fotografi: AP

Wolfgang Schäuble është që nga vjeshta e vitit 2009 ministri më i rëndësishëm në kabinetin e kancelares Angela Merkel. Në koalicionin e tanishëm të Unionit me liberalët ai është politikani me peshën më të madhe politike - pas kancelares. Ministri i Financave është prezent në të gjitha konferencat dhe takimet e rëndësishme ndërkombëtare. Të martën (18.09.2012) Schäuble festoi 70 vjetorin e lindjes. Për meritat e tij në politikën evropiane ai është shpërblyer në maj të këtij viti edhe me çmimin e Karlit të Madh në Ahen.

Wolfgang Schäuble Karlspreis
Wolfgang Schaeuble duke marrë çmimin e Karlit të Madh në AhenFotografi: dapd

Karriera politike

Në përpjekjet e tij për shpëtimin euros, juristi nga Frajburgu është një ndër politikanët më të rëndësishëm në truallin evropian. Wolfgang Schäuble konsiderohet ndër politikanët më të rëndësishëm si në Berlin ashtu edhe në Bruksel. Ai së bashku me kancelaren kërkojnë më shumë disiplinë buxhetore.

Biografia politike e Schäuble-s është si një film. Pak nga të gjitha: intriga, goditje të rënda, skandale...

Kur Walter Ulbricht në vitin 1961 urdhëroi ngritjen e Murit të Berlinit, Wolfgang Schäuble përfundoi gjimnazin dhe iu bashkangjit të rinjve të unionit kristiandemokrat. Në vitin 1972, kur kancelar ishte Willy Brandt - Schäuble kandidoi për herë të parë për deputet në Bundestag. Ai fitoi në Ofenburg, afër kufirit me Francën, ku deri sot nuk ka humbur asnjë herë.

Dhjetë vite më vonë (1981), ai filloi bashkëpunimin shumë të gjatë dhe të suksesshëm me ish-kancelarin Helmut Kohl. Ky i fundit e zgjodhi Schäuble-n (1984) si ministër në zyrën e kancelarit. Si shef i qendrës së pushtetit, Schäuble u bë shumë shpejt i njohur në tërë Gjermaninë.

Në nëntor të vitit 1989 ra Muri i Berlinit. Schäuble ishte kryenegociator në procesin e marrëveshjeve për bashkimin e Republikës Federale me Gjermaninë Lindore (DDR). Më 3 tetor 1990 marrëveshja u arrit.

Atentati

Por vetëm disa ditë më vonë ai u bë viktimë e një atentati. Schäuble i shpëtoi për fije vdekjes. Më 12 tetor 1990 në restorantin "Bruder" në Openau, ai u qëllua nga një psikopat. Schäuble pësoi lëndime të rënda dhe si pasojë ka mbetur inë karrocën e invalidit. Me një disiplinë të hekurt dhe me shumë mund ai ia doli që pas gjashtë javësh të rikthehet në postin e tij të Ministrit të Brendshëm. Në vitin 1998 Kohl i humbi zgjedhjet dhe së bashku me Schäuble-n u largua nga pushteti.

Zypern Nikosia EU Finanzminister Treffen ECOFIN
Fotografi: dapd

Në janar të vitit 2000 Schäuble pranoi se në vitin 1994 ka marrë donacione në vlerë prej 100.000 marka. Por në parlament rezultoi se Schäuble nuk kishte thënë të vërtetën e plotë. Në shkurt të vitit 2000, Wolfgang Schäuble dha doprëheqjen nga posti i shefit të grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU në Bundestag. Kohl dhe Schäuble nga bashkëpuntorë të ngushtë u kthyen në armiq të përbetuar.

Më vonë atë e mori në ekipin e saj edhe kancelarja Angela Merkel. Pas zgjedhjeve të vitit 2005 u krijua koalicioni me bazë gjerë mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, ku Schäuble mori postin e ministrit të Brendshëm. Katër vite më vonë, në tetor 2009, ai u emërua ministër i Financave.

Evropian i bindur

Wolfgang Schäuble angazhohet fuqishëm për Evropën. Në veçanti i rëndësishëm për të është boshti i saj: miqësia gjermano - franceze. Ai e zotëron shumë mirë edhe gjuhën franceze. "Euro është një monedhë e qëndrueshme, dhe në qoftë se nuk bëjmë gabime të mëdha, ajo kështu do të jetë edhe në të ardhmen", thotë ai. Sipas tij, Evropa gjithmonë ka dalë edhe më e fortë nga krizat. Kjo nënkutpon, se edhe kësaj here kështu do të ndodhë. "Brenda 10 vitesh do të kemi një strukturë shumë më të fuqisahme evropiane." Ky është qëllimi Schäuble-s.