1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikania gjermane Petra Bles: Të mbështeten më shumë gratë për t´u përfaqësuar në politikën e Kosovës

Filip Sllavkoviç1 Nëntor 2007

Petra Bles (Petra Bläss) është konsulente në kuadër të misionit të OSBE-së në Prishtinë. Ajo vlerëson punën e bërë për përgatitjen e fushatës elektorale brenda një kohe të shkurtër.

https://p.dw.com/p/BzxN
Petra BlässFotografi: picture-alliance / dpa

Deutsche Welle: Pas tri javësh do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë. OSBE-ja është përsëri e angazhuar megjithëse janë institucionet kosovare ato që do të organizojnë dhe ndjekin procesin zgjedhor. Si e gjykoni ju si këshilltare e OSBE-së përgatitjet që janë bërë dhe po bëhen si dhe fushatën elektorale deri tani?

Petra Bles: Së pari unë kam një respekt shumë të madh për institucionet në Kosovë, në rastin konkret për sekretariatin e komisionit zgjedhor, i cili me ndihmën e OSBE-së në një proces me të vërtetë të shpejtë dhe intensiv po bën maksimumin për të siguruar përgatitjet për zgjedhjet. Unë duhet të theksoj se afati kohor është me të vërtetë shumë i shkurtër, sepse data e zgjedhjeve u vendos në fund të gushtit. Për më tepër qö zgjeddjet do të zhvillohen në tre nivele, ato për asamblenë, ato lokale dhe zgjedhjet direkte për kryetar bashkie në komuna. Nga ana tjetër është hera e parë që kemi të bëjmë me një sistem të listave të hapura d.m.th. që votueset dhe votuesit, si edhe ata që organizojnë zgjedhjet ndodhen para një sfide të madhe, për organizimin e procesit brenda një kohe të shkurtër.

Unë, që kam drejtuar organizimin e zgjedhjeve të para të lira në
ish-Republikën Demokratike Gjermane përpara 16 apo 17 vitesh megjithëse me një sistem zgjedhor të thjeshtë, e di shumë mirë se sa e vështirë është kjo sfidë. Unë sapo jam kthyer nga Kosova dhe duhet të them se procesi dhe fushata zgjedhore janë në fazë intensive dhe se kudo ndjehet se së shpejti zhvillohen zgjedhje. Megjithëse fushata zyrtarisht fillon këto ditë gazetat apo pllakatat në rrugë flasin dhe i dedikohen vetëm zgjedhjeve. Po ashtu edhe në Parlament ndjehet se vendi ndodhet në fushatë zgjedhore megjithëse paralamenti ka mandat dhe është në punë deri në momentin e zgjedhjes së parlamentit të ri.

Deutsche Welle: Si po zhvillohet deri tani kjo fushatë elektorale, a mund të thuhet se fushata ështe normale dhe korrekte?

Petra Bles: Akoma nuk mund të thuhet nëse është e tillë apo jo, pasi zyrtarisht fushata ka filluar vetëm në fundjavë mesa di unë, por standartet sigurisht është vështirë të krahasohen me ato të vendeve perëndimore. Unë kam punuar shumë këto shtatë javët e fundit dhe do të vazhdoj të punoj akoma më shumë për një angazhim dhe përfaqësim të grave në zgjedhje dhe në politikë. Për këtë ka një sinjal mjaft shpresëdhënës, pasi gratë pavarësisht përkatësisë politike apo etnike janë mjaft të interesuara për një përfaqësim dhe angazhim politik. Si rezulatat i një pune të madhe të bërë edhe nga organizatat jo qeveritare ka një kuotë të përcaktuar prej 30 përqind për përfaqësimin e grave. Listat do të përpilohen në mënyrë të tillë që në fund të numërimit 30 përqind e mandateve të jenë gra. Megjithatë ka akoma shumë për të bërë pasi në realitet gratë janë pak të përfaqësuara në fushatë, apo për faktin se grupi i unitetit, që merr pjesë në bisedimet e statusit në Vjenë përbëhet vetëm nga burra. Një moment tjetër i rëndësishëm është edhe anagzhimi i grave si zgjedhëse, pasi në shumë zona rurale është i përhapur fenomeni i ashtuquajtur i votimit familjar ku burri si kryetar familjeje vendos se si do të votojë e gjithë familja e tij, dhe ne po punojmë që gratë të jenë sa më të pavarura në votimin që bëjnë.

Deutsche Welle: Ju përmendet disa probleme si përshembull votimin familjar. Vëzhgues të ndryshëm kanë theksuar se nga katër partitë kryesore të përfaqësuara në parlament dy prej tyre janë pasuese direkte të UÇK-së dhe kanë në rradhët e tyre ish-oficerë ose njerëz që edhe sot janë të armatosur dhe që mendohet se veprojnë në prapaskenë për të ndikuar tek zgjedhësit. Si e vlerësoni ju këtë konstatim?

Petra Bles: Kush ka jetuar në Kosovë vitet e fundit, dhe unë jam nga ata që kanë qenë shpesh atje, vë re se përveç mekanizmave ligjore ka një aktivitet të gjerë në prapaskenë. Kjo është shumë e dhimbshme pasi edhe pse janë krijuar mjaft institucione ligjore edhe me ndihmën e organizmave ndërkombëtare, akoma ka mjaft struktura të dyshimta. Por që të ndryshohet kjo kërkohet një punë e madhe dhe një kohë e gjatë. Unë do të kthehesha përsëri tek mbështetja që u duhet dhënë grave, pasi dihet se ato nuk janë të angazhuara në këto struktura, që unë do ti quaja hapur mafioze, përveç tyre duhen mbështetur më shumë edhe disa parti si bie fjala Ora, që kanë një sfond dhe strategji tjetër.

Deutsche Welle: Në Kosovë flitet shumë se Serbët nga Beogradi ushtrojnë presion mbi serbët në Kosovë për të bojkotuar zgjedhjet ashtu siç kanë bërë edhe në zgjedhjet e mëparshme. Është me të vërtetë kështu se politikanët serbë të Serbisë ushtrojnë presion ndaj bashkëatdhetarëve të tyre apo serbët e Kosovës nuk kanë ineteres vetë të marrin pjesë në zgjedhje?

Petra Bles: Unë mendoj se ka një presion nga Beogradi por edhe serbët e angazhuar në Kosovë nuk kanë arritur asnjëherë të kenë struktura të qëndrueshme dhe në fund të fundit kanë ndjekur udhëzimet për bojkot të ardhura nga Beogradi. Për fat të keq politika e bojkotit është e përhapur në Ballkan. Si rezultat i kësaj politike serbët nuk përfaqësohen në institucione dhe politikanë të njohur dhe të profilizuar serbë të Kosovës si Oliver Ivanoviç apo Vesna Jovanoviç, që janë edhe mjaft të njohur në Perëndim nuk kandidojnë fare. Kjo është shumë për të të ardhur keq pasi kush e përjeton fushatën vë re se mungon thuajse tërësisht prezenca e serbëve të Kosovës. Megjithatë unë mendoj se ka një ndryshim në nivel qendror dhe atë rajonal. Për fat të mirë në disa komuna ka kandidatë serbë dhe janë krijuar disa parti të vogla dhe unë shpresoj se në disa komuna apo zona serbët do të votojnë, megjithatë dua të theksoj se nuk jam shumë optimiste.

Deutsche Welle: Përmendëm se ka mjaft probleme që lidhen me këto zgjedhje: mënyra sesi votohet në disa zona rurale me të ashtuquajturin votim familjar, strukturat e partive dhe veprimet e forcave jashtëligjore në prapaskenë, bojkotimin nga ana e serbëve në disa zona, ku si rrjedhojë nuk do të votohet fare, pra shtohet pyetja se si do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve?

Petra Bles: Kjo është një pyetje e drejtë. Tensioni është shumë i madh dhe shpresa është që pas këtyre zgjedhjeve do të ketë koalicion të qëndrueshëm. Zgjedhjet zhvillohen më 17 Nëntor kurse më 10 dhjetor është data kur do të shpallen konkluzionet e Trojkës për statusin e ardhshëm të Kosovës. Për këtë është e rëndësishmë që të konsolidohen sa më shpejt institucionet e reja, një parlament i aftë të veprojë, një qeveri e re e përkohshme. Pra ndodhemi
nën një presion të madh kohor.

Deutsche Welle: A do të jetë Hashim Thaçi lideri i Partisë Demokratike, që si kryeministër së bashku me Presidentin Fatmir Sejdiu do ta shpallin pavarësinë e Kosovës?

Petra Bles: Ka një konkurrencë dhe ambicie të madhe midis liderëve që synojnë të jenë në krye në këto momente historike. Për këtë u bë edhe shumë presion për të zhvilluar këto zgjedhje në këtë moment. Çdo gjë është e hapur. Ka një studim të botuar nga fondacioni Friedrich Ebert, që pasqyron sondazhet e opinionit sipas të cilit PDK-ja dhe LDK-ja janë shumë pranë njëra-tjetrës, kanë rreth 30 përqind, kurse partitë e vogla si ato të milionerit Pacolli, apo ajo e Ramush Hajradinajt, apo Ora kanë rreth 10 përqind të votave në favor të tyre. Nga sa kam dëgjuar unë ka shumë variante dhe mundësi për koalicione. Do të ishte gabim që vlerësimi i rregullit dhe profilimit të partive të bëhej sipas standarteve gjermane, apo atyre perëndimore në përgjithësi. Eshtë spikatës fakti se këto zgjedhje janë tërësisht të fokusuara në çështjen e statusit, ndërkohë që janë lënë plotësisht jashtë vëmendjes problemet që shqetësojnë popullatën kosovare: si problemet e sigurisë sociale, ku më shqetësues janë sistemi shëndetësor, që është thuajse i rrënuar si edhe papunësia e lartë. Papunësia veçanërisht për brezin e ri është më e larta në Evropë. Ka vështirësi të shumta me furnizimin me ujë të pijshëm, apo ata që jetojnë në Kosovë përjetojnë ndërprerje të gjata në furnizimin me energji elektrike. Të gjitha këto tema janë të harruara në këtë fushatë zgjedhore dhe ato që i tematizojnë më shumë këto probleme janë gratë edhe pse ashtu siç e theksova edhe me parë janë shumë pak të përfaqësuara në politikë.