1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polen Wahlen

8 Tetor 2011

Të dielën polakët shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur parlamentin e tyre të ri. Sipas sondazheve, partia qeverisëse proevropiane e kryeministrit aktual, Tusk ka shanse të fitojë zgjedhjet.

https://p.dw.com/p/12nzk
Donald Tusk
Kryeministri aktual polak Donald Tusk - fitues i pasigurtFotografi: dapd

"Fushata zgjedhore ishte gati letargjike"  gjykon politologu dhe publicisti nga Varshava Kazimierz Wóycicki. Sipas tij kjo lloj fushate nuk i shkon peizazhit politik gjithmonë dinamik të Polonisë. Por për shkak se gjendja ekonomike në Poloni, aktualisht shkon mirë, mungojnë temat kontroverse. "Një situatë e tillë përdoret nga grupet politike që duan të bien në sy apo nga provokatorët", thotë Kazimierz Wóycicki.

Një përfaqësues i një politike të tillë është Janusz Palikot, një milioner dhe njeri ekcentrik. Partia e tij "Lëvizja për mbështetjen e Janusz Palikotit", sipas sondazheve jo vetëm që mund të kalojë kufirin e 5%, por mund të dalë nga zgjedhjet si forca e tretë politike e parlamentit polak.

Janusz Palikot, personi që procokon dhe ndan elektoratin
Janusz Palikot, personi që procokon dhe ndan elektoratinFotografi: picture-alliance/dpa

Daljet publike të Palikotit me T-shirte me mbishkrimin "Unë jam homoseksual" si thirrje për tolerancë kundër pakicave, apo me një penis prej llastiku në dorë si protestë kundër sulmeve seksuale të policëve polakë - aktualisht qarkullojnë si sensacione në opinionin polak. Me fushata të tilla, Palikoti synon t'i flasë një shtrese të re liberale që në të njëjtën kohë është edhe kritike ndaj kishës. Një pjesë e madhe e tyre duket se i përket edhe elektoratit tradicional të liberalëve konservatorë, partisë "Platforma qytetare (PO) aktualisht në qeverisje. Kjo dëmton kryeministrin Donald Tusk, sepse Palikoti ka qenë koleg i partisë së tij.

Tusk megjithatë kryeson

Shumica e sondazheve nxjerrin fitues të zgjedhjeve të dielën partinë qeverisëse "Platforma qytetare" me rreth 30%, e ndjekur nga partia nacionalkonservatore "E drejta dhe Drejtësi" (PiS) me rreth 20% të votave. Por partia kryesuese nuk mund të jetë shumë e sigurtë për fitoren. Sepse avantazhi në kryesim me 50% në fillim të vitit 2011 ka pësuar një rënie të ndjeshme. Më shumë se 25% e zgjedhësve ende nuk ka vendosur se për kë parti do të votojë.

Jaroslaw Kaczynski sulmon personalisht Merkelin
Jaroslaw Kaczynski sulmon personalisht MerkelinFotografi: AP

Loja me antipatitë ndaj gjermanëve

Për të mobilizuar zgjedhësit reservë, Jaroslav Kaczynski po përpiqet të riaktivizojë antipatitë ndaj gjermanëve. Në librin e tij "Ëndrrat e mia për Poloninë", që ka dalë gjatë fushatës elektorale, Kaczynski sulmon kancelaren gjermane Merkel se do të vendosë ekspansionin gjerman në Poloni. "Merkel bën pjesë në gjeneratën e atyre politikanëve gjermanë, që duan të rigjallërojnë pushtetin imperialist të Gjermanisë."

Lidhur me investimet gjermane në Poloni, Kaczynski vëren se ai nuk e sheh me gëzim ato. "Një ditë prej ditësh ne do zgjohemi në një Poloni të vogël" paralajmëron politikani polak. Ai nënkupton se Gjermania do të rimarrë zonat perëndimore të Polonisë. Në një pjesë tjetër të librit të tij, ai e sulmon personalisht Merkelin. "Nuk është rastësi që Merkeli është bërë kancelare gjermane, një ish-qytetare e Gjermanisë Lindore. Shumica e vëzhguesve e interpretojnë këtë si një komplot të Shtazit. Kur është pyetur nëse ai ka dashur të thotë këtë, Kaczynski e mënjanoi përgjigjen duke thënë "Zonja Merkel e di përse është fjala."

Stuhi indinjatash

Shprehjet e Kaczynskit në këtë libër kanë shkaktuar reagime të forta. Ju jeni "një gabim që sjell dëme" ka thënë presidenti polak, Bronislaw Komorowski të mërkurën në mbrëmje në televizionin TVN 24. "Do t'i thoja atij të kërkonte falje" tha presidenti polak. Madje vetë gazeta "Rzeczpospolita", që qëndron afër me partinë e Kaczynskit e ka cilësuar si gabim sulmin ndaj Merkelit. "Polakët janë sot shumë me miqësore ndaj gjermanëve dhe Merkeli është më popullore se kurrë" thotë politologu Kazimierz Wóycicki.

Autor: Bartosz Dudek/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica