1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Populli si shpresa e fundit - Zgjedhje të reja në Greqi

16 Maj 2012

Në Athinë dështoi përfundimisht krijimi i qeverisë. Pas dështimit të partive vetëm populli mund ta shpëtojë vendin në zgjedhje nga e tatëpjeta. Zgjedhjet e reja parashihen të mbahen më 17 Qershor.

https://p.dw.com/p/14wGZ
Fotografi: Reuters

Populli i drobitur i grekëve duhet të ushtrohet edhe një herë në çështjet e demokracisë, sepse elita politike përsëri nuk mundi të bjerë dakord për një politikë realiste dhe të përbashkët për kapërcimin e krizës. Falimentimi financiar i Greqisë dy vjet e gjysmë më parë bëri të dukshëm për të gjithë edhe falimentimin e sistemit politik. Dy partitë e dikurshme kryesore, konservatorja "Nea Demokratia" e Antonis Samaras dhe PASOK-u socialist i Evangelos Venizelos, që e çuan Greqinë në rrënim ekonomik, pësuan si rezultat humbje të rënda në zgjedhjet në 6 majit. Tani ata janë vërtet të gatshme të formojnë një koalicion për të shpëtuar vendin, por nuk kanë më shumicën në parlament. Gjatë negociatave të ditëve të fundit të zyrën presidenciale të mëdhenjtë e dikurshëm qenë më të arsyeshmit.

Forcimi i partive të vogla

Zgjedhësit e revoltuar kanë forcuar nga ana tjetër aq shumë partitë, dikur të vogla, saqë ata luajtën tani rolin kyç si krijues të shumicës në bisedimet për krijimin e koalicionit: Lëvizja e djathtë "grekët e pavarur" të Panos Kammeno-s dhe veçanërisht e Majta radikale e populistit Aleksis Tsipras, i cili është ngjitur në pozicionin e partisë së dytë për nga forca politike. Të verbuar dhe të pamësuar nga të qenit në qendër të vëmendjes këto parti premtojnë ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve me partnerët e Greqisë dhe përhapin iluzionin se edhe pa politikën e kursimeve dhe reformat strukturore është e mundur mbetja në zonën e euros. Janë këto parti në forcim e sipër, që kanë penguar formimin e një qeverie koalicioni përmes një serë kërkesash maksimale. Pikërisht në momentin, kur Brukseli dërgon sinjale të moderuara në drejtim të Athinës dhe premton zbutjen e masave të kursimit, dështimi i negociatave në Athinë e bën situatën më të komplikuar. Në ç'drejtim po shkon Greqia?

Negociatat dështuan
Negociatat dështuanFotografi: picture-alliance/dpa
Karolos Papoulias nuk i bindi dot grekët
Karolos Papoulias nuk i bindi dot grekëtFotografi: dapd

E Majta radikale partia më e fortë?

Sipas sondazheve të fundit në zgjedhjet e reja e majta radikale e Tsipras do të shënonte fitore të reja dhe ndoshta mund të dilte partia më e fortë. Kur mendon se sistemi zgjedhor grek, shpërblen partinë më të fortë me 50 vende shtesë në parlament, atëherë bëhet e qartë se çfarë rreziku kërcënon. Pastaj ndoshta prej korrikut zona e euros do të ketë të bëjë me një qeveri koalicionit të krahut të majtë në Athinë, e cila refuzon kuadrin e përcaktuar ndërkombëtarisht për shpëtimin e Greqisë.

Shpresa e vetme është, që në qershor pjesëmarrja në votime të jetë më e lartë. Dhe që mbi të gjitha zgjedhësit, duke pasur parasysh pamundësinë e vendit për t'u qeverisur, të reagojnë me urtësi më të madhe se udhëheqësit politikë, duke forcuar ato parti, që deklarojnë të vërtetën e hidhur: se qëndrimi i dëshiruar në zonën e euros dhe politika ashpër e kursimeve janë dy anët e së njëjtës medalje.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Angjelina Verbica