1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret Merkel: Si duket, si është

23 Nëntor 2015

Politika e Angela Merkelit ka në vështrim të parë diçka anonime: heshtje e gjatë, vendime të vonuara. Por gjatë krizës ajo tregon këmbëngulje. Prej dhjetë vitësh.

https://p.dw.com/p/1HA0S
Deutschland Berlin Bundeskanzlerin Angela Merkel im ZDF Interview
Fotografi: picture alliance/dpa/J. Roehr

Ndonjëherë ajo habit mik dhe armik. Ishte vera 2015, kur refugjatë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Ballkani erdhën në drejtim të Gjermanisë. Jo mijëra, jo dhjetëra mijëra - por qindra mijëra. Kur shumëkush e shprehu me zë mendimin, se kur do të mbyllen kufijtë, ajo çuditi me deklaratën: "E drejta e azilit nuk njeh kufi!" Merkel, që ka qenë gjithmonë e kujdesshme, që ka pritur. Papritmas dhe kundër të gjitha pritshmërive. Pyetja e madhe që atëherë është: A e di ajo, se çfarë është duke bërë?

Nuk mund të themi se Angela Merkel qeveris në kohë të qeta. Tema e refugjatëve është sfida më e madhe për të deri sot, dhe tani vjen edhe kërcënimi i terrorizmit. Pas sulmeve të Parisit ajo tha: "Ne e dimë se jeta jonë e lirë është më e fortë se çdo terror. Na lini t'u japim përgjigje terroristëve duke jetuar vlerat tona me vetëbesim dhe duke i forcuar këto vlera për të gjithë Evropën. Tani më shumë se kurrë."

Pas atentateve të Parisit Merkel shkruan ngushëllimin e saj në librin e zisë
Pas atentateve të Parisit Merkel shkruan ngushëllimin e saj në librin e zisëFotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Mandati i saj nuk qenë gjithnjë i mbushur me sfida. Në vitin 2013 në Shën Petersburg gati sa nuk ra në një pritë politike. Në hapjen e një ekspozite me eksponate të të ashtuquajturit art i plaçkitur, presidenti rus Vladimir Putin, ndryshe nga ç'ishin marrë vesh, donte t'ia hiqte të drejtën për të folur. Merkel kërcënoi me shkurtimin e udhëtimit të saj në Rusi, duke i bërë Putinit shah mat. Një fitore dhe një dëshmi për aftësitë e zhdërvjelltësinë e Merkelit. Ajo di si të fitojë.

Receta e suksesit: heshtja, vëzhgimi, të vepruarit me vonesë

Cilësi krejt të tjera tregon në temën NSA (National Security Agency), skandalit të përgjimit të shërbimeve sekreta - sfida më e madhe për kancelaren në politikën e jashtme dhe të brendshme. Pikërisht aleati më i ngushtë SHBA spiunon miqtë gjermanë. Merkel kundërshton: "Përgjime, kjo nuk shkon absolutisht mes miqve. Lufta e ftohtë ka përfunduar."

Fillimisht ajo hesht, pastaj e shpreh zemërim përmes zëdhënësve të saj. "Ajo i heq të gjitha temave kontroverse tensionin", thotë historiani Edgar Wolfrum.

Ajo i lë problemet të presin dhe i bashkohet në fund mendimit të shumicës. Kritikët e quajnë stilin e saj të politikës "merkeln", një dhunti politike, që i siguron asaj respekt dhe përbuzje.

Merkel Tsipras dhe Hollande
Merkel, Tsipras dhe HollandeFotografi: picture-alliance/dpa/O. Hoslet

Ashpërsinë e saj të vërtetë ajo e demonstron në skenën europiane. Që në 2008 kancelarja është e kërkuar sidomos si menaxhere krizash. Meqë Greqia është dobësuar, ajo mundohet të shpëtojë euron: "Politika gjermane, unë e kam thënë vazhdimisht që nga viti 2010, ka për qëllim që Greqia të mbetet në Eurozonë. Bazat e politikës sonë, parimeve tona janë gjithnjë të njëjtat: Përpjekje vetjake dhe nga ana tjetër solidaritet." Në Athinë nuk flasin mirë për kancelaren gjermane, në fakt në të gjithë Evropën jugore jo. Por aprovimi ndërkombëtar për politikën e saj evropiane dominon.

Kozmosi i Merkelit: Shifra, të dhëna, fakte

Duhet të njohësh rrënjët e Merkelit për të kuptuar se si u bë ajo që është. Asnjëherë në historinë e Gjermanisë pas vitit 1945 një politikan nuk është nënvlerësuar aq sa vajza e priftit protestant nga provinca gjermanolindore. Ajo nuk është misionare, pragmatizmin e ka mbi gjithçka.

Dhe ajo është në gjendje t'i rishikojë pozicionet e mëparshme. Pas katastrofës bërthamore në Fukushima përkrahësja e dikurshme e energjisë bërthamore e braktisi energjinë bërthamore. Një gjë e tillë nuk e ka dëmtuar. Përkundrazi: E përkrahura nga kancelarit i dikurshëm është kthyer me kohë nga "vajza e Kohlit" në "mamaja". Me pak fjalë ajo e ka nën kontroll partinë dhe qeverinë. Për këtë ka arsye.

Vonë dhe rastësisht: Karriera e saj politike

Angela Merkel ka hyrë vonë në politikë. Më shumë rastësi se e parashikuar. Si zëvendëszëdhënëse e shtypit e kryeministrit të fundit të RDGj-së Lothar de Maizière 35 vjeçares i jepet në atë kohë shansi, që të vërë në jetë aftësitë e saj organizative dhe komunikative jo fort të ushtruara. Pak më parë ajo kishte hyrë në CDU. Ajo është e zellshme, tani bëhet ambicioze.

Nën kancelarin Kohl ajo bëhet në vitin 1994 ministre për Mjedisin dhe Sigurinë Bërthamore. Një departament i rëndësishëm dhe i përshtatshëm për të diplomuarën në fizikë. Në çështjen, se si duhet vepruar me mbeturinat radioaktive të industrisë bërthamore, atëherë dhe sot të diskutueshme, Merkel është e pakompromis: fuqia bërthamore mund të kontrollohet dhe nuk ka alternativë tjetër përveç saj, deri në katastrofën bërthamore në Fukushima.

Angela Merkel bën në vitin 2005 betimin si kancelare
Angela Merkel bën në vitin 2005 betimin si kancelareFotografi: picture-alliance/dpa/G. Bergmann

Kur Helmut Kohl humb zgjedhjet parlamentare në vitin 1998, CDU ndodhet në gjendje shoku. Por jo Angela Merkel. Ajo sheh mundësinë për konsoliduar vendin e saj në epokën pas Kohlit. Wolfgang Schäuble, kryetari i ri Unionit, e bën atë sekretare të përgjithshme të partisë. "Gjëja kryesore është që të jemi në tituj", është kredoja e saj në funksionin e ri. Pas skandalit të donacioneve, në qendër të të cilit ndodhen Kohl dhe Schäuble, ajo nis rënien morale të kancelarit të vjetër.

Vetëm kapitulli i fundit i mandatit të saj është ende i hapur

Në prill 2000 Angela Merkel zgjidhet kryetarja e re e CDU-së. Në zgjedhjet parlamentare 2005 ajo është kandidatja kryesore e kristiandemokratëve. Votat janë të mjaftueshme vetëm për një koalicion të madh me PSD. Por ajo është kancelarja!

Prej 15 vjetësh Angela Merkel kryeson CDU, prej dhjetë vjetësh ajo është kancelare, të gjithë kundërshtarët e brendshëm në parti nuk kanë patur sukses deri tani. Dhe gjithmonë Merkel ia del të veprojë në heshtje. Ajo i lë burrat në CDU-në e saj thjesht të thërrasin. Në përvjetorin e saj mund të vendoset fati i saj politik. Ajo ka hyrë prej kohësh në librat e historisë, mandati i saj përbën një epokë. Por politika e saj ndaj refugjatëve do të vendosë, se si do të jetë një ditë lamtumira e saj nga posti i kancelares.