1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portreti i politikanit Astrit Rexhaj

1 Dhjetor 2011

Astrit Rexhaj është lindur më 5 Maj të vitit 1986 në Wiesbaden. Ai është ndër shqiptarët e rrallë në Gjermani që në mënyrë aktive merret me politikë. Astriti me këtë dëshiron të përfaqësojë një brez të ri.

https://p.dw.com/p/13KTW
Në foto, Astrit Rexhaj
Në foto, Astrit RexhajFotografi: Astrit Rexhaj

Prindërit e Astritit, Isufi dhe Raza nga Dobroshi i Gjakovës kishin ardhur në Gjermani në vitin 1971. Astriti fillon të interesohet që në rininë e hershme për politikën dhe për projekte sociale. Si fëmijë i një "gastarabeiteri", që e fitonte bukën me punë të rënda fizike, Astriti, siç e thotë vet, nuk e kishte të vështirë të përcaktohej se anëtar i cilës parti do të bëhej. Në vitin 2008 regjistrohet në Partinë Socialdemokrate (SPD), parti e cila u kushton rëndësi të veçantë çështjeve sociale dhe të drejtave të punëtorëve. Qysh në gjimnaz ai ishte nënkryetar i shkollës dhe gazetar i revistës shkollore. Ndërsa pas përfundimit të gjimnazit ai shkon për një praktikë në Bundestag tek deputeti Michael Hartmann (SPD) prej nga edhe fillon që të bëhet politikisht aktiv.

Paralelisht me studimet e juridikut në Universitetin e Mainz-it të cilat i përfundon me sukses, ai ndihmon në organizimin e fushatave zgjedhore dhe aktiviteteve politike. Fillimisht si anëtar bordi në detyrën e sekretarit, pastaj zëvendëskryetar i kryesisë së partisë në Hochenheim mbi Majn, në fillim të vitit 2011 ai arrin të zgjidhet edhe deputet në Këshillin e Qytetit.

Astriti në fushatë për SPD-në
Astriti në fushatë për SPD-nëFotografi: Astrit Rexhaj

Astriti, tani 25 vjeç, është ndër shqiptarët e rrallë në Gjermani që në mënyrë aktive merret me politikë. Megjithatë për të kjo është diçka vetëm simbolike. Ai me këtë dëshiron të përfaqësojë një brez të ri dhe të inkurajojë të tjerët:

"Për mua kjo është një detyrë e madhe. Para së gjithash dua që në jetën time të kem arritur diçka dhe gjithashtu të jem një shembull për qytetarët e tjerë shqiptarë, të cilët pranojnë se kontributet e tyre në shoqëri duhet të jenë të tilla. Ne jemi pjesë e këtij vendi, e Gjermanisë, dhe kemi një votë si krejt qytetarët e tjerë. Këtë gjë duhet ta kuptojnë dhe ta kenë gjithmonë parasysh edhe bashkëkombësit e mi."

Të jesh njeri nga më të rinjtë në parti dhe përveç kësaj të jesh i huaj mund të fsheh rreziqe. Por e rëndësishme është së pari që të kapërcehen paragjykimet, nënvizon Astriti.

Astrit Rexhaj në vendin e tij të punës
Astrit Rexhaj në vendin e tij të punësFotografi: Astrit Rexhaj

"Unë mendoj se ne nuk mund ta mohojmë kurrë prejardhjen tonë. Zemra ime i takon Kosovës. Megjithatë, unë kam lindur dhe jetoj në Gjermani. Si një person me rrënjë shqiptare, unë do ta kem një shans më shumë të pëlqehem nga masa, kështu që shoh shanse në parti. Është e nevojshme që nganjëherë t'i theksojmë aspektet pozitive. Unë personalisht mund të them se kurrë nuk kam pasur ndonjë problem nëse kam theksuar se Kosova është shteti im i origjinës, me siguri ka pasur në fillim disa probleme, por fillimisht duhen kapërcyer paragjykimet. Të tilla paragjykime ka kudo."

Aktualisht Astriti punon si bashkëpunëtor shkencor pranë kompanisë më të madhe në botë për të drejtën ndërkombëtare (DLA Piper). Kjo kompani është e pranishme me 67 zyra në 29 vende të ndryshme të botës. Astriti punon në zyrën e Frankfurtit mbi Majn. Në universitetin e këtij qyteti ai paralelisht specializohet edhe në degën "Legjislacioni i biznesit". Astriti shpreh bindjen e tij se kosovarët që janë rritur jashtë vendit dhe janë aktivë në politikë dhe në fushat tjera, me një përkushtim dhe punë të madhe mund të sjellin vetëm gjëra pozitive për Kosovën:

Astriti para ndërtesës së bashkisë në Hochheim mbi Majn
Astriti para ndërtesës së bashkisë në Hochheim mbi MajnFotografi: DW/Esat Ahmeti

"Së pari, krijohen marrëdhënie midis shteteve, dhe së dyti, njeriu e ka një pikëpamje tjetër se si funksionon Gjermania dhe politika gjermane. Kjo pikëpamje u mungon shpesh politikanëve kosovarë. Ata janë të rrënjosur thellë në strukturat ekzistuese apo të trashëguara dhe nuk mund të shohin jashtë "rrethit të tyre". Mendoj se avantazhin që kam fituar në Gjermani, unë mund ta përdor duke mbështetur projekte të cilat kontribuojnë për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes Gjermanisë dhe Kosovës."

Astriti mund të jetë njeriu i vetëm në botë që në galerinë e njëjtë të muzikës në celularin e tij ka renditur veprat më të njohura muzikore të Frederik Shopenit dhe këngët e Shyhrete Behlulit. Ai dëgjon me ëndje sidomos"Koncert për piano 2" të Shopenit dhe këngën "Me u ba ma t'mirë" të Shyhrete Behlulit. Dhe Astriti punon që shqiptarët në Gjermani "të bëhen më të mirë".

"Unë gjithmonë them se Kosova ka më shumë gjëra pozitive dhe të mira për të ofruar, e jo kriminelë dhe njerëz të dhunshëm. Shqiptarëve këtu në Gjermani dua t'ju tregoj, se vetëm me punë dhe me përkushtim mund të arrijnë gjithçka. Dhe siç thashë, unë e shoh veten time si një pjesë të bashkësisë shqiptare. Unë jam gjithmonë i gatshëm për të biseduar rreth mundësive dhe ideve te reja te cilat do ta avanconin pozitën e bashkatdhetarëve të mi në Gjermani dhe pres gjithashtu për të marr disa reagime, apo përgjigje nga bashkatdhetarët e mi."

Në veçanti Astriti është aktiv në punët e grupit të fushës sociale, te rinia dhe aktivitetet kulturore. Dhe në këtë drejtim atij i duhet edhe mbështetja e rinisë shqiptare në Gjermani:

"Popullsia e re shqiptare mund të eci shumë dhe sigurt përpara. Ne mund të përdorim arsimimin dhe përvojat këtu, për të sjellë ndryshime edhe në Kosovë. Arsimimi duhet të jetë shumë i lartë në demokraci. Edhe unë kam nevojë për kritika konstruktive, sugjerime, veçanërisht nga të rinjtë. Mundësi për të shkëmbyer informacione kemi krijuar në mënyrë të veçantë nëpërmjet një lidhje studentore që sapo është formuar në Frankfurt mbi Majn. Unë gjithmonë them: "njerëzit e zgjuar e ndërtojnë një vend të zgjuar".

Në dhomën e takimeve me qytetarë në bashkinë e Hochheim-it
Në dhomën e takimeve me qytetarë në bashkinë e Hochheim-itFotografi: DW/Esat Ahmeti

Një ditë e punës për Astritin fillon herët në mëngjes dhe përfundon në orët e vona të mbrëmjes. Nga Hochheimi mbi Majn ku në një shtëpi me katër hyrje ai jeton së bashku me prindërit dhe dy vllezërit Armendin 31 dhe Shaqirin 28 vjeç, të dy të martuar dhe me profesion informaticienë, Astriti rrugën deri në Frankfurt mbi Majn e bën zakonisht me tren. Meqë udhëtimi me tren zgjat rreth një orë kjo i jep mundësinë që të lexojë, gjë që nuk do ta bënte po të udhëtonte me makinë. Në orët e vona të pasdites ai angazhohet rreth punëve të partisë dhe jo rrallë gjen kohë edhe për aktivitete sportive. Ai është pjesëmarrës i maratonës së Frankfurtit në të cilën çdo vit marrin pjesë mbi 30 mijë sportistë.

"Angazhimi, puna, respekti dhe mbi të gjitha familja janë themelet e një të ardhme të suksesshme. Çdo shqiptar që jeton në Gjermani duhet të ketë parasysh që e ka për detyrë të përfaqësojë vendin e tij. Së bashku ne mund të arrijmë shumë, tani dhe asnjëherë nuk na nevojiten ndarje dhe moskomunikim ndërmjet nesh, këto vetëm pengojnë rrugën drejt përparimit", nënvizon Astriti.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Pandeli Pani