1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Posselt: Shqiptarët kanë punuar fort për ndërtimin e demokracisë

Esat Ahmeti4 Dhjetor 2012

Europarlamentari e anëtari i delegacionit të PE-së për Europën Juglindore, Bernd Posselt, mbi shanset e Shqipërisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

https://p.dw.com/p/16vTF
Bernd Posselt,, deutscher Politiker (CSU) und Mitglied des Europäischen Parlaments Dieser Bilder stammen von mir Esat Ahmeti und die DW darf diese Bilder benutzen. Die Bilder würden am 02.12.2012 in Emmendingen während eine Ausstellung zum 100 Jährigen Jubiläum Albanies aufgenommen..
Bernd PosseltFotografi: Esat Ahmeti

DW: Zoti Posselt, si i vlerësoni pikëpamjet që Shqipëria të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian qysh gjatë këtij viti?

Bernd Posselt: "Unë shpresoj që më së voni kjo të arrihet në vitin e ardhshëm. Komisioni Evropian ka bërë një rekomandim përkatës, që t'i japë Shqipërisë statusin e kandidatit dhe nëse gjithçka shkon si duhet, atëherë më së voni vitin e ardhshëm Shqipëria do të fitojë këtë status. Por tërësisht të sigurt nuk mund të jemi, pasi pak varet edhe nga mënyra, se si do të zhvillohet kriza aktuale në Bashkimin Evropian."

DW: Mundësia tjetër atëherë do të ishte pranvera në samitin e BE-së në mars të 2013. Por Bashkimi Evropian e ka të qartë se kryeministri i Shqipërisë mund ta përdorë një dhuratë të tillë si municion gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Si e shihni ju këtë?

Bernd Posselt: "Më falni, por kjo nuk është dhuratë. Shqiptarët kanë punuar fort për ndërtimin e demokracisë. Kryeministri Sali Berisha e ka udhëhequr vendin në NATO, ai po ndërmerr shumë reforma. Unë nuk bëj politikë partiake, por të gjitha partitë politike shqiptare kanë punuar për këtë dhe një gjë mund ta them: rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të jetë e sukseshshme, vetëm nëse për këtë do të punojnë së bashku të gjitha partitë politike. Kjo çështje nuk guxon të jetë mollë sherri në politikën e brendshme. Me rëndësi është një bashkëpunim i mirë i të gjitha partive. Ato mund të zihen për politikën e brendshme por në politikën evropiane ato duhet të punojnë së bashku."

DW: Për shumë politikanë evropianë Shqipëria konsiderohet si një vend, që është vështirë për t'u kuptuar. Ata e kanë të vështirë të arsyetojnë, apo justifikojnë sjelljet e politikanëve të saj. A jeni edhe ju një prej tyre?

Bernd Posselt: "Kështu kush e njeh pak historinë dhe e di se sa brutal ka qenë regjimi komunist në Shqipëri dhe e njeh pak edhe parahistorinë e gjatë, që ishte shumë e ndërlikuar, atëherë çuditet, se si Shqipëria ka arritur për një kohë kaq të shkurtër të bëjë përparime kaq të mëdha. Unë besoj që e kuptoj Shqipërinë, unë e çmoj Shqipërinë dhe rruga, që ka kaluar Shqipëria, është e gjatë dhe ne do të duhej të shprehim habinë tonë se si është arritur kjo. Unë e di se kjo rrugë do të zgjasë ende dhe se do të ketë shumë probleme, por Shqipëria ka bërë shumë. Sikur edhe popujt e tjerë do të duhej të kalonin nëpër rrethana të tilla, me siguri që  edhe ata do të kishin të paktën problemet e njëjta."