1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pranim me detyrim?

16 Prill 2010

Kësaj pyetjeje u munduan t'i përgjigjeshin ndër të tjera deputetë të parlamentit federal, të cilët vizituan Kosovën pikërisht ato ditë, kur ministri i Brendshëm Rexhepi ndodhej në Gjermani

https://p.dw.com/p/MyH8
Lagje e romëveFotografi: N. Osman

Këtë javë Gjermania dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për kthimin e ish-refugjatëve. Por sa e gatshme është Kosova në të vërtetë të strehojë dhe integrojë refugjatë të tjerë nga Gjermania, e sidomos mbi 10 mijë romë?

Bilder vom Auffanglager für Roma in Mitrovica, Kosovo
Jeta në Osterode.Fotografi: Christophe Quirion

Perceptimi i deputetëve gjermanë mbas kthimit nga Kosova ndryshon në varësi të përkatësisë partiake. Guenter Baumann nga partia qeverisëse CDU është i mendimit se situata, me të cilën konfrontohen të kthyerit, përfshirë edhe romët, është e përballueshme: “Ka një sërë programesh. Një projekt i tillë ishte në afërsi të Mitrovicës. Ne biseduam aty edhe me romët, të cilët na konfirmuan se të gjithë fëmijët shkojnë në shkollë dhe se nuk ka asnjë problem”, tha ai për Deutsche Wellen. Një përshtypje relativisht optimiste, megjithëse shifrat flasin me një gjuhë tjetër: Sipas Komisariatit të Lartë për Refugjatë pranë OKB-së, 70 përqind e romëve të kthyer largohen pas sërish nga Kosova.

Socialdemokrati Gerd Reichenbach e shpjegon këtë gjendje me papunësinë e lartë prej afro 90 përqind, që mbisundon tek komuniteti rom, por edhe me mungesën e ofertave të perspektivës për të rinjtë: „Ne takuam të rinjtë, që janë rritur në Gjermani dhe flasin vetëm romanes dhe gjermanisht dhe nuk ka asnjë shans të gjejnë një shkollë, ku të fliten këto gjuhë. Shoqëria për ta është tërësisht e huaj, njerëzit flasin vetëm shqip e serbisht”, thotë deputeti socialdemokrat, njëri nga pesë anëtarët e delegacionit. Reichenbach kërkon që marrëveshja e nënshkruar të mërkurën në Berlin të zbatohet duke marrë parasysh gjendjen individuale të secilit dhe që ndihmat për të kthyerit të jenë të qëndrueshme.

Deutschland Bundestag Ulla Jelpke Die Linke
Ulla Jelpke, deputete e së "Majtës"Fotografi: Deutscher Bundestag/Lichtblick/Achim Melde

“Turp për Gjermaninë!”

Mungesën e shkollave të përshtatshme për të rinjtë, që kthehen nga Gjermania e pranon edhe ministri Bajram Rexhepi: “Ne mund të ofrojmë shkollim në gjuhën shqipe, ose serbe, ndërsa shkollat e tjera në gjuhën anglishte, ose gjermane ekzistojnë, por ato janë private. Por do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për ta në bashkëpunim me ministrinë e arsimit”, u shpreh ai në një intervistë ekskluzive me programin shqip të Deutsche Welles.

Deputetja nga e “E Majta”, Ulla Jelpke, është e mendimit se Gjermania duhet të heqë dorë nga kthimi i detyrueshëm i refugjatëve, sidomos i romëve: “Ka disa grupe viktimash nga koha e nazizmit, siç janë refugjatët hebrej të ardhur nga Rusia kohë më parë, për ta askush nuk kërkon që të kthehen. Kështu mund të bëhet edhe me romët, sepse edhe për ta kemi një përgjegjësi historike dhe nuk mund t'i kthejmë e të jemi indiferent, se si jetojnë ata atje, ku shkojnë.”

Rücknahmeabkommen mit Kosovo
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU) dhe homologu i tij kosovar Bajram RexhepiFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri gjerman i punëve të brendshme, Thomas de Maiziere, është i vetëdijshëm për fatin e rëndë historik të romëve, por ai iu referohet ligjeve aktuale: „Ata (romët) kanë pasur një fat të rëndë në historinë evropiane, sidomos në Gjermani, por kjo nuk do të thotë se ata mund të jetojnë pa leje të rregullt qëndrimi. Është pjesë e kulturës juridike evropiane që të jetosh aty, ku ke të drejtë juridike për të jetuar“, tha ai mbas nënshkrimit të marrëveshjes së riatdhesimit të mërkurën në Berlin. “E rëndësishme është që siç më tha edhe kolegu im, se sa u përket të drejtave të njeriut, romët nuk ndryshojnë nga shumica”, shtoi politikani demokristian.

Deputeti i “Të Gjelbërit” Jozef Winkler është i mendimit se kthimi i refugjatëve, të cilësdo përkatësie etnike, është i papërballueshëm për Kosovën. Ai thotë se Gjermania ka ushtruar presion ndaj Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes „Një vendi të fuqishëm ekonomikisht, siç është Gjermania, duhet t'i vijë turp që ushtron presion ndaj një vendi kaq të varfër, siç është Kosova dhe e detyron atë të pranojë këta njerëz,” - i tha Deutsche Welle-s deputeti gjerman.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica