1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kommentar

5 Janar 2012

Vetëm me një intervistë televizive nuk rivendoset kredibiliteti i humbur. Christian Wulff mbetet një President Federal me kusht.

https://p.dw.com/p/13ehv

Dorëheqja u evitua, po a u rivendos besueshmëria? Nëpërmjet intervistës së tij televizive Christian Wulff u përpoq t'i arrijë të dyja. E para mund të ketë sukses një herë për herë. E dyta është më e vështirë. Mbështetja për presidentin po zhduket. Edhe për këtë arsye Presidenti iu drejtua opinionit të gjerë në kohën më të mirë të transmetimit. Ai pranoi gabimet. Me qëndrimin e tij në çështjen e kredisë ai nuk i ka shërbyer postit që ka, telefonatat e tij kërcënuese me përfaqësuesit e shtypit ai i deklaroi të papajtueshme me detyrën. Në pika të tjera ai u tregua më pak kritik: Kështu kontaktet e ngushta me përfaqësuesit e biznesit dhe pushimet e tij me shpenzimet e tyre në kohën si kryeministër ai nuk i sheh si përfitim. Ai kishte nuk ka shkelur asnjë ligj. Wulff u paraqit me modesti dhe kërkoi që sjellja e tij të vlerësohet si njerëzore. Por në vetë çështjen, në dëshmitë dhe vlerësimet kishte pak gjëra të reja.

Paqartësi edhe pas intervistës

Edhe pas 20 minutash pyetje në televizion, vazhdon kërkimi i përgjigjeve të qarta: A e ka Christian Wulffi formatin për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të postit? Dhe ka ai të njëjtat pritje nga posti, si qytetarët, të cilët ai i përfaqëson, si njeriu i parë në shtet? Kjo është e dyshimtë. Sepse edhe ata, që janë për vazhdimin e detyrës së tij, me siguri kanë pritur më shumë autokritikë nga një njeri, i cili publikisht deklaron: "Kush do të bëjë pjesë në elitën e një vendi, duhet të jetë shembull dhe të mbajë përgjegjësi - pa diskutim."

Pa diskutim, pas paraqitjes publike të Wulff-it duhet pritur që ai të përmbushë përgjegjësinë e veçantë të postit më të lartë në shtet, edhe si instancë morale, edhe si shembull. Pallsti Bellevue - selia zyrtare e presidentit - nuk është vendi i duhur për një proces mësimi. Wulff ka thënë vetë se dëshiron të kalojë nëpër këtë proces. Posti më i lartë në shtet mbahet gjallë nga personi, që e mban atë - nga integriteti dhe besueshmëria e tij. Wulff duhet të vazhdojë të punojë në këtë drejtim. Paraqitja e tij në media është në rastin më të mirë një hap. Qytetarët në vend presin me të drejtë, që dikush, që publikon librin me titullin "Më mirë të vërtetën" duhet edhe ta shohë edhe ta jetojë çështjen kështu. Kush e prezanton vetën si një njeri familjar me integritet dhe qytetar duhet edhe të veprojë në këtë mënyrë. Askush nuk duhet ta dinte këtë më mirë se Christian Wulffi, i cili konsiderohet një profesionist në politikë.

Ute Schaeffer, kryeredaktore e DW
Ute Schaeffer, kryeredaktore e DWFotografi: DW

Pak gjë ka ndryshuar

Aq më i habitshëm është vargu i gabimeve të tij. A ka qenë ai i guximshëm, apo naiv, që e informoi publikun vetëm pak nga pak mbi praktikën e kredive tij private si bartës i një funksioni politik? Që ai kërcënoi gazetarët dhe u përpoq të pengonte raportimin duke e lënë mesazhin në sekretarinë telefonike?

Është pikërisht kështu, siç ka thënë Wulff-i vetë para disa muajsh: "Kush bën pjesë te elita dhe mban përgjegjësi nuk mund të ndahet nga të tjerët dhe të jetojë në një botë paralele". Ai edhe pas intervistës mbetet një president me kusht.

Autore: Ute Schaeffer

Redaktoi: Auron Dodi