1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

President pa miq! Tomislav Nikoliq bën betimin

11 Qershor 2012

Liderët e disa vendeve të rajonit kanë refuzuar pjesëmarrjen në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Serbisë Tomisllav Nikoliq të hënën. Presidenti i ri e merr detyrën nën rrebesh kritikash.

https://p.dw.com/p/15BwB
Tomislav Nikoliq
Tomislav NikoliqFotografi: picture-alliance/dpa

Hapat e parë të presidentit të ri Tomisllav Nikoliq kanë shkaktuar debate të shumta si brenda ashtu edhe jashtë Serbisë. Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë ka shkaktuar kritika të shumta. Bashkimi Europian e kritikon Nikoliqin për një "hap në drejtimin e gabuar". Kështu u shpeh të dielën, Nicolai Wannen, ministër për Europën i presidencës daneze në BE. Jo vetëm deklaratat për Srebrenicën, edhe deklarata e tij se Vukovari është qytet serb kanë tendosur raportet paksa të normalizuara kohët e fundit me vendet fqinje, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë. Këto deklarata kanë shkaktuar reagime negative edhe në shumë qarqe evropiane dhe botërore. Kjo ka bërë që edhe presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviq, krerët e Bosnjë-Hercegovinës dhe disa shteteve të tjera të refuzojnë pjesëmarrjen në ceremoninë e marrjes së detyrës të Tomisllav Nikoliqit.

Politikan apo president?

Disa komentatorë në Beograd thonë se një ndër gabimet serioze të Nikoliqit është edhe vizita e tij në Moskë, vetëm disa ditë pas fitores në zgjedhjet presidenciale. Kjo vizitë ishte jo zyrtare, por ishte vizita e parë në postin e presidentit, shpjegojnë ata.

Cvijetin Milivojeviq, drejtor i agjencisë Pragma, thotë se ende është herët të jepen vlerësime për presidentin e ri. Por "ka pasur disa hapa që nuk janë në harmoni me konceptin e diplomacisë së mirëfilltë". Nikoliqi ende nuk ka formuar deri në fund as kabinetin e tij. "Deklaratat e fundit të Nikoliqit i shoh më shumë se deklarata të një politikani, se sa presidentit të një vendi", thotë Milivojeviq.

Mbështetja e dialogut me Kosovën

Puna e deritanishme e Nikoliqit ishte negative, të paktën kur shikon deklaratat e para që kanë shkaktuar debate dhe pakënaqësi të shumta, thonë Boshko Jakshiq, komentator i gazetës "Politika". Nëse shikojmë politikën e brendshme, pozitive është paralajmërimi i tij se nga kryeministri dhe qeveria e re do të kërkojë vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Nikoliqi ka premtuar se edhe vetë do të angazhohet në këtë drejtim. "Mendoj se deklarat e tij për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut dhe paralajmërimi për angazhimin e tij personal e ngrenë këtë dialog në një nivel shumë më të lartë se deri tani, me shpresë se do të gjendet ndonjë zgjidhje", pohon Jakshiq.

Tomislav Nikoliq
Tomislav NikoliqFotografi: Reuters

Nikoliqi ende një nxënës në politikë?

Gabimet më të mëdha Nikoliqi i ka bërë deri tani në planin diplomatik. Kjo nënkupton se ai duhet të konsultohet shumë më shumë me këshilltarët e tij, para se të dalë me ndonjë mendim për çështjet diplomatike, shton Jakshiq. Edhe Cvijetin Milivojeviq mendon se Nikoliqi ende nuk ka mësuar në tërësi se çfarë do të thotë diplomacia. Ndonëse reagimet më të ashpra deri tani kanë ardhur nga vendet e rajonit, ai mendon se politika e Nikoliqit ndaj këtyre vendeve nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e Boris Tadiqit. "Politika e Tomisllav Nikoliqit (gjë që ka premtuar edhe gjatë fushatës) është njohja e integritetit territorial të vendeve të rajonit. E reja është që Nikoliqi ka insistuar që Krocia të zgjidhë problemin e të zhvendosurve dhe kjo ka nervozuar Zagrebin", mendon Milivojeviq. Sipas tij, Nikoliqi do të insistojë që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i ofron Kushteuta e Serbisë dhe që posti i tij të mos trajtohet si "mbretëresha britanike". Nëse partia e tij nuk futet në koalicionin e ardhshëm, mes presidentit dhe qeverisë do të ketë fërkime serioze.

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi