1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i Kosovës Sejdiu viziton Gjermaninë

5 Maj 2010

Te enjten dhe të premten presidenti i Kosovës zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në një shtet perëndimor. Agjenda është e ngjeshur dhe ambasadori Mirdita shpreson që takimet t'i zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale.

https://p.dw.com/p/NF9K
Presidenti i Kosovës, Fatmir SejdiuFotografi: picture-alliance/dpa

Në ambasadën e Kosovës në Berlin këto ditë vlon puna si kurrë më parë. Në zyrën e ambasadorit nuk pushojnë hyrje–daljet. Një intervistë me një gazetë, që duhet të shtyhet, një tjetër takim që anulohet, një deputet që kërkon të futet në listën e drekës, atmosfera i përngjan pak a shumë tensionit të një familjeje para dasmës së djalit të madh.

Por jo pa të drejtë: Sepse siç thotë Vilson Mirdita kjo është vizita e parë zyrtare e kryetarit të shtetit të Kosovës në një vend perëndimor. “Agjenda është e mbushur me personalitete të rëndësishme të shtetit gjerman duke filluar nga Presidenti Koehler, kryetari i Kuvendit, Lammert, kancelarja Merkel dhe ministri i Punëve të Jashtme”, shton ambasadori.

Në një drekë pune të organizuar nga Koerber Stiftung Sejdiu do të ketë rastin të takohet edhe me personalitete të tjera të politikës dhe diplomacisë gjermane. Mbas kësaj maratonë takimesh në mbrëmje kryetari i Kosovës do të mbajë një fjalim në selinë qendrore të Fondacionit Konrad-Adenauer, fondacion ky i afërt me partinë demokristiane (CDU) të kancelares Angela Merkel.

Botschafter der Republik Kosovo Dr. Vilson Mirdita
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, dr. Vilson Mirdita.Fotografi: DW

Delegacioni nga Kosova shoqërohet nga tre ministra, ai i punëve të jashtme Skënder Hyseni, ai i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, si dhe ai i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Ky i fundit do të ketë edhe një takim të veçantë me homologun e tij gjerman, Wolfgang Schäuble, ku sipas ambasadorit ai ndër të tjera do të lobojë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim. “Gjermania e ka ndihmuar aq shumë Kosovën, saqë ne shpresojmë që të kalojmë në një fazë tjetër, atë të partneritetit,” shton Mirdita.

Po ku bazohet ky partneritet? Përfaqësuesit e ekonomisë gjermane e kanë shprehur qartë dëshirën e tyre për t'u përfshirë në projektet e mëdha të privatizimit në Kosovë. “Unë shpresoj që dy ministrat, që shoqërojnë presidentin të kenë sjellë edhe oferta për afaristët gjermanë”, thotë Mirdita.

Një mundësi e mirë për të dyja palët për të shprehur drejtpërsëdrejti kërkesat dhe pretendimet ndaj njëri tjetrit është takim, që do të ketë delegacioni të enjten me entin e Ekonomisë Gjermane për Lindjen.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica