1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Gauck viziton Izraelin

28 Maj 2012

Joachim Gauck-u do t'i prekë zemrat e qytetarëve izraelitë. Për këtë janë të bindur në Gjermani. Tema e tij e preferuar: liri dhe të drejta njeriu do të bëjë jehonë pozitive atje.

https://p.dw.com/p/153FY
Presidenti Gjerman, Joachim Gauck
Presidenti Gjerman, Joachim GauckFotografi: dapd

Presidenti Federal Joachim Gauck është me origjinë nga RDGJ, e cila nuk kishte marrëdhënie zyrtare me shtetin e Izraelit. Qeveria e Berlinit Lindor, si "shtet antifashist" shprehimisht nuk e shihte veten si pasardhëse juridike të Rajhut të Tretë dhe me këtë vendim as nuk merrte përgjegjësi për barrën e historisë gjermane. Për Republikën Federale Gjermane, nga ana tjetër, solidariteti i domosdoshëm me Izraelin ishte pjesë e politikës së saj.

Solidaritet dhe interes kombëtar

Qe kancelari i parë gjerman, Konrad Adenauer ai që u përpoq për një raport të mirë me shtetin hebre, të themeluar më 1948. Në vitin 1953 ai nënshkroi me themeluesin e shtetit të Izraelit, David Ben Gurion marrëveshjen e dëmshpërblimeve. Në vitin 1965 u lidhën më në fund marrëdhëniet diplomatike midis të dyja vendeve. Sot Gjermania konsiderohet si njëra nga aleatet më të ngushta të shtetit hebre.

Benjamin Netanjahu dhe Angela Merkel në Jeruzalem, 2011
Benjamin Netanjahu dhe Angela Merkel në Jeruzalem, 2011Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja Angela Merkel madje e ka ngritur sigurinë e Izraelit në interes kombëtar të RFGJ. Por qytetarët gjermanë nuk e ndjekin më politikën në këtë rrugë. Izraeli po e humbet gjithnjë e më shumë prestigjin në publikun gjerman. Në një anketim të revistës "Stern", 59 përqind e të pyeturve e karakterizuan Izraelin si një vend agresiv, dhe këta ishin dhjetë përqind njerëz më shumë se 10 vjet më parë. Gati dy të tretat e gjermanëve janë të mendimit se Izraeli i ndjek interesat e tij pa marrë parasysh se çfarë mendojnë popuj të tjerë. Vetëm 36 përqind deklaruan se Izraeli u duket simpatik, gati dhjetë përqind më pak se tri vjet më parë. 13 përqind e të anketuarve madje janë të mendimit se Izraeli nuk ka të drejtë të ekzistojë.

Miqësi dhe distancë

"Midis Gjermanisë dhe Izraelit nuk ka miqësi", konstaton historiani i Mynihut, Michael Wolfssohn. Që prej vitit 1981, distanca midis dy vendeve është rritur. Kjo doli në pah në një diskutim që u bë në një konferencë në Berlin. Pas luftës gjashtëditore të vitit 1967, Izraeli ka gëzuar një emër jashtëzakonisht të mirë në Gjermani. Por ai pësoi një goditje pas Luftës-Yom-Kippur të vitit 1973. Një çarje e thellë në marrëdhëniet dypalëshe ndodhi në vitin 1981, kur për shkak të planeve gjermane për të furnizuar me armë Arabinë Saudite u ndez një debat i ashpër, midis kryeministrave të atëhershëm Menachem Begin dhe Helmut Schmidt. Sot Izraeli është për publikun gjerman një shtetet më të padashura në botë, mendon Wolffsohn. Para së gjithash tek të rinjtë gjermanë po rritet distanca kritike ndaj shtetit hebre. Ata e shohin veten gjithnjë e më pak me një përgjegjësi të rënduar nga faji historik ndaj Izraelit.

Interes dhe kritikë

Historiania gjermano-izraelite, Tamar Amar-Dahl i njeh këto nga përvoja e saj. Ajo jep mësim historinë izraelite në Freie Universität Berlin dhe nuk mund të qahet për mungesë studentësh në leksione. "Interesi i studentëve gjermanë për Izraelin është shumë i madh", thotë ajo në një intervistë me DW. "Izraeli ka për gjermanët diçka mrekulluese, gati misterioze, që është e vështirë të "dëshifrohet". Marrja me Izraelin, për studentët do të thotë konfrontim me historinë e përndjekjeve dhe vuajtjeve hebreje dhe në këtë kuadër edhe me të kaluarën e përbashkët hebreje-gjermane. Izraelin duan ta kuptojnë si një projekt të shtetit nacional, dalja mbanë e të cilit mund të zbusë fajin gjerman.

Por projekti sionist ka dështuar 70 vjet pas Shoah-s: shteti hebre nuk ofron siguri për banorët e tij hebrenj dhe jo hebrenj." Ky është përfundimi ku arrin historiania. Kjo pikëpamje ka gjetur gradualisht mbështetje edhe në Gjermani. "Në Gjermani po e kuptojnë gradualisht se është politika pa rrugëdalje e Izraelit, bashkëfajtore për këtë gjendje."

Nëndetësja gjermane e tipit Dolphin niset për në Izrael
Nëndetësja gjermane e tipit Dolphin niset për në IzraelFotografi: picture-alliance/dpa

Nëndetëse dhe prestigj

Megjithatë, marrëdhëniet gjermano-izraelite janë- gati 70 vjet pas fundit të luftës- të mira dhe të qendrueshme. Që prej vitit 2008 zhvillohen konsultime të rregullta qeveritare. Gjermania konsiderohet brenda BE si mbështetëse konstante e Izraelit. Edhe Gjermania gëzon prestigj në Izrael si furnizuese me armë. Vetëm pak javë më parë, marina izraelite mori në dorëzim nëndetësen e katërt të prodhimit gjerman të tipit Dolphin. Izraeli ka porositur gjithsej gjashtë nëndetëse në Gjermani, të cilat mund të pajisen me armë bërthamore. Dy nëndetëset e para Gjermania ia dhuroi Izraelit. Ndërtimin e nëndetëseve të tjera, Gjermania e subvencionoi me disa qindra mijëra euro.

Autor: Bettina Marx/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi