1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i ri i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg

Daphne Grathwohl/Angelina Verbica1 Nëntor 2012

Dean Spielmann është presidenti i ri i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai duhet të kujdeset për reforma dhe pranueshmëri. Sepse gjykata shihet me shumë vëmendje dhe pakënaqësi nga shtetet e dënuara.

https://p.dw.com/p/16YlI
Dean Spielmann, presidenti i ri
Dean Spielmann, presidenti i riFotografi: EGMR Straßburg

Dean Spielmann është i fokusuar në punë, jo në imazhin e tij në publik. Para marrjes së detyrës si president i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (EGMR), ai nuk jep intervista. E qartë është edhe biografia e luksemburgasit: 27 vjeç avokat në Luksemburg, menjëherë pas kësaj pedagog, në moshën 41 vjeçare gjyqtar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Edhe babai i tij, Alfons Spielmann, ishte në vitet 1980, gjyqtar në Strasburg. Dean Spielmann bëhet tani president i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi ka mbushur 50 vjeç.

Dy paraardhësit e tij, Jean-Paul Costa dhe Sir Nicolas Bratza, ishin 66 vjeç, kur morën detyrën, pra shumë më të moshuar. Nndoshta më me përvojë? Andreas Zimmermann është jurist për ligjin evropian në Universitetin e Potsdamit. Ai është emëruar nga qeveria gjermane si gjyqtar për momentin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kështu ai mund të punojë në rast nevoje në vend të gjyqtares gjermane Angelika Nussberger. Në lidhje me presidentin e ri Spielmann dhe kualifikimin e tij ai shprehet: "Ai ka qenë gjyqtar, por ka qenë edhe zëvendëspresident, dhe e njeh praktikën e gjykatës. Unë mendoj se ai do të luajë një rol të mirë, mund të sjellë pa dyshim një dinamikë të re."

Mosha nuk është gjithmonë vendimtare, fundja në gjykatë është vënë edhe një limit moshe, për shkak se disa gjyqtarë ishin shumë të vjetër, shpjegon me kujdes Zimmermann, por duke picërruar sytë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Gjykata Evropiane e të Drejtave të NjeriutFotografi: ECHR

Rastet e disa vendeve krijojnë bllokadë

Dinamikë në një gjykatë, që përmbytet çdo vit nga dhjetëra mijëra ankesa. Vetëm në vitin 2011 ka pasur gati 65.000 ankesa. Çdo qytetar i shteteve të këshillit të Evropës mund të ankohet në Strasburg, nëse ai beson se janë shkelur të drejtat e tij të siguruara nga Konventa për të Drejtat e Njeriut (EMRK) nga një masë e shtetit. Të 47 gjyqtarët, një nga çdo shtet i këshillit të Evropës, nuk janë në gjendje të përpunojnë ankesat prej vitesh të tëra. Rreth 140.000 raste kanë qenë në pritje në gjykatë në shtator 2012.

Për këtë bllokim janë përgjegjës gjithmonë të njëjtat shtete: Rusia, Turqia, Italia dhe Rumania. Pra janë bërë të nevojshme reforma: Më e rëndësishmja ishte hyrja në fuqi e protokollit të 14 të EMRK-së. Tani gjykatësit mund të refuzojnë shpejt ankesat e papranueshme, nëse ankuesit nuk i është krijuar një dëm i madh.

Reformat akoma të pamjaftueshme

Prof. Andreas Zimmermann nga Universiteti i Potsdamit
Prof. Andreas Zimmermann nga Universiteti i PotsdamitFotografi: Universität Potsdam

Protokolli i 14-të shtesë është një hap pozitiv, thotë juristi i së drejtës evropiane Andreas Zimmermann, por për shkak të numrit të madh të ankesave dhe padive ai nuk është ende i mjaftueshëm. Ai tregon për propozime të tjera, të diskutuara tashmë: Një procedurë filtruese për pranim, ose një tarifë për rastet pa rrugëdalje për shembull. Fjala është edhe për më shumë personel dhe mjete financiare.

Benjamin Ward është zëvendësdrejtor i sektorit të Evropës dhe Azisë Qendrore të Human Rights Watch. Krahas dendësisë së rasteve ai sheh edhe një sfidë tjetër për Spielmann: "Disa shtete me rëndësi në Këshillin e Europës besojnë se gjykata është bërë shumë e fuqishme dhe duhet të frenohet. Qeveritë mund të përpiqen që të vështirësojnë punën e gjykatës, t'ua vështirësojnë rrugën drejt gjykatës njerëzve, që u janë shkelur të drejtat e njeriut."

Ndikim aktiv i politikës?

Për qeverinë britanike ndikimi i gjykatës është shumë i madh, shpjegon Ward: "Nën presidencën e fundit ajo është përpjekur që t'i kufizojë përsëri kompetencat e gjykatës." Por edhe shtete të tjera me ligjin evropian, si Rusia, apo Turqia janë ndjerë shpesh të keqtrajtuara nga gjykimet, thotë eksperti për të drejtat e njeriut.

Andreas Zimmermann e vlerëson jo aq negativisht shkallën e pranueshmërisë së gjykatës nga shtetet anëtare. Megjithatë shtetet anëtare duhet të vazhdojnë të përshtasin ligjet e tyre kombëtare me konventën për të drejtat e njeriut, mendon ai. Në Gjermani, për shembull, tani mund të ngresh padi për zëvendësimin e dëmit për shkak të kohëzgjatjes së procedurës, prandaj nuk është nevoja të shkosh në Strasburg për këtë. Sikur të gjitha shtetet do të vepronin në këtë mënyrë, mund të eleminohen problemet strukturore, thotë Zimmermann.

Benjamin Ward nga Human Rights Watch
Benjamin Ward nga Human Rights WatchFotografi: Human Rights Watch

Nganjëherë instanca e vetme

Gjithsesi Strasburgu nuk duhet të bëhet kryesisht një gjykatë për ankesat kundër Rusisë, apo Turqisë, thotë Benjamin Ward i Human Rights Watch. Vetëm nëse të gjitha shtetet e Këshillit do të përgjigjen njëlloj para gjykatave për politikën e tyre për të drejtat njeriut, gjykata në Strasburg do të punonte në mënyrë efikase: "Shtetet anëtare duhet të demonstrojnë të gjitha vullnetin e tyre politik dhe pranojnë se gjykata është një mjet tepër i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Europë dhe në shumë shtete instanca e vetme, së cilës mund t'i drejtohesh." Këtë vullnet politik të shteteve anëtare duhet ta inkurajojë presidenti i ri Dean Spielmann - me me punë bindëse.