1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Janukoviç në kërkim me akuzën për "vrasje në masë"

dpa/Eliana Xhani24 Shkurt 2014

Udhëheqja e re ukrainase e ka shpallur person në kërkim presidentin e rrëzuar Viktor Janukoviç, i cili akuzohet për "vrajse në masë". Këtë e bëri të ditur me një njoftim në Facebook ministri i Brendshëm Arsen Avakov.

https://p.dw.com/p/1BELo
Fotografi: Reuters

Kundër Presidentit të rrëzuar Viktor Janukoviç do të hetohet për "vrasje në masë". Edhe për pjesëtarë të tjerë të udhëheqjes së deritanishme shtetërore janë shpallur urdhër-arreste, bëri të ditur ministri i ri i Brendshëm i qeverisë kalimtare Arsen Avakov, në faqen e tij Facebook të hënën (24.2.). Avakov është një nga njerëzit e besuar të ish kryeministres dhe udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko, e cila u lirua nga burgu gjatë përmbysjes së regjimit të Janukoviçit në fundjavë.

Sipas informacioneve të Avakov, Janukoviç ndodhet në gadishullin e Krimesë në Detin e Zi. Së fundi ai ishte parë në qytetin Donezk prej nga të shtunën (22.2.) ishte përpjekur të largohej nga vendi me avion në shoqërinë e truprojeve të armatosura. Sipas të dhënave nga opozita ukrainase forcat e ruajtjes së kufirit e kanë penguar.

Në përleshjet e përgjakshme mes forcave të sigurisë dhe kundërshtarëve të qeverisë javën e kaluar në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase humbën jetën dhjetëra vetë. Në sheshin e pavarësisë në Kiev sipas njoftimeve shumë demonstrues duket se janë vrarë nga snajperë me plumba në kokë dhe gjoks.

Ukraine Viktor Janukowitsch Porträt ARCHIV
Viktor JanukoviçFotografi: picture-alliance/dpa

Shteti para falimentimit financiar

Pas kthesës politike në Ukrainë, vendi sipas të dhënave të qeverisë kalimtare ka nevojë për mbështetje financiare prej deri 35 miliardë dollarë (25,5 milionë euro). Këto mjete financiare nevojiten për vitin në vazhdim dhe vitin e ardhshëm, deklaroi ministri i Financave Juri Kolobov të hënën (24.2.). Ai i bëri thirrje Perëndimit të organizojë brenda dy javëve të ardhshme një konferencë donatorësh për të hartuar një plan ndihme.

Presidenti i përkohshëm Alexander Turçinov më parë kishte paralajmëruar se pas rrëzimit të Presidentit Viktor Janukoviç vendi gjendet para falimentimit shtetëror. SHBA dhe FMN kanë shprehur gatishmëri për mbështetje për Ukrainën. Nga Bashkimi Evropian vijnë gjithashtu zëra për ndihme. Perëndimi është megjithatë në masë të madhe i një mendje që ndihmat duhet të lidhen me kushte.

Ukraine Julia Timoschenko Rede Maidan 22. Feb. 2014
Julia TimoshenkoFotografi: Reuters

BE e gatshme për ndihmë por me kushte

Kryetari i grupit socialist në Parlamentin Evropian Hannes Swoboda tha për Deutschlandradio Kultur se ndër këto kushte bëjnë pjesë lufta për zhdukjen e korrupsionit dhe shkatërrimi i strukturave të oligarkisë.

Swoboda u shpreh me rezerva ndaj politikanes opozitare Julia Timoshenko duke iu referuar të kaluarës së saj dhe kohës si kryeministre e Ukrainës. "Ne mund të mbështesim vetëm njerëz të cilët janë për një ekonomi tregu të hapur dhe transparente", tha eurodeputeti. Timoshenko akuzohet për pasurim të paligjshëm.

Lidhur me ndihmat financiare Swoboda u shpreh për bisedime tripalëshe mes Ukrainës, BE-së dhe Rusisë. "Ne nuk i kemi paratë që ka ofruar Rusia", tha ai. Ndihma ruse nuk duhet refuzuar dhe ndihmë duhet të japë edhe FMN. Por ndihma duhet të shoqërohet me respektin për vendimet e popullit ukrainas.

Europarlamentari tha se marrëveshja e Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës mund të nxirret në çdo kohë nga "sirtari". Por tani duhet para së gjithash të respektohet vullneti i popullit. "Ukrainasit e kanë vetë në dorë të vendosin rrugën që do të ndjekin", tha Swoboda. BE dhe Rusia duhet ta respektojnë këtë.