1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140211 US-Etat 2012

15 Shkurt 2011

Presidenti i SHBA, Barak Obama prezantoi të hënën (14.2.) planin e shpenzimeve të qeverisë së tij për vitet e ardhshme. Për shkak të deficitit buxhetor prej 1,3 bilionë dollarë, plani parashikon shkurtime të mëdha.

https://p.dw.com/p/10H9r
Presidenti i SHBA, Barack Obama
Presidenti i SHBA, Barack ObamaFotografi: AP

3,7 bilionë dollarë do të kushtojë, buxheti i SHBA i vitit 2012 dhe do të plotësojë dy detyra: nga njëra anë ai do të reduktojë deficitin buxhetor, nga ana tjetër ai synon t'i bëjë SHBA sërish të afta për konkurencë. Prandaj projektbuxheti parashikon shkurtime të gjithanshme dhe ngrirjen e shpenzimeve, por edhe investime në sektorët e arsimit, shkencës dhe infrastrukturës.

Në një fjalim të shkurtër në një shkollë në Baltimore, në shtetin federal Maryland, presidenti i SHBA, Barak Obama deklaroi:

"Kur bëra betimin premtova që do ta reduktoj në gjysmën e tij deficitin buxhetor në fund të mandatit tim të parë. Me buxhetin që propozoj sot (14.2.) unë e mbaj këtë premtim. Në vitin 2050 ne do të jemi në gjendje t'i financojmë shpenzimet me të ardhurat."

Pritet rezistencë ndaj kursimeve

Projektbuxheti duhet të miratohet nga kongresi dhe Obama është i ndërgjegjshëm se me propozimet e tij do të ndeshë në rezistencë edhe në partinë e tij. Sepse plani i tij financiar parashikon shkurtime prej 1,1 bilionë dollarë në dhjetë vitet e ardhshme.

"Ndalimi i shpenzimeve do të thotë se ne duhet të marrim vendime të vështira dhe të ndërmarrim shkurtime në gjëra, që janë shumë të rëndësishme për mua. Për shembull në programet e aksionit për komunat në lagje me të ardhura të ulëta."

Ndihma për ngrohje për nevojtarët përgjysmohet, buxheti për projektet e infrastrukturës si pajisje për filtrimin e ujit shkurtohet me 1 miliardë dollarë dhe programet e arsimit gjithashtu reduktohen. Por edhe sektorë të tjerë duhet të vuajnë: buxheti i mbrojtjes në pesë vitet e ardhshme do të reduktohet me 78 miliardë euro, gjysma e të gjitha ministrive duhet t'ia dalë mbanë me më pak para.

Investime për të ruajtur aftësinë për konkurencë

Njëkohësisht, presidenti paralajmëroi që të mos vihet në diskutim për shkak të kursimeve aftësia për konkurencë e SHBA:

"Në një kohë që ne shkurtojmë gjëra, për të cilat nuk kemi nevojë me të vërtetë, duhet të investojmë në sektorë, të cilat kanë ndikimin më të madh në të ardhmen tonë. Dhe kjo vlen veçanërisht për arsimin."

Prandaj do të përgatiten 10 000 mësues të rinj në sektorët e matematikës dhe të inxhinjerisë. 100.000 të tjerë do të kualifikohen në këto drejtime.

Buxheti iu dorëzua të hënën në mëngjes Kongresit, ku Dhoma e Përfaqësuesve është përgjegjëse për vendimet e buxhetit. Atje shumicën e kanë republikanët dhe ata kanë sinjalizuar që tani se nuk janë të kënaqur me projektbuxhetin e presidentit.


Autor: Kristina Bergmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica