1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Preteni: Korrupsioni në Kosovë po hetohet, por nuk po luftohet

31 Tetor 2011

Agjencia Kosovare Antikorrupsion po mbledh informacione për përfshirje në korrupsion të zyrtarëve të lartë institucioneve të Kosovës, thotë në intervistë për Deutsche Welle-n, drejtori kësaj agjencie Hasan Preteni.

https://p.dw.com/p/132Tl
Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare të AntikorrupsionitFotografi: DW

DW: Zoti Preteni në raportin e fundit të Progresit për Kosovën, si shqetësim i veçantë përmendet korrupsioni shumë i lartë në Kosovë. Çfarë ka bërë agjencia juaj në luftën kundër korrupsionit?

Preteni: Raporti i progresit për Kosovën ishte real. Ai vetëm teknikisht po shkruhet në Bruksel, ndërsa, përmbajtja e tij realisht po shkruhet këtu dhe ne të gjithë jemi aktor të përpilimit të këtij raporti. Për agjencinë nuk ka vërejtje në raport, por kjo nuk na bënë të lumtur sepse për korrupsionin në Kosovë ka shumë vërejtje. Ka një progres në angazhimet në parandalimin e korrupsionit, ka një progres në angazhimin e mekanizmave antikorrupsion me prokurorinë e shtetit, por nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit. Ne e kemi theksuar edhe në raportet tona se gjykatat nuk janë duke i trajtuar në nivelin e duhur rastet për korrupsion. Marr një shembull gjatë vitit 2010, gjykatat ka shqiptuar vetëm gashtë dënime me burg, për vepra që kanë të bëjnë me korrupsion. Nëse krahasojmë me 530 aktakuza, që kanë bërë prokuroritë del që korrupsioni në Kosovë po hetohet, por nuk po luftohet.

DW: Ju thatë se gjatë vitit 2010 janë shqiptuar vetëm gjashtë dënime, janë të prekurit zyrtarë të profilit të lartë?

Preteni: Asnjëri prej tyre nuk është zyrtarë i nivelit të lartë.

DW: Zoti Preteni sa raste ka hetuar agjencia juaj deri tash?

Preteni: Më 31 dhjetor të vitit të shkuar kemi raportuar, se kemi ushtruar më shumë se 200 kallëzime penale dhe në këto kallëzime penale janë më shumë se 600 emra të personave në përfshirje në veprime të mundshme korruptive dhe në mesin e këtyre ka nivele të ndryshme të zyrtarëve të institucioneve të vendit duke filluar prej kryetar komunash, gjyqtarë, prokurorë drejtor të ndërmarrjeve publike dhe ministra.

DW: Zoti Preteni nga kjo që thoni ju, nuk jeni të kënaqur me punën e gjykatave: gjithë këto kallëzime dhe pothuaj asnjë dënim?

Preteni: Definitivisht gjyqësori nuk mund të ankohet për kushte. Janë pavarësuar në aspektin financiar, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rritur 300 %, pastaj edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është në rritje e sipër dhe mendoj se janë krijuar të gjitha kushtet që ata të rezultojnë më pozitivisht.

DW: Zoti Preteni, në bazë të analizave tuaja, në thelb ku qëndron problemi i mosangazhimit të gjykatave, megjithë këto kallëzime penale për të cilat flisni. Ka ndërhyrje politike në gjykata?

Preteni: Ne si agjenci nuk kemi ndërhyrje politike. Të gjitha kërkesat tona si nga qeveria si nga kuvendi janë plotësuar, ndërsa, sa i përket gjykatave, ata duhet të flasin a kanë pengesa apo jo. Unë mendoj se një nga arësyet se pse nuk ka rezultate është se rezultatet nuk po kërkohen nga gjykatat, të cilat duhet të jenë edhe më transparente. Qytetarët kanë nevojë të dinë se gjyqësori po punon, nëse dëshirohet që qytetarët të ndërrojnë mendim. Janë 68.7% të qytetarëve të vendit nuk i besojnë sistemit të drejtësisë. Ky është një rrezik shumë i madh sepse korrupsioni ndikon në të gjitha poret e jetës.

DW: Zoti Preteni a heton agjencia juaj edhe personelin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, apo vetëm qytetarët e Kosovës?

Preteni: Ne kemi detyrë të bashkëpunojmë edhe me autoritet ndërkombëtare dhe ne me xhelozi tentojmë ta ruajmë paranë publike. Nëse kemi informacione për përfshirje të ndërkombëtareve në korrupsion, ne informacionet i përcjellim tek mekanizmat ndërkombëtar me të cilat kemi marrëdhënie të mira bashkëpunimi.

DW: Keni pasur ndonjë rast konkret të përfshirjes së ndërkombëtareve në korrupsion?

Preteni: Jo në këtë fazë, mirëpo gjatë kohës së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u po. Ato raste i kemi përcjellur tek autoritetet e UNMIK-ut.

DW: Zoti Preteni a keni ndonjë rast që po hetoni nga profili i lartë politik?

Preteni: Unë e thashë se në mesin e 600 emrave ka pasur dhe në mesin e 60 apo 70 emrave që po hetohen sivjet ka emra të profilit të lartë që lidhen me institucionet e larta të vendit.

Intervistoi Bekim Shehu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora