1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika për mangësi në lirinë e shtypit

Arne Lichtenberg / Eliana Xhani4 Nëntor 2012

Gjatë vizitës në Turqi ministrja gjermane e Drejtësisë kritikoi mungesën e lirisë së shtypit duke ngjallur kështu pakënaqësi tek pala turke. Njëkohësisht entuziasmi i turqve për anëtarësimin në BE është në rënie.

https://p.dw.com/p/16cNp
Ministrja Sabine Leutheusser-Schnarrenberger gjatë vizitës në Turqi
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në udhëtimin e saj në Turqi ministrja gjermane e Drejtësisë kishte marrë bagazh të rëndë me vete: 50 kopje të kushtetutës gjermane në gjuhë turke. Ato politikania liberale do t'i shpërndante sa herë të kishte mundësi. Por ministrja e Drejtësisë nuk shkoi në Turqi për të bërë dhurata. “Aty ku zhvillohen procese në masë kundër avokatëve dhe gazetarëve e kam ngritur këtë problem”, tha ministrja në intervistë me stacionin radiofonik Deutschlandradio Kultur. Por kur mes dy vendeve ka marrëdhënie të mira si mes Gjermanisë dhe Turqisë është e udhës të flasësh hapur, theksoi Leutheusser-Schnarrenberger në mënyrë diplomatike.

Ministrja gjermane e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger
Ministrja gjermane e Drejtësisë Sabine Leutheusser-SchnarrenbergerFotografi: dapd

Kur ministrja përmendi në një takim me homologun turk, Sadullah Ergin, gazetarët e burgosur dhe kritikoi kufizimin e lirisë së shprehjes, Ergin e kundërshtoi kritikën. Shumë prej të burgosurve nuk janë gazetarë por vjedhës, vendosës bombash dhe grabitës bankash, u shpreh ministri turk. Menjëherë pas kësaj atmosfera mes dy ministrave të drejtësisë u pezmatua shumë. Ndërhyrjen në punët e brendshme nuk e shohin me sy të mirë as turqit.

Zbatimi në Turqi ecën ngadalë

Leutheusser-Schnarrenberger i referohet raportit të fundit të progresit të BE-së, i cili konstaton një numër në rritje të ndërhyrjeve në lirinë e shtypit. „Liria e shtypit është një nga problemet më të mëdha që ka aktualisht Turqia. Mbi 80 gazetarë janë aktualisht të burgosur në Turqi“, konfirmon për Deutsche Wellen edhe Gülay Kizilocak, zëvendësdrejtore e fondacionit Qendra për Studime Turke.

Në foto: Gülay Kizilocak
Në foto: Gülay KizilocakFotografi: Imago/H. Galuschka

„Në Turqi ka pasur shumë reforma ligjore por ka ende probleme“. Zbatimi ka qenë gjithnjë proces i ngadaltë në Turqi, thotë Kizilocak.

Në përgjithësi ministrja Leutheusser-Schnarrenberger pranoi se turqit kanë „hov të madh reformash“. Para së gjithash përmirësime ka pasur me vendosjen e së drejtës për ankimime individuale para Gjykatës Kushtetuese. „Këtu unë shoh një shans për ata të cilët shohin të cënuara të drejtat e tyre, pikërish në lirinë e shtypit apo mendimit“, u shpreh ministrja në intervistë me Deutschlandradio.

Ekonomia turke interesante për investitorët gjermanë

Ndërkohë që në plan politik marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë aktualisht nuk janë më të mirat, marrëdhëniet ekonomine janë më të mira se kurrë, shpjegon Gülay Kizilocak. „Çdo investues gjerman dëshëron të bëjë diçka në Turqi. Fuqia blerëse këtu është shumë e fortë në krahasim me shumë vende evropiane.“

Diskutime shkakton vazhdimish anëtarësimi i mundshëm i Turqisë në BE. Vërtet Gjermania nuk nxjerr pengesa për këtë, por as nuk e mbështet në mënyrë aktive procesin: “Gjermania e shoqëron këtë proces por nuk ka krahasim me mbështetjen që ka pasur në kohën e qeverisë së Gerhard Schröderit dhe ministrit të Jashtëm Joschka Fischer”, thotë Kizilocak në intervistë me Deutsche Wellen.

Erdogan insiston për anëtarësimin në BE

Konferencë e përbashkët për shtyp Merkel - Erdogan
Konferencë e përbashkët për shtyp Merkel - ErdoganFotografi: Getty Images

Të martën në mbrëmje (30.10.2012) kryeministri turk Recep Taip Erdogan vendosi një afat gjatë vizitës në Berlin: më e vonëta deri në 2023 Turqia duhet të anëtarësohet në BE, ndryshe „BE do të humbasë, të paktën do të humbasë Turqinë“, tha kryeministri turk.

Në përgjithësi euforia për BE-në ka rënë shumë në Turqi, thotë Kizilocak. „Më parë rreth 80 për qind e popullsisë e përkrahnin anëtarësimin, tani nuk janë as 30 për qind.“ Qeveria turke ka vërtet si objektiv anëtarësimin deri në 2023, por ndërkohë merren parasysh edhe skenarë të tjerë, edhe pse jo hapur, dhe vështrimi nuk kthehet më vetëm në drejtim të Evropës.

Ndërmjetësues i fortë në Lindjen e Afërt

Pranvera arabe e ka ndryshuar plotësisht politikën e jashtme turke, shpjegon Kizilocak. „Turqia kërkon të luajë në plan rajonal në Lindjen e Afërt një rol të veçantë, qoftë si ndërmjetësuese qoftë si dikush që ka diçka për të thënë në rajon.“ Erdogani ndoshta mendon për një lloj pakti arab si një model kundër anëtarësimit në BE, dyshon Kizilocak.

Edhe pse vizita e ministres gjermane të Drejtësisë në Turqi shkaktoi një ftohje të atmosferës ajo nuk e kundërshton rëndësinë turqve për Evropën: Turqia është një partnere e rëndësishme në NATO dhe ka marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe Evropën, tha ministrja. 100.000 refugjatët nga Siria që ka pranuar deri tani Turqia paraqesin përpjekje të mëdha për turqit.