1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhet miratimi i themelimit të FAK në Kosovë

Bekim Shehu5 Maj 2014

Forcat politike në Kosovë nuk kanë arritur kompromis për ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat.

https://p.dw.com/p/1BtzE
Fotografi: dapd

Në Kuvendin e Kosovës është shtyrë për ditën e martë ( 06.04) votimi dhe miratimi i amandamenteve në Kushtetutën e Kosovës që do të mundësonte formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ky votim do t'i hapte rrugë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe caktimit të datës për zgjedhje të parakohshme. Shkak për këtë shtyrje të votimit është bërë mungesa e një kompromisi politik për kërkesën e pakicave kombëtare që me ndryshimet kushtetuese të përfshihet edhe kërkesa e tyre për vazhdimin edhe për një mandat të vendeve të rezervuara. Deputetët e pakicave po e kushtëzojnë votimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës për faktin që miratimi i ndryshimeve kushtetuese është i pamundur pa dy të tretat e shumicës së deputetëve nga radhët e bashkësive pakicë.

Lidhja Demokratike Kosovës LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë dy subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të cilat në mënyrë kategorike po e kundërshtojnë kërkesën që pakicave t'u mundësohen vendet e rezervuara edhe për një mandat. Pa votat e këtyre dy subjekteve politike nuk mund të arrihen dy të tretat e votave të deputetëve të parlamentit që do të mundësonin ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, gjatë ditës së hënë pritet të vazhdojnë bisedimet ndërmjet partive politike, si dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë të cilët janë të përfshirë në këto bisedime. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë ka theksuar se “institucionet nuk do të shpërndahen pa vendimin e Kuvendit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.