1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë dialogun në Bruksel

Bekim Shehu
19 Mars 2018

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit për tri ditë radhazi në Bruksel do të diskutojnë për zbatimin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/2uZt2
Flagge Kosovo und EU
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit takohen sot në Bruksel për të vazhduar dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bisedimet do të zgjasin deri më datën 21 mars. Tema të diskutimit siç bëhet e ditur nga të dy delegacionet, janë marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, çështja e energjetikës, ura kryesore mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, liria e lëvizjes dhe integrimi i menaxhimit të kalimeve kufitar. Për të gjitha këto çështje ka marrëveshje të nënshkruara kohë më parë, por që në praktikë disa nuk zbatohen fare e disa nuk zbatohen kënaqshëm. Takimi i fundit i dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u mbajt në muajin shkurt, pas më shumë se një viti ndërprerje.

Themelimi i komunave mbi bazën e kushtetutës së Kosovës

Beogradi zyrtar ndër marrëveshjet më të rëndësishme me Kosovën dhe që e kërkon me këmbëngulje , vlerëson krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, komuna, të cilat do të kenë më shumë autonomi brenda Kosovës. Prishtina zyrtare nga ana e saj thotë se Kosova do ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, por, vetëm në bazë të kushtetutës së Kosovës. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, ka thënë se Prishtina zyrtare nuk është e interesuar ta themelojë asociacionin, pavarësisht zotimit që e ka dhënë në marrëveshjen Kosovë-Serbi në prill të vitit 2013 ku parashihet normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve. "Jam pothuajse i bindur se nuk ka asgjë nga ajo punë. Nëse ata do të dëshironin ta themelonin asociacionin e komunave me shumicë serbe, ata do ta bënin atë në pesë vitet e fundit, por nuk kanë lëvizur as gishtin. Unë jam i bindur se nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë dhe për këtë ata kanë pasur pëlqimin e heshtur të një pjese të mirë të bashkësisë ndërkombëtare", tha Aleksandër Vuçiq dy ditë më parë në një fjalim drejtuar qytetarëve të Serbisë.

Avni Arifi
Fotografi: DW

BE kërkon angazhim konstruktiv në bisedime

Por kreu i delegacionit kosovar në bisedimet teknike me Serbinë, Avni Arifi, para nisjes për në Bruksel, u shpreh se Prishtina do ta themelojë asociacionin në bazë të kushtetutës së Kosovës.

"Qëndrimi i Prishtinës për asociacionin është i qartë, Asociacioni duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç'rast do të bëhet një draft i ri për këtë marrëveshje”, thotë Avni Arifi. Zyrtarë të Bashkimit Evropian që janë ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, kanë thënë se BE-ja pret nga të dyja palët, që në mënyrë konstruktive të angazhohen në bisedime dhe të kenë qasje të orientuar nga rezultati”. "Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut është obligim që të dy palët kanë ndërmarrë në raport me Bashkimin Evropian në mënyrë që të përcaktohet shpejtësia e progresit në rrugën evropiane”, ka deklaruar zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijanciq pas takimit të fundit të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në muajin shkurt.