1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seminari i 93-të i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Bekim Shehu
23 Tetor 2016

Seminari Asamblesë Parlamentare të NATO-s zhvillon punimet për herë të parë në Prishtinë. Në të po diskutohet e ardhmja e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe roli i NATO-s në rajon.

https://p.dw.com/p/2RZss
Nato Logo
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Naupold

Përfaqësues nga 21 shtete anëtare të NATO-s dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe atyre të Kosovës, po marrin pjesë në Seminarin e  93-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillon punimet në Prishtinë.

Nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Ali, vlerësoi në fjalën e tij diskutimet në seminare të tilla si instrumente të rëndësishme për të ndihmuar partnerët e NATO-s në tranzicionin demokratik. Një ndër partnerët e NATO-s është edhe Kosova dhe seminarin që po zhvillon punimet për herë të parë në Prishtinë, Paolo Ali e cilësoi si historik.

"E ardhmja e rajonit është pjesë e integrimit euroatlantik. Unë jam i inkurajuar me zhvillimet pozitive në Prishtinë si dhe me dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë sinqerisht shpresoj që ky seminar do ta luaj rolin e tij në ndërtimin dhe fuqizimin e arritjeve pozitive për të krijuar një klimë politike pozitive. Asambleja Parlamentare të NATO-s ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një vend për dialog të sinqertë dhe të hapur për sfida të ndyshme. Ballkani perëndimor, është një rajon me shumë sfida, prej të cilave ka sfida që mbeten”, tha Paolo Ali. 

Kosovo Pristina Nato
Fotografi: Kosovo assembly

Përfaqësues të qeverisë së Serbisë refuzojnë pjesëmarrjen

Në seminarin e Asmblesë Parlamentare të NATO-s, ishin të ftuar edhe përfaqësues të qeverisë së Serbisë, por ata refuzuan pjesëmarrjen për faktin që në ftesat e tyre dëshironin të shkruhej, "Kosovo i Metohija”, gjë që është kundërshtuar nga kuvendi i Kosovës  që është edhe nikoqir i këtij takimi. Paolo Ali tha se është për keqardhje mospjesëmarrja e përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë ku do të diskutohej për cështje të ndryshme të rajonit përfshirë edhe ato të sigurisë dhe terrorizmit.

Integrimi i Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian është një proces i gjatë me shumë sfida dhe ndër me thelbësoret është sundimi i ligjit. Kështu tha ne fjalën e saj, shefja e re e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila marrëveshjen e stabilizim asocimit (MSA) të arritur ndërmjet Kosovës dhe BE-së, e ka cilësuar si një arritje të madhe.

Kosova në rrugën e integrimit evropian

"Bashkimi Evropian mbetet fuqishëm i përkushtuar që t'i shtyjë përpara reformat e Kosovës dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë politike dhe financiare për Kosovën, sidomos për forcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, për ndërtimin e një administrate publike transparente, për mbështetjen e zhvillimit të saj ekonomik”, tha Natalya Apostolova.

Mirëpo, Kosova në rrugën e integrimit evropian ka ngecur në cështjen e liberalizimit të vizave. Janë 93 kritere që Kosova ka përmbushur, por janë edhe dy kritere ndër me kryesoret që nuk po arrinë të përmbushë. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi  dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas, Apostolova, Kosova duhet ta ndihmojë vetveten me ndryshim të imazhit.

Kulturë e fuqishme e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore

Nikoqiri i seminarit të Asamblesë Parlamentare të NATO-os, kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij tha se siguria në rajon nuk kërcënohet vetëm nga mbetjet e së kaluarës, por edhe nga kërcënimet globale. Ai përmendi  terrorizmin ndërkombëtar. Kosova ka kohë që është rreshtuar përkrah aleancës botërore kundër terrorizmit të kryesuar nga SHBA-së. Sipas Veselit, Kosova nuk do të jetë burim i rekrutimit për terroristët, ndonëse, ai nuk përmendi faktin që mbi 300 qytetar të Kosovës ju kanë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në lindjen e mesme.

"Ne trashëgojmë një kulturë të fuqishme të tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore. Religjionet për ne janë burim solidariteti dhe humanizmi dhe asnjëherë instrumente të dhunës apo nxitjes të urrejtjes. Do të vazhdojmë të jemi edhe më të vendosur në promovimin e vlerave tona dhe luftimin e tendencave të kundërta me to. Por, lufta kundër terrorizmit nuk kërkon vetëm efikasitet të institucioneve të sigurisë. Ajo është edhe një luftë vlerash”, tha kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të zhvillojë punimet në Prishtinë deri më 24 tetor. Gjatë kësaj kohe, do të diskutohet për tema të ndryshme, si janë zhvillimet politike, ato të sigurisë, ndërsa fokusi do të jetë reagimi i Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që mund të vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të emigrantëve për në vendet e Evropës.