1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimi për Haradinajn - Prishtina: "i drejtë" dhe Beogradi "i turpshëm"

Bekim Shehu29 Nëntor 2012

Në Kosovë u përshëndet me fishekzjarre vendimi i Tribunalit të Hagës, që liroi nga të gjitha akuzat, ish-kryeministrin Haradinaj. Në Serbi u reagua, se ky vendim "mund ta dëmtojë dialogun".

https://p.dw.com/p/16sVq
Fotografi: Reuters

Të akuzuarit për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj u shpallën të enjten (29.11.2012) të pafajshëm. Në Kosovë shpallja e vendimit nga Haga u ndoq përmes një ekrani të hapur nga qindra qytetarë në qendër të Prishtinës. Pasi kryetari i trupit gjykues, Bakone Justice Moloto deklaroi se tre të akuzuarit janë të lirë, kryeqyteti i Kosovës u përfshi nga fishekzjarrët. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në reagimin e saj, e vlerëson vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt: "Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës për zotëri Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur”, thotë presidentja Jahjaga. Sipas saj, qytetarët e Kosovës dhe institucionet e tyre kanë dëshmuar bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës, duke u bërë shembull për tërë rajonin dhe duke dëshmuar gatishmërinë e Kosovës si shtet dhe shoqëri që t'i përmbushë detyrimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

Në të njejtën linjë shprehet në reagimin e tij edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai thotë se vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime, për të cilat është akuzuar padrejtësisht. "Ky proces i stërzgjatur i Tribunalit të Hagës kundër z. Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, ka qenë shumë i dhimbshëm për t'u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin e tyre. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar", thotë në reagimin e tij, kryeministri Hashim Thaçi.

Reagime nga Beogradi: Lirimi i Haradinajt "mund ta dëmtojë dialogun"

Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës në rastin Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Brahibaj e Balaj, nga presidenca dhe qeveria e Serbisë u cilësua "vendim i turpshëm", transpemtojnë mediat lokale serbe. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç tha: "Vendimi që është marr nga Gjykata e Hagës për Haradinajn, ngjan me vendimet e më hershme për të nxitur separatizmin dhe do të komplikojë përpjekjet për krijimin e paqes në rajon, si dhe do të prish përpjekjet e mëparshme për të normalizuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës", thotë Tomisllav Nikoliq, transmeton B92.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe qeveria e Serbisë, ku sipas zëdhënësit të saj, Millivoje Mihajlloviq, lirimi i Haradinajt mund ta dëmtojë dialogun me Prishtinën. "Kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Me këtë vendim do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim në rajon", thotë zëdhënësi i qeverisë së Serbisë, Millivoje Mihajlloviq.

Rigjykimi i pjesshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, kishte nisur në korrik të 2010-ës. Që të tre akuzoheshin për siç thuhej në akuzë, "trajtim mizor, torturim dhe vrasjen e të burgosurve" në një kamp ushtarak në Jabllanicë gjatë periudhës 1 mars deri më 30 shtator të vitit 1998. Mirëpo, prokuroria, sipas gjyqtarit të Tribunalit të Hagës, Bacone Justice Moloto, nuk arriti të dëshmojë besueshëm për provat e saj dhe për këtë e shpalli të pafajshëm, Ramush Haradinajn, Idriz Balajn dhe Lahi Brahimaj.