1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina zyrtare do të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që misioni i UNMIK-ut të përfundojë mandatin e tij në Kosovë

20 Mars 2009

Kërkesë do të bëhët nga ministri i jashtë, Skender Hyseni, që merr pjesë në seancën e KS-it, e cila do të mbahet më 23.03 në Nju Jork. Aty diskutohet edhe raporti tre mujor i misionit evropian EULEX.

https://p.dw.com/p/HGOa
Minisri i jashtëm i Kosovës, Skender HyseniFotografi: AP

Udhëheqësit politikë kosovarë presin që shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, të paraqesë raportin real në Këshillin e Sigurimit për zhvillimet në Kosovë dhe të theksojë qartë se misioni i UNMIK-ut tashmë është i konsumuar. Ata thonë se misioni i Kombeve të Bashkuara nuk duhet të ketë ndonjë rol vendimarrës në Kosovë, madje as të interesohet për bisedimet e mundshme teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përpjekje kjo e UNMIK-ut, që po vazhdon tash e disa muaj. Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se shefi i tyre, Lamberto Zannieri, ka mandat që të ndihmojë në bisedimet e mundshme teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse këtë angazhim ia kërkon Këshilli i Sigurimit. Mirëpo autoritetet e këtushme nuk dëshirojnë që UNMIK-u të jetë në rolin ndërmjetës në bisedimet e mundshme teknike Prishtinë-Beograd. Udhëheqësit kosovarë madje as nuk kanë pranuar që të takohen me shefin e UNMIK-ut për të biseduar këtë çështje. Hajredin Kuci, zëvëndëskryeministër i Kosovës, thotë se qeveria nuk ka asgjë kundër shefit të UNMIK-ut. Qeveria respekton zotin Zannieri, po ashtu misionin e UMIK-ut e cilëson të suksesshëm.

"Por ajo që do të themi është se UNMIK-u nuk ka nevojë për një mandat të ri dhe nuk ka nevojë që të ngarkohet me aktivitetet, që do t'ia zgjasnin jetën", thotë Kuçi.

Edhe deputetët nga partitë politike opozitare thonë se misioni i Kombeve të Bashkuara nuk mund të ketë më rol në Kosovë, sepse çdo veprim i tij bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Ardian Gjini, është deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nëse Kosova do të kishte pasur një situatë të qartë me sundimin e ligjit aty ku mundet, nëse Kosova do të kishte një situatë të qartë me vetëvetën, do të thotë sene, nëse do të ketë pasoja për pavarësinë e Kosovës, nuk guxojmë të heqim dorë nga pavarësia, por duhet të tregojmë qartë se jemi të gatshëm që të marrim çfarëdo barre që të jetë e mundshme, që vendimet, të cilat ne i kemi marrë, të implementohen plotësisht”, thotë Gjini.

Në mediat kosovare ka kohë që analistët paralajmërojnë se Këshilli i Sigurimit në seancën e 23 marsit mund të shfaqë një lloj brengosjeje për shkak të mosfillimit të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Ata thonë se Prishtina zyrtare është deklaruar hapur disa herë se mund të bisedojë me Beogradin, por vetëm në cilësinë e dy vendeve fqinjë. Mirëpo asnjëherë nuk ka prezantuar një platformë të qartë të shkruar në letër se për çfarë mund të bisedojnë Kosova dhe Serbia. Mirëpo brengosja që mund të shfaqet në Këshilli i Sigurimit për mos fillimin e dialogut teknik Prishtinë-Beograd nuk i shqetëson fare autoritetet e Prishtinës. Përkundrazi ata do të kërkojnë që misioni i UNMIK-ut të përfundojë tërësisht mandatin në Kosovë. Këtë kërkesë do ta bëjë ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, i cili tashmë është konfirmuar se do të jetë i pranishëm në seancën e Këshilli i Sigurimit. Në këtë seancë do të flitet edhe për punën tre mujore të misionit evropian EULEX. Nuk do të raportojë shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, por raporti tashmë është dërguar në OKB-së përmes Brukselit.

Autor: BekimShehu

Redaktoi: Angjelina Verbica