1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina zyrtare filloi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që njohën pavarësinë

Bekim Shehu19 Shkurt 2008

Duke shprehur kënaqësinë për njohjen e Kosovës udhëheqësit institucioneve kosovare garantojnë se Republika e Kosovës do të jetë një vend që di t’i respektojë vlerat njerëzore.

https://p.dw.com/p/D9bO
Së shpejti Kosova do të ngrejë flamurin e saj në ambasadat që priten të hapen.Fotografi: AP

Vetëm 24 orë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Prishtina zyrtare filloi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shumë shtete që tashmë njohën pavarësinë e Kosovës. Gjatë orëve të mbrëmjes së shkuar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pranonte parreshtur shkresat zyrtare për njohjen e pavarësisë. Kjo pritet të ndodhë edhe gjatë ditës së sotme. Presidenti Fatmir Sejdiu u garantoi të gjitha vendet e botës se Republika e Kosovës do të jetë një vend që di t’i respektojë vlerat njërëzore.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, i cili thotë se të drejtat e pakicave në Kosovë do të mbrohen me ligj. Kryeministri pret që dhe vendet e rajonit shumë shpejtë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Arritja e shkresave zyrtare në Prishtinë për së cilave shumë shtete njihnin pavarësinë e Kosovës, përcillej drejtpërdrejt nga televizionet vendore dhe nuk vonuoi shumë që qytetarët e Prishtinës të mbushnin serish rrugët e kryeqytetit duke festuar.

Flamujt e shteteve që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës por edhe të atyre që kanë paralajmëruar se do ta njohin pavarësinë valviten gjithandej rrugëve të kryeqytetit. Shumë zyra diplomatike që kanë funksionuar në Kosovë si zyra ndërlidhëse, tashmë janë në procesin e shndërrimit në ambasada. Qeveria e Kosovës këtë fakt e ka pranuar me kënaqësi, ndërsa thotë se shumë shpejtë edhe Kosova do të hapë ambasadat e saj në vendet që e njohin pavarësinë e Kosovës.