1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pro apo kundër Evropës? Serbia para zgjedhjeve

Filip Slavkovic 10 Maj 2008

Zgjedhjet parlamentare zhvillohen para kohe, sepse qeveria serbe nuk arriti të menaxhonte konfliktin e lindur brenda saj mbi integrimin ose jo të Serbisë në Evropë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/DxGl
Vojislav Kostunica duke folur në fushatën elektorale, 7 maj 2008
Vojislav Kostunica duke folur në fushatën elektorale, 7 maj 2008Fotografi: AP

Sot të dielën zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Serbi, megjithëse mandati i mëparshëm zgjedhor nuk kishte përfunduar. Në Serbi është ndezur një luftë e ashpër për të fituar çdo votë, mes partive proevropiane të mbledhura në kampin e Tadicit dhe partive konservative rreth kryeministrit Koshtunica.

Pro apo kundër Evropës? Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në Serbi këtë të dielë luftojnë përkrahësit e BE-së dhe kundërshtarët e tyre edhe për një votë të vetme, pasi ende nuk është vendosur se kush do t'i fitojë zgjedhjet më 11 Maj. Analisti për zgjedhjet Marko Bllagojevic shprehet: "Ekziston 33% një mundësi që qeveria e ardhshme serbe të krijohet nga forcat e partiasë radikale dhe po 33% është mundësia tjetër që ajo të krijohet nga forcat e partisë demokratike proevropiane dhe partnerëve të saj, pra nga Lista për Serbinë Evropiane. Ka edhe një mundësi tjetër, edhe kjo 33% që asnjë nga partitë konkuruese të mos arrijë të krijojë dot qeverinë dhe të kemi në vjeshtë sërish zgjedhje të reja. Ka edhe 1% mundësi që të ndodhë një variant i katër."

Perëndimi dëshiron që të shohë tek fituesit Listën proevropiane

Fitorja e partive nacionaliste-konservatore sipas evropianëve do të sillte keqësimin e gjendjes në Kosovë, e cila si shteti më i ri në Ballkan, është njohur ndërkohë nga shumica e vendeve të BE-së.

Dihet se asnjë nga partitë e mëdha në Serbi nuk është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër shumë prej tyre duan të vazhdojnë kursin evropian. Në fushatën e fundit zgjedhore presidenti demokrat, Boris Tadiq u bëri thirrje përkrahësve të tij: "Qëllimi ynë historik është të shohim Serbinë në Evropë. Kjo nuk është një çështje formale por parimore, është çështje jete për të gjithë."

Tadiq presidenti serb në fund të prillit nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Tashmë ai pretendon se marrëveshja, e cila i hap rrugën tregtisë së lirë, mund të mbrojë më mirë interesat e serbëve në Kosovë.

Ndërsa kryeministri, Vojislav Koshtunica i konsideron deklaratat e Tadiqit si fallsifikime: "Kjo nuk është një marrëveshje e vërtetë asociimi. Një nga nenet e kësaj marrëveshje parasheh që Serbia duhet ta dorëzojë një pjesë të territorit të saj që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Koshtunica ka pak shanse ta mbajë postin si kryeministër

Partia e tij demokratike, sipas gjasave duket se do të jetë forca e tretë politike në parlament. Në kabinetin aktual Koshtunica i ndan postet së bashku me demokratët proevropianë. Qeveria e Koshtunicës u shpërbë pas konfliktit që lindi pasi Koshtunica donte të largohej nga kursi evropian, sepse një pjesë e madhe e shteteve evropiane kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Koshtunica mund të mbetej në post, po qe se ndërtonte një koalicion të ri me radikalistët. Radikalët kanë shanse të mira të fitojnë pjesën më të madhe të votave. Shefi aktual i radikalistëve, Vojislvav Sheshel që prej pesë vjetësh ndodhet në Hagë. Zëvendësi i Sheshelit në Beograd, Tomislav Nikoliç është përpjekur të ndryshojë imazhin e partisë ultraradikale që në shkurt në zgjedhjet presidenciale në Serbi. Pavarësia e Kosovës dhe debati mbi Bashkimin Evropian janë temat kryesore të fushatës zgjedhore: "Pasi Bashkimi Evropian e ka njohur këtë shtet shqiptar, nuk e besoj se në të nëjtën kohë, BE-ja do të njohë dhe Kosovën si pjesë të Serbisë"

Nikoliçi i ka zgjedhësit kryesisht në shtresat e varfra të popullsisë serbe. Tek ata që kanë humbur nga tranzicioni ai fiton pikë edhe më shumë kur i hap luftë korrupsionit në lulëzim dhe ekonomisë së favoreve.

Ndërsa konkurenti proevropian Tadiq premton më shumë vende pune dhe rroga më të larta. Për të formuar qeverinë e tij ndoshta do t'i duhet të krijojë koalicion me partitë më të vogla, ato të minoriteteve dhe partinë liberale, që do ta njihte Kosovën si shtet.

Kartën e fundit mund ta luajnë socialistët

Partia e diktatorit që vdiq në Hagë, Milloshevic pritet të renditet e fundit në zgjedhjet e 11 majit. Me qëllim që të fitojë sërish kredibilitet politik ajo mbetet e hapur për çdo koalicion si për demokratët proevropopianë ashtu edhe për nacional-konservativët.