1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pro dhe kundra “projektligjit antimafie”

19 Nëntor 2009

Në parlamentin e Shqipërisë është duke u diskutuar një projektligj i ri për luftën kundër pastrimit të parave, i konsideruar si projektligji antimafie. Disa nene të tij kanë ngjallur debate mes mazhorancës dhe opozitës.

https://p.dw.com/p/KbHQ
Pro dhe kundra ligjit të ri kundër mafies në Shqipëri.
Pro dhe kundra ligjit të ri kundër mafies në Shqipëri.Fotografi: BilderBox

Projektligji i ri kundër pastrimit të parave, ose siç po thirret gjerësisht si “projektligji antimafie” ka disa dispozita që konsiderohen si të ashpra në luftën kundër krimit të organizuar. Duke iu referuar projektligjit në fjalë, gjykata ka të drejtë sekuestrimesh paraprake, pa patur nevojë për një dosje penale nga ana e prokurorisë. Pra, parashikohet sekuestrimi i pasurisë edhe nëse ndaj ndonjë invidivi nuk ka një procedim penal.

Mazhoranca kërkon ashpërsimin e ligjit

Shqipëria në fakt e ka një ligj për sekuestrimin e pasurive që janë me burim nga aktivitete kriminale. Ligji është i vitit 2004 dhe është huazuar nga praktika ligjore italiane. Për mazhorancën e djathtë ligji ekzistues duhet forcuar, ndaj dhe është hartuar projektligji i ri. Sipas saj, kjo do të frenojë edhe më shumë fenomenin e pastrimit të parave të pista, duke plotësuar dhe një kusht të Shqipërisë në procesin e integrimit. Nga rradhët e opozitës po artikulohen kritika duke paralajmëruar cënim të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Bujar Rama, drejtori i Qëndrës Shqiptare për Studimin e Krimit të Organizuar dhe Mafias
Bujar Rama, drejtori i Qëndrës Shqiptare për Studimin e Krimit të Organizuar dhe MafiasFotografi: DW

Opozita kritikon cënimin e lirive dhe të drejtave të njeriut

Projektligji i ri ka ngjallur interes dhe në rradhët e ekspertëve ligjorë dhe ata të luftës kundër krimit të organizuar. Avokati dhe këshilltari ligjor Arben Rakipi, mendon se disa aspekte të projektligjit antimafie prishin peshoren mes qëllimit pozitiv dhe standartit të respektimit e ruajtjes të të drejtave të individit. Për Rakipin, ish Prokuror i Republikës në fund të viteve ‘90, kur për një person ka dyshime se ai është përfshirë në një vepër kriminale, nuk ka pse të devijohet trajtimi i pasurisë së tij nga kodi aktual i procedurës penale. “Mënyra se si trajtohen persona që dyshohen se kanë kryer vepra penale dhe që mendohet se i kanë vënë pasuritë nga aktivitete të paligjshme, që lidhen ose jo me veprën penale, kanë një trajtim jo në përputhje me standartet e respektimit të të drejtave të njeriut sipas Kushtetutës, thotë Arben Rakipi për DW.

“Shoh që projekti është më i gjërë, më empirik dhe më subjektiv, sidomos në pikat ku lidhet me personat që do të kontrollojnë personat e dyshuar dhe me atë se çfarë do të konsiderohet pasuri e vënë në mënyrë të paligjshme në bazë të një dyshimi të arsyeshëm. Shoh që dispozitat e reja janë më të avancuara dhe kanë futur koncepte akoma më subjektive dhe empirike siç është standarti i pajustifikuar i jetesës, që është në vetvete një koncept jashtëzakonisht i gjerë dhe krejtësisht relativ.”

Arben Rakipi, ish Prokuror i Republikës në fund të viteve ‘90.
Arben Rakipi, ish Prokuror i Republikës në fund të viteve ‘90.Fotografi: DW

Skepticizëm ndaj dispozitave të reja të ligjit antimafie

Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Studimin e Krimit të Organizuar dhe Mafias, Bujar Rama, shprehet në mbështetje të çdo ligji që forcon luftën kundër personave dhe organizatave kriminale. Por Rama, ish nënkryetar i shërbimit sekret shqiptar në mes të viteve '90 i shikon me skepticizëm dispozitat e reja të ligjit antimafie. Trajtimi i njerëzve të dyshuar për krime penale të rënda është një çështje delikate, thotë Bujar Rama për DW. “Problemi është se nëse një krim ka pjesmarrje të madhe, siç janë aktet e krimit të organizuar dhe të mafies, kjo është shumë e vështirë të zbulohet. Faktet në Shqipëri tregojnë se janë zbuluar shumë banda dhe asnjë prej tyre nuk e ka përfunduar gjykimin. Dhe jo të futemi tani tek njerëzit e dyshuar. Kjo do të thotë që të mos gjendet përgjegjësia e krimit . Dhe kjo është akoma më e rrezikshme. Po të marr një shembull të thjeshtë. Nëse një president firme ka vënë disa lekë nga shitja e apartamenteve. Apartamentet janë blerë nga para të pista, për të cilat ky njeri nuk di gjë. Pra të duhet ta paragjykosh këtë njeri që ka kryer këtë aktivitet. Në Shqipëri janë “palosur” gjërat aq shumë saqë ky ligj vetëm e shpërndan vëmendjen dhe nuk e përqëndron atë në luftën kundër krimit të organizuar e mafies”.

Abuzimi me ligjin sjell dëme financiare

Një shqetësim për eskpertët ligjorë është dhe fakti se nga abuzimi me këtë ligj sekuestrimi mund të sjellë dëme të mëdha financiare për shtetin shqiptar. Këto do të vinin nga reagimi i atyre që nuk ju vërtetohet fajësia dhe ju lind e drejta dëmshpërblim material dhe moral për ndëshkimin që ju është bërë nga autoritetet.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama