1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

161109 EU Posten

16 Nëntor 2009

Në një takim të jashtëzakonshëm të nivelit të lartë (19.11) do të zgjidhen krerët e rinj të BE-së, presidenti i Këshillit dhe i Ngarkuari me Politikën e Jashtme. Për këtë akt balance kërkohet shumë takt dhe diplomaci.

https://p.dw.com/p/KYPh
Ministri i Jashtëm i Austrisë Michael Spindelegger, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Javier Solana, dhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt
Ministri i Jashtëm i Austrisë Michael Spindelegger, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Javier Solana, dhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl BildtFotografi: AP

Në Bruksel qarkullon aktualisht një shaka: cili është vendi më i nxehtë i Evropës? Përgjigja: telefoni i Frederik Reinfeldt-it. Kryeministri i Suedisë dhe presidenti i radhës i BE-së prej ditësh e kalon pjesën më të madhe të kohës së tij me kufjen e telefonit në vesh. Me qeveritë e 26 shteteve të tjera të BE-së ai diskuton personin, që duhet zgjedhur për postin e ri të Presidentit të përhershëm të BE-së dhe për postin e një Përfaqësuesi të lartë për Politikën e Jashtme. Pak i lodhur dhe me nerva të dobësuara ai paraqiti në Bruksel të gjithë elementët që duhen mbajtur parasysh për dorëzimin e posteve. "Në radhë të parë ne duhet të gjejmë balancën më të rëndësishme midis së Djathtës dhe së Majtës në politikë. Pastaj ne flasim për balancën midis shteteve më të vogla, më të mëdha dhe gjysmë të mëdha, midis Veriut dhe Jugut, Perëndimit dhe Lindjes dhe ne flasim për çështjet gjinore. Dhe problemi është që janë vetëm dy poste që duhet të plotësohen dhe që barazpeshimi në të gjitha këto çështje thuajse nuk arrihet."

Spekulimet për emrat

Një gjë është praktikisht e qartë: kristiandemokratët pretendojnë postin e Presidentit të Këshillit të BE, socialistët postin e Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme. Gjithçka tjetër praktikisht është e hapur. Reinfeldti kërkon në fund një vendim sa më unanim. Por nëse një gjë e tillë nuk arrihet, ai mund ta shohë veten të detyruar që të votojë me shumicë të kualifikuar votash. Këtë mundësi e ofron Marrëveshja e Lisbonës.

Kandidatë zyrtarë nuk ka ende, por për emrat spekullohet prej ditësh. Megjithatë, emrat që përmenden nuk janë nga Gjermania, vendi më i rëndësishëm i BE-së. Por përse sondazhet zhvillohen në fshehtësi? A nuk kanë të drejtë qytetarët e një vendi të mësojnë nëse kryeministri i vendit të tyre është kandidat? Frederik Reinfeldit e gjitha i duket edhe zbavitëse.

Autor: Christop Hasselbach / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora