1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemi i Kosovës i rrezikshëm

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani12 Qershor 2008

"Problemi i Kosovës nuk është më i rëndësishmi në botë, por është i rrekzikshëm. Shpresojmë që të ketë qenë edhe konflikti i fundit territorial në Evropë," thotë Albert Rohan.

https://p.dw.com/p/EIPF
Albert RohanFotografi: AP

Albert Rohan, zëvendësi i ndërmjetësuesit kryesor të OKB në negociatat për Kosovën, mbajti një ligjëratë me titull "Rruga e gjatë e Kosovës deri në pavarësi", në Klubin ndërkombëtar La Redute në Bon.

Albert Rohan pohon se para fillimit të negociatave kishte rëndësi të merreshin parasysh të paktën tri zhvillime shumë të rëndësishme historike: konferenca e Londrës, dhuna e shpeshtë mes shqiptarëve dhe serbëve, ku shqiptarët ishin viktimë më e shpeshtë dhe statusi i Kosovës në ish - Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, shqiptarët u përcaktuan për rezistencë paqësore, por ajo nuk u shpërblye prej askujt. Më vonë erdhi deri te krijimi i grupeve kryengritëse, dhe ndërhyrja e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, e cila për qëllim kishte spastrimin etnik të Kosovës. Pas ndërhyrjes së Natos dhe kapitulimit të forcave serbe, para nëntë vitesh, KS i OKB miraoi rezolutën 1244 e cila parashikon edhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Me ndërmjetësimin e shefit të Unosekut, Marti Ahtisari dhe zëvendësit të tij Albert Rohan, u mbajtën 17 raunde bisedimesh shqiptaro - serbe dhe 23 misione ekspertësh. Por pa sukses. "Që në bisedimet e para ishte e qartë se një marrëveshje kompromisi ishte e pamundur", thotë në një intervistë për Dojce Velen, Albert Rohan.

Albert Rohan
Albert RohanFotografi: AP

Deutsche Welle: Po a ishte në të vërtetë Plani i Ahtisarit zgjidhja e vetme sdhe a mund të zbatohet në Kosovë. Ai nuk është miratuar në KS ndërkohë që serbët dhe Serbia e kanë kundërshtuar?

Albert Rohan : Sigurisht që është zgjidhja e vetme reale, sepse nuk ka ndonjë propozim tjetër. Plani është i zbatueshëm, por kërkon edhe angazhimin e serbëve të Kosovës, në ato pjesë që kanë ë bëjnë me këtë minoritet. Fatkeqësisht, deri tani kjo ka munguar.

Deutsche Welle: Ndërmjetësuesit ndërkombëtare në fillim nuk kanë paraqitur plane konkrete për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Negociatorët ishin ata të cilët në Vjenë erdhën me propozime të ndryshme. Meqenëse nuk kishte marrëveshje, u prezantua i ashtuquajtiri Plani i Ahtisarit, i cili për serbët parashikon të drejta sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. A mund të jenë serbët të knaqur me të drejtat që parashikohen në plan?

Albert Rohan : Serbët e Kosovës mund të jenë të kënaqur por jo edhe Beogradi, sepse Kosova është bërë shtet i pavarur. Për serbët e Kosovës parashikohen aq shumë masa të cilat as që mund të paramendohen.

Deutsche Welle : Kosova ka shpallur ndërkohë pavarësinë, e cila nuk është njohur nga të gjitha shtetet e BE. Ndërkohë që roli i BE as gjatë negociatave të Vjenës, nuk ishte gjithmonë konstruktiv, për shkak të përçarjeve mes shteteve anëtare.

Albert Rohan: Negative ishte që BE nuk kishte një qëndrim të përbashkët ndaj Kosovës. Kishte propozime dhe interesa të ndryshme nga vendet anëtare. Kjo ka dobësuar rolin e BE. Kjo po ndodhë edhe sot, spese disa shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Mendoj se edhe vendet tjera duhet t'i bashkohen shumicës së vendeve anëtare dhe të njohin pavarësinë. Do të ishte kjo puna më e mirë që mund të bëjnë.

Deutsche Welle: Sa do të ndryshojë qëndrimi i Serbisë pas zgjedhje të fundit dhe a mund të ketë ndryshime, varësisht prej qeverisë që është në pushtet në Beograd: qoftë ajo e bllokut nacionalist apo pro - evropian?

Albert Rohan : Besoj se në shtigje afatshkurtëra nuk ka ndonjë dallim, sepse të ashtuquajturat parti pro - evropiane në Serbi po ndjekin politikën e njëjtë të radikalëve dhe të kryeministrit Vojisallav Koshtuncia. Megjithatë besoj se në shtigje afatgjata, një qeveri pro - evropiane do të kishte më lehtë të gjejë një lloj modus vivendi për Kosovën.

Deutsche Welle: Dy gjëra konkrete ka kërkuar Beogradi kohët e fundit: anullimin e njohjes së pavarësisë prej vendeve që ekanë njohur atë dhe vazhdimin e negociatave. Eshtë kjo e mundshme?

Albert Rohan : Anullimi i vendimit për njohjen e pavarësisë ëshë plotësisht i pamudur. Këtë e di edhe Beogradi, sepse asnjë vend nuk do ta ndryshojë vendimin e vet. Negociatat e reja nuk kanë kurrfarë kuptimi në qoftë se sërish i kthehen çështjes së statusit. Mirëpo duhet përshëndetur në qoftë se palët bisedojnë për bashkëjetesën, sepse këto janë vende fqinje.