1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë parasheh edhe përfshirjen e serbëve

Bekim Shehu27 Tetor 2008

Në Kosovë fillon të hënën faza testuese e regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981 kur Kosova numëronte afro dy milionë banorë.

https://p.dw.com/p/FhqA
Godina qeveritare, PrishtinëFotografi: Emil Popov

Faza testuese e regjistrimit të popullsisë në Kosovë i paraprin regjistrimit të përgjithshëm, i cili pritet të kryhet në qeshor të vitit 2009. Regjistrimi i popullsisë është paraparë edhe në pakon e Marti Ahtisarit, mbi bazën e së cilës autoritetet në Prishtinë shpallën pavarësinë. Institucionet e Kosovës që nga përfundimi i luftës kanë nisur projektin për regjistrimin e popullsisë, mirëpo ky proces asnjëherë nuk është mbështetur si duhet nga administrata Kombeve të Bashkuara. OKB ishte bazuar në të dhënat e ish- Jugosllavisë mbi numrin e banorëve të Kosovës. Këto të dhëna i kanë mjaftuar më parë administratës së UNMIK-ut, që të kalkulojë numrin e banorëve konform interesave të implementimit të misionit.

Procesi i regjistrimit të popullsisë gjithnjë është kundërshtuar nga serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar, sepse këtë çështje ata e cilësonin si një proces politik. Edhe kësaj radhe procesi i regjistrimit të popullsisë kundërshtohet nga serbët. Por, kryetari i komisionit për regjistrimin e popullsisë, zëvëndësministri i Shërbimeve Publike, Rifat Blaku, i tha DW se regjistrimi i popullsisë ka të bëjë vetëm me të dhënat statistikore të numrit të banorëve të Kosovës dhe asgjë më shumë. Blaku: "Me regjistrimin e popullsisë sigurohen të dhëna ekskluzivisht statistikore dhe jo politike, sepse me rezultatet e këtij regjistrimi as nuk fitohet prona e dikujt e as nuk humbet", thotë Rifat Blaku.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981. Asokohe Kosova numëronte afro 2 milionë banorë. Procesit të regjistrimit të vitit 2008, do t'i nënshtrohen të gjithë ata persona që kanë qëndruar më shumë se dhjetë vjet në Kosovë. Kosovarët që kanë jetuar më shumë se një vit në mërgim, nuk do të regjistrohen si qytetarë të Kosovës, por fillimisht vetëm do të numërohen për evidentim. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë do të kushtojë 6 milionë euro. Për këtë shumë të hollash qeveria e Kosovës do të paguajë vetëm 20%, pjesa tjetër është e siguruar nga donatorët.