1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i Spartakut: vendim anti-Camorra në Itali

Gregor Hope/ Romë20 Qershor 2008

Gjykata e Napolit vendosi dënime të rrepta me heqje lirie ndaj 95 personave të klanit Casalesi, që konsiderohet si një ndër më të dhunshmit e Camorrës.

https://p.dw.com/p/ENQH
Nga procesi gjyqësor i Spartakut në Napoli
Nga procesi gjyqësor i Spartakut në NapoliFotografi: picture-alliance/ dpa

Në Itali proceseve u vihet emër. Ky quhej „Spartaku“, sepse sikurse lufta e heroit të antikitetit, edhe ky proces pritet ta çlirojë rajonin prej krimit të organizuar duke dëshmuar forcën e ligjit dhe të rendit.

Në bankën e të akuzuarve janë mbretërit e krimit të organizuar në rajonin e Napolit, krerët e Camorrës: Francesco Schiavone, i quajtur edhe „Sandokan“, Francesco Bidognetti, me pseudonimin e çuditshëm „ciccietto è mezzanotte" dhe 14 bosë të tjerë të klanit Caselesi. Gjykata e Apelit nuk ndryshoi asgjë në dënimet e tyre me burgim të përjetshëm.

Ata janë nga Casal di Principe, një qytezë e vogël mes Casertës dhe Napolit të mbushur plot me firma ndërtimi dhe me vepra penale. Casal di Principe, kryeqendra e Camorrës, prej nga drejtohet perandoria e firmave të ndërtimit, e tregtisë së drogave dhe të armëve, e vrasjeve dhe e falsifikimit të firmave dhe markave të modës.

Roberto Saviano, i cili ka lindur në Casal di Principe dhe i njeh nga afër pjesëtarët e klanit i ka përshkruar veprimet e tyre në librin e tij "Gomorra". Sipas tij fakti që edhe Gjykata e Apelit nuk i preku vendimet është një fitore kundër Camorrës, megjithatë sipas tij mbetet ende shumë për të bërë.

"Unë besoj se ky është vetëm fillimi, një fitore e shumë hetuesve dhe prokurorëve, por edhe e gazetarëve që kanë punuar në hije për vite me radhë. Ky proces duhet konsideruar si fillimi dhe jo si fundi i luftës kundër një bande kriminelësh dhe i vëmendjes, sepse hetuesve që gjatë dhjetë viteve të fundit kanë qenë në linjën e frontit nuk u është kushtuar shumë vëmendje nga mediat."

Që nga koha e botmit të librit në tetor 2006 Saviano jeton i mbrojtur prej trupave të policisë. Ai thotë se Camorra nuk e ka problem kur dikush tregon diçka, por kur atij që tregon diçka i kushtohet vëmendje. Para tri javësh u vra prej mafiozëve në mes të rrugës një nga dëshmitarët kryesorë në procesin "Spartaku".