1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NPD-Verbotsverfahren rückt näher

10 Dhjetor 2011

Përpjekja e parë për ndalimin e partisë së djathtë NPD dështoi në vitin 2003 për arsye formale. Ministrat e brendshëm ranë dakord për një përpjekje të dytë.

https://p.dw.com/p/13QBe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Të lehtë nuk e kanë patur ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich dhe homologët e tij nga 16 landet gjermane në konferencën e tyre në Wiesbaden (08./09. dhjetor 2011). Deri në fund ka patur hezitime lidhur me procesin e ri për ndalimin e NPD-së. Shumë e thellë është tek disa frika nga dështimi një herë të dytë para Gjykatës Federale Kushtetuese dhe nga mbivlerësimi pa dashje i partisë të djathtë ekstremiste nacionaldemokrate të Gjermanisë (NPD). Përpjekja e parë në vitin 2003 dështoi kryesisht për shkakun se nga pikëpamja e gjyqtarëve të lartë ishte i paqartë roli brenda NPD-së i spiunëve, të njohur si persona ndërmjetës të shërbimeve të fshehta të shtetit.

Ministrat konservatorë ndryshojnë qëndrim

Dyshim lidhur me perspektivat e suksesit të përpjekjes së dytë të ndalimit kanë sidomos politikanët konservatorë, ndër ta edhe ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich (CSU). Në fund ata e pranuan kërkesën e homologëve të tyre socialdemokratë dhe ndoshta edhe për shkak të pritjeve të opinionit brenda dhe jashtë vendit. Në fillim të nëntorit u zbulua se një grup ekstremist i djathtë kishte kryer një seri vrasjesh kundër të huajve nga viti 2000-2007. Prandaj do të ishte e vështirë të argumentohej që të mos merreshin masa.



E parë nga ana ligjore, rezervat duhen marrë seriozisht. Sepse për ndalimin e një partie duhet të dëshmohet se ajo ka një "qëndrim agresiv dhe luftarak" kundër rendit të lirë demokratik dhe një "afërsi thelbësore" me nazismin. Deri para pak kohe kjo dukej e vështirë në rastin e NPD-së të themeluar në vitin 1964, sepse për funksionarët dhe rreth 6600 anëtarët e saj nuk kishte prova se kishin lidhje të drejtpërdrejta me neonazistët e dhunshëm.

Ministri i Brendshëm Friedrich dhe ministrja e Drejtësisë, Leuthheusser-Schnarrenberger
Ministri i Brendshëm Friedrich dhe ministrja e Drejtësisë, Leuthheusser-SchnarrenbergerFotografi: dapd

Një funksionar i NPD-së ka lidhje me serinë e vrasjeve

Në këtë kontekst ithtarët e ndalimit të NPD-së flasin për një situatë të re nga perspektiva e tyre, pasi në fund të muajit nëntor u arrestua ish nënkryetari i NPD-së në landin e Turingjisë, Ralf Wohlleben. Ai është akuzuar se i ka siguruar një armë dhe municion grupit terrorist "ilegaliteti nazist" (NSU), që duhet të jetë përgjegjës për vrasjet. Nëse kontaktet individuale të ekstremistëve të dhunshëm dhe NPD-së janë të mjaftueshme për ndalimin e partisë, është e diskutueshme në mesin e ekspertëve.
Për të ndaluar NPD duhet të bëjë kërkesë një organ kushtetues. Këtë të drejtë e kanë qeveria federale, dhoma e përfaqësuesve (parlamenti) dhe këshilli federal (Bundesrat). Procesi i ndalimit, që dështoi në vitin 2003, qe kërkuar nga të gjithë. Një procedurë e përbashkët do të ishte e mundur edhe në përpjekjen e dytë në vitin 2012, sepse kjo do të shprehte vendosmërinë e të gjithë shtetit. Që ministri federal dhe ministrat e landeve kërkuan një proces tjetër ndalimi, duhet ta kuptojnë vetë si "sinjal të qartë". NPD përfaqëson një ideologji, që ështe "antihumane, anti-demokratike dhe anti-semite," tha kryetari i konferencës së ministrave të brendshëm Boris Rhein nga Hessen.

Një grup pune grumbullon material

Për të rritur shanset e suksesit për një ndalim të NPD-së një grup pune i ngritur në pranverën e vitit 2011 do të mbledhë material dhe informacion, që do t'u vihet në dispozicion si argument autoriteteve kushtetuese. Përveç kësaj këtë vit duhet të krijohet në rang federate dhe landesh një "qendër e përbashkët për mbrojtjen nga e djathta". Si model duhet të sherbejë “qendra e përbashkët për mbrojtjen kundër terrorizmit ", që punon në Berlin që nga viti 2004 kundër terrorit islamik.
Ministrja e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, do që këtu të mblidhen vetëm të dhëna për ekstremistët e dhunshëm. Ministri i Brendshëm Federal, Hans-Peter Friedrich, dëshiron ta përdorë dosjen edhe për ekstremistët e gatshëm për të ushtruar dhunë.

Mbrojtësit e kushtetutës duhet t'i përcjellin informacionet

Ekziston megjithatë një marrëveshje që zyrat për mbrojtjen kushtetuese në lande në të ardhmen të dërgojnë të gjithë informacionin mbi ekstremizmin e djathtë në Zyrën Federale për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV), tha Ministri i Brendshëm Friedrich. Meqë kjo në të kaluarën nuk ka qenë e vetëkuptueshme, autoriteteve të sigurisë ndoshta u kanë ikur të dhëna thelbësore për grupin neo-nazist. Dy nga tre autorët e dyshuar kanë vrarë veten, me sa duket në pritje të arrestimit të afërt të tyre. I dyshuari i tretë ndodhet në paraburgim dhe nuk pranon të bëjë asnjë deklaratë. Së bashku treshja, megjithë vëzhgimin nga mbrojtja kushtetuese, ka mundur të kalojë në ilegalitet në fund të viteve 1990.

Ndoshta të pandehurit me prejardhje nga Turingjia, në lindje të Gjermanisë kanë patur ndihmës në perëndim. Në perëndim sipas statistikave qëndrimet ekstremiste të djathta janë më pak të përhapura se në Lindje. Sipas "Süddeutsche Zeitung" hetuesit kanë në dispozicion një deklaratë të një radikali të djathtë, që së bashku me shokë nga perëndimi i Gjermanisë ka spiunuar lokalitetet për kryerjen e një vrasjeje. Megjithatë ai është shkëputur para se të ishte caktuar objektivi i sulmit. Menjëherë pas kësaj është vrarë nga terroristët një biznesmen turk. Sipas dëshmitarëve treshja nga Lindja duhet të ketë qenë e njohur në skenën ekstremiste të djathtë në perëndim. Me sa duket ata kishin pasur njohuri, se kush fshihej prapa sërisë së vrasjeve të filluara në vitin 2000.

Për viktimat e neonazistëve më 23 shkurt në Berlin do të mbahet një ceremoni përkujtimore. Me këtë, sipas zyrës presidenciale, do të jepet një shenjë kundër të gjitha formave të ksenofobisë dhe dhunës kundër të huajve. Presidenti Christian Wulff ka pritur në fund të nëntorit të afërmit e viktimave në një bisedë konfidenciale.

Autor: Marcel Fürstenau/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama