1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekti "Nabucco" dhe marrëveshja Dessertec Industrial Initiative - tema qëndrore të shtypit gjerman

14 Korrik 2009

Marrëveshja Nabucco - hap i rëndësishëm në rrugën e sigurisë së furnizimit me gaz, por jo garanci.

https://p.dw.com/p/Iomf
Fotografi: AP

Gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e komenton kështu nënshkrimin në Ankara të marrëveshjes për tubacionin e furnizimit të gazit, Nabucco:

"Kjo marrëveshje vërtet që nuk e ndalon rrugën drejt skllavërisë së gazit te Rusia, por ka mundësi që ta pengojë atë në mënyrë të dukshme. Kjo vlen si për evropianët, ashtu edhe për vendet potenciale furnizuese si Azerbajxhani, Turkmenistani ose Kazakistani. Po ta blejnë direkt gazin atje evropianët, kjo mund të forcojë edhe pavarësinë e shteteve të oborrit të pasmë të Rusisë. Në përputhje me këtë i madh është interesi i Rusisë, për ta ruajtur kontrollin mbi fushat e gazit. Politika e kuptoi këtë, ndonëse me vonesë dhe ndihmoi për ta ngritur në këmbë Nabucco-n. Republika Federale Gjermane i përforcoi aktivitetet e saj në Detin Kaspik, BE-ja e shtoi presionin ndaj Turqisë. Marrëveshja e nënshkruar tani në Ankara është një hap i rëndësishëm në rrugën e sigurisë së furnizimit. Garanci nuk është."

Deutschland Marburg Klima Energie Solarenergie wird Pflicht
Dessertec Industrial Initiative - Energji diellore nga Afrika e veriut dhe Lindja e Mesme për EvropënFotografi: AP

Gazeta të tjera gjermane ndalen në një marrëveshje tjetër: Në nënshkrimin të hënën (13.07) në Mynih të një marrëveshjeje në parim për ndërtimin e Desertec Industrial Initiative. Marrëveshja parashikon hartimin brenda tri vjetësh të koncepteve të biznesit dhe financiare me të cilat deri në vitin 2050 do të jetë siguruar 15% e nevojës energjitike evropiane me anë të energjisë diellore nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Nga WETZLARER NEUE ZEITUNG për këtë temë shkëpusim:

"Me Desertec-un, sipërmarrjet gjermane e zgjerojnë edhe më tej pozicionin e tyre primar në tregun botëror të energjisë diellore. Sipas vlerësimeve të Greenpeace, nëpërmjet ndërtimit të centraleve diellore në sipërmarrjet gjermane mund të krijohen 250 mijë vende të reja puna. Vende pune me të ardhme. Vetëm kjo perspektivë duhet ta bindë qeverinë gjermane për Desertecun. Një ndihmë si financim fillestar me siguri nuk do të ishin para të hedhura të dëm."

Ja edhe mendimi i BADISCHE NEUESTE NACHRICHTEN:

"Desertec-u e ka merituar që të bëhet që në fillim një preokupim i përgjithshëm gjerman. Firma të forta nisen të mbështesin një projekt me përmasa gati gjeostrategjike. Ai prek politikën, nxit ekonominë, bën reklamë për teknologjinë gjermane dhe ka vec kësaj komponentë të fortë socialë."

Autor: Agjensitë/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani