1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projektligj për financimin nga buxheti i shtetit të komuniteteve kryesore fetare ne Shqipëri

4 Maj 2009

Ky projektligj parashikon financime për katër komunitetet fetare kryesore në Shqiperi: atë mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi, festat fetare të të cilave janë festa zyrtare.

https://p.dw.com/p/HjeB
Patriarku i Kishës Ortodokse Bartolomeu I duke përshëndetur ortodoksët shqiptarë
Patriarku i Kishës Ortodokse Bartolomeu I duke përshëndetur ortodoksët shqiptarëFotografi: AP Photo

14 nenet e këtij projektligji flasin për financime për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të kultit, restaurimin e qendrave të pelegrinazhit dhe të objekteve të turizmit fetar.

Rasim Hasanaj, kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve, i vlerëson këto financime si një domosdoshmëri. Ai përmend shkatërrimin e fesë dhe persekutimin e klerikëve gjatë regjimit komunist. Do të mjaftonin shifra të tilla si pushkatimi dhe internimi i 302 klerikeve të shkolluar në perëndim, rrënimi i 138 objekteve të kultit, konfiskimi i pronave të komuniteteve fetare për të përfytyruar situatën, dëmet e jashtëzakonshme që pësuan komunitetet fetare, dhe për pasojë edhe situatën e vështirë ekonomike ku ato ndodhen sot. Pronat e tyre, prej të cilave mund të gjeneronin të ardhura, është pothuaj e pamundur që t'u kthehen. Ato janë tjetërsuar dhe u kanö kaluar palëve të treta.

Për kreun e Komitetit Shtetëror të Kulteve financimi nga buxheti i shtetit i katër komuniteteve kryesore fetare nuk bëhet vetëm si ndihmë për të rikuperuar këto dëme nga e kaluara. Ai bëhet edhe si një detyrim ndaj besimtarëve.

"Besimtarët e këtyre bashkësivë paguajnë taksa në këtë shtet. Nëse, psh, Gjermania jep 0,8%, të buxhetit , apo Bullgaria 1% edhe në Shqipëri shteti ka detyrim ndaj qytetarëve që paguajnë taksa. Pra, duhen mbështetur edhe nga kjo pikpamje komunitetet fetare, dhe mbi të gjitha për të ruajtur harmoninë tradicionale mes tyre. Duke qenë të mbështetura ekonomikisht ato janë edhe më të lira për të ecur në këtë traditë." - thotë Rasim Hasanaj.

Financimi i katër komuniteteve kryesore fetare në Shqipëri është vetëm hapi i parë. Përveç katër komuniteteve kryesore të dhëna zyrtare nga Komitetit Shtetëror i Kulteve flasin për praninë e 245 grupeve, organizatave dhe fondacioneve fetare.

"Në Shqipëri ka edhe komunitete të tjera fetare si protestantë, bahai, mormonë, dëshmitarët e Jehovait, dhe disa lloj tarikatesh tek feja myslimane. Po vazhdon puna për të plotësuar më tej kuadrin ligjor, që edhe ato të përfitojnë financiarisht. Jemi duke krijuar edhe regjistrin fetar ku të jenë të regjistruar të gjitha komunitetet fetare." - thotë Rasim Hasanaj.

Një perceptim i tillë për trajtim të barabartë shfaqet edhe në financimin që projektligji parashikon për shkollat e administruara nga komunitetet fetare.

"Ky është financimi më i rëndësishëm, që parashikon projektligji në fjalë. Janë shkolla laike, njëlloj si shkollat e tjera. Ndryshon vetëm administrimi. Shteti do të mbështesë pagat e arsimtarëve të këtyre shkollave. Janë 32 shkolla të niveleve të ndryshme, të licensuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ku mësojnë 7 650 nxënës. Pozitiv është fakti që në këto shkolla mund të shkojnë të gjithë nxënësit: p.sh. nëse një shkollë administrohet nga komuniteti katolik, atje mund të shkojnë edhe myslimanë, protestantë, ortodoksë etj." - sqaron Rasim Hasanaj.

Financimet nga buxheti i shtetit do të bëhen në bazë projektesh që secili nga katër komunitetet fetare duhet t'ia paraqesë Komitetit Shtetëror të Kulteve. A ka gjasa që shteti të ndërhyjë përmes financimeve dhe të cënojë pavarësinë e fesë të garantuar nga Kushtetuta?

"Jo, shteti nuk ndërhyn,por thjesht plotëson nevojat që këto komunitete kanë. Mbështetja financiare nuk e rrezikon pavarësinë e këtyre komuniteteve dhe vënien e tyre nën kontrollin e shtetit," thotë Rasim Hasanaj.

Projektligji do të miratohet këto ditë në Parlament. Në komisionin e ligjeve ai ka fituar miratimin unanim të maxhorancës dhe opozitës.

Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Pandeli Pani