1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propaganda ruse për krizën e refugjatëve

Roman Goncharenko19 Janar 2016

Televizioni rus raporton për përdhunimin me gjasë të një vajze ruse nga migrantët në Berlin. Por policia berlineze e hedh poshtë këtë njoftim si të pabazë. Historia të kujton propagandën në konfliktin e Ukrainës.

https://p.dw.com/p/1Hfno
Russische Zeitung Komsomolskaja pravda
Fotografi: picture alliance/dpa/R. Sisoev

Një histori irrituese ajo që u prezantoi të shtunën në mbrëmje shikuesve të tij televizioni shtetëror rus "Kanali i Parë". Një vajzë 13 vjeçare me origjinë ruse rrëmbehet nga migrantët në Berlin me një makinë dhe përdhunohet një ditë të tërë. Një grua, "tezja" e vajzës në kamera rrëfen detaje të tmerrshme. As prindërit dhe as vajza nuk paraqiten. Rusët në Berlin janë të zemëruar. "Po qe se është kështu, ne do të përgjigjemi me dhunë", thotë një rus, ndërsa një "xhaxha" i viktimës thotë se policia mbron autorët.

Policia e Berlinit e ka hedhur poshtë në një prononcim për Deutsche Welle kronikën e televizionit rus. Nuk ka pasur as rrëmbim dhe as përdhunim, thotë një zëdhënëse. Ka pasur një njoftim për një vajzë të humbut javën e kaluar, por që pak më vonë vajza është paraqitur, thuhet në deklaratën e shtypit të policisë berlineze.

Lajme edhe pa hulumtime?

Si burim për raportimin e tij, televizioni rus paraqet një portal interneti "Genosse.su" një faqe që i kushtohet gjermanëve të Rusisë dhe që përfaqëson një shoqatë - "Konventë Ndërkombëtare të gjermanëve të Rusisë". Kjo shoqatë ka bërë të ditur edhe një protestë të parashikuar për më 23 janar para selisë së kancelares "kundër dhunës".

Berlin Flüchtlinge frieren vor dem LaGeSo
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Lajme të tilla duket se gjejnë një terren pjellor. Kjo temë po diskutohet gjerësisht në mediat sociale. Prej muajsh mediat ruse raportojnë për krizën e refugjatëve në Gjermani dhe paraqesin një pamje të zymtë apokalitike. Kur u bënë publike ngacmimet seksuale në Köln në Natën e Vitit të Ri, kjo u prezantua si konfirmim i shqetësimeve të shprehura më parë. Shumë ekspertë në Rusi e shohin Gjermaninë dhe Europën para fundosjes.

Edhe rreth 6 milionë rusët që jetojnë në Gjermani shikojnë televizionin rus. Studime mbi qëndrimin e tyre kundrejt refugjatëve nuk ka. Fakt është që shumë rusë pas ngjarjeve në Köln shprehin zemërimin e tyre në mediat sociale. Shkrimtari rus që jeton në Berlin, Vladimir Kaminer nuk beson se rusët janë veçanërisht kritikë ndaj të huajve. "Po, rusët në Gjermani shohin televizionin rus", thotë ai për Deutsche Welle-n. "Por ata kanë edhe një alternativë tjetër- të dalin në rrugë, të dëgjojnë se çfarë raportojnë mediat gjermane.

Lajmet si filma artistikë

Kronika në televizionin "Kanali i Parë" për përdhunimin me gjasë në Berlin të kujton njoftimet e mediave ruse në konfliktin e Ukrainës, që ose ishin tërësisht të pavërteta ose pjesërisht të tilla. Shembulli më i njohur është historia me "djalin e kryqëzuar". Në korrik 2014, në një kronikë të po këtij televizioni (Kanali i Parë) thuhet se ushtarët ukrainas në qytetin lindor të Ukrainës, Slovjansk kishin kryqëzuar si Jezu Krishti një djalë trevjeçar në një dërrasë. Më vonë televizioni pranoi se historinë e një "dëshmitareje" nuk e kishte verifikuar.

Publicisti dhe eksperti i medias që jeton në Londër, Peter Pomerantsev beson se "Kanali i Parë" nuk i jep lajmet si në stilin perëndimor. "Nuk besoj se 'Kanali i Parë' interesohet për faktet. Ajo që bëjnë rusët i afrohet zhanrit të filmit artistik, një lloj kinemaje", thotë Pomerantsev për Deutsche Wellen.

Tema kryesore në këtë kinema është 'fundi i Europës'". " Një temë shumë e rëndësishme sepse pushteti i Vladimir Putinit bazohet në idenë e mungesës së alternativës. "Tek ne gjendja është keq, por keq është kudo." Sipas Pomerantsev njoftime të tilla si ai i vajzës së përdhunuar i drejtohen publikut rus me qëllimin e denigrimit të Europës.