1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290410 Stimmung Griechenland

30 Prill 2010

Në Greqi pakënaqësia po rritet. Qëkur agjencia e vlerësimit të riskut të kredisë Standard & Poor's e uli në nivelin "plehrë" aftësinë paguese të vendit, frika për të ardhmen është kudo, besimi te politika shkon në zero.

https://p.dw.com/p/NAbb
Një protestues para Ministrisë së Financave në AthinëFotografi: AP

Para së gjithash nëpunësit e profesionistët e lirë, të cilët punojnë me zell dhe paguajnë tatimet nuk arrijnë të kuptojnë, se përse duhet të përgjigjen për dështimet e politikanëve të paaftë.

Jorgos Sarantopoulos është i punësuar në një floktore në veri të Athinës. Babai i ri i familjes nga gadishulli i Peloponezit punon gjashtë ditë në javë dhe jeton me kursime. Salloni ofron çmime relativisht të moderuara. E megjithatë biznesi kohët e fundit nuk shkon më aq mirë, mendon berberi i ri. "

Griechenland Streik Innenministerium
Greva në GreqiFotografi: AP

"Klientët ngurrojnë, nuk vijnë më aq shpesh për të prerë flokët. Dhe kur vijnë, flasin vetëm për problemet e tyre ekonomike. Njerëzit kanë frikë nga pasiguria. Ata ndihen të pasigurtë dhe janë të zemëruar me politikanët tanë.

Shtohen protestat

Në shenjë proteste kundër planeve të kursimit të qeverisë greke do të mbahen greva. Nëpunësit në sektorin publik kundërshtojnë shkurtimet në të ardhura, punëmarrësit protestojnë ndaj reformës së planifikuar të pensioneve, pronarët e kioskave hyjnë në grevë kundër rritjes së taksës mbi duhanin.

Albanische Migranten aus Griechenland
Emigrantë shqiptarë kthehen nga GreqiaFotografi: DW

Dimitris ka një kioskë në qendër të Athinës. "Grekët janë kampionë Evrope në pirjen e duhanit", thotë ai, "ne bëjmë 50% të xhiros me prodhime duhani". Dimitris është vazhdimisht në punë shtatë ditë në javë. Personelin e paguar nuk ia lejon dot vetes. Edhe për të kriza ekonomike krijon probleme të mëdha:

"Njerëzit janë të përmbajtur dhe blejnë më pak, pasi kanë edhe më pak para në xhep. Më parë blinin menjëherë tre paketa cigare në kiosk, kurse sot më e shumta një. Ose marrin duhan me të dredhur, që është më i lirë. Për 3,8 euro ke rezerva për tri ditë.

Avokatja Nike Polimeridou e sheh me kthjelltësi krizën: "Duhet t'ia dalim mbanë me më pak", thotë ajo. Që prej tri vjetësh gruaja e re ka një zyrë të vetën për të drejtën tregtare, ku punon bashkë me të motrën. Kohët e fundit kërkohet kujdes i madh me klientët, thotë Nike, pasi atmosfera në ekonomi është në rënie dhe me të edhe morali pagues.

"Disa klientë kanë halle financiare dhe vonohen me pagesat. Kur bëjmë negociata për porosi të reja, atëherë ka raste që pyesin: 'Përse duhet të paguaj paradhënie 300 euro?' Ose: 'Do të paguaj tani vetëm 50 euro, pjesën tjetër e paguaj më vonë.' Ajo që më bie në sy është edhe që kreditorët kujtohen për detyrime, që duhen shlyer, të cilat i kishin harruar prej kohësh, edhe kur është fjala për shuma të vogla.

Në krizën financiare toni ashpërsohet.

"

NO FLASH Griechenland Finanzkrise
Mësues duke protestuar kundër masave të qeverisëFotografi: AP

Që zemërimi i popullit drejtohet para së gjithash tek politikanët është e kuptueshme, thotë avokatja athinase. E megjithatë grekët duhet të vënë në pyetje edhe sjelljen personale:

"Shumë njerëz thjesht kanë jetuar mbi mundësitë e tyre. Bankat jepnin kredi pa fund, me paraqitjen e kërkesës, thuajse secili merrte një kredi konsumatore. Sigurisht faj kanë edhe politikanët, pasi na kanë krijuar iluzione për një mirëqënie më të lartë. E megjithatë në fund të fundit secili është përgjegjës për veten e tij!"

Autor: Jannis Papadimitriou/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica.