1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PS kundërshton në Kolegjin Zgjedhor ndryshimin e tabelës së rezultateve

6 Qershor 2011

Sot PS depozitoi në Kolegjin Zgjedhor kundërshtimin e saj për ndryshimin ng ana e KQZ të tabelës përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve lokale të 8 majit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

https://p.dw.com/p/11VMh
Vendimi i Komisionit Qendror të zgjedhjeve sërish para Kolegjit Zgjedhor
Vendimi i Komisionit Qendror të zgjedhjeve sërish para Kolegjit ZgjedhorFotografi: DW

Padia, që PS depozitoi sot në Kolegjin Zgjedhor kundër KQZ vjen pas rrëzimit që ky Kolegj i bëri të premten e kaluar, më 3 qershor, kërkesës së kësaj partie, për të quajtur të pavlefshëm aktin normativ të KQZ, në bazë të të cilit u vlerësuan votat e kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara. Nga numërimi i tyre Lulzim Basha doli fitues më 81 vota më shumë se Edi Rama, kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, i koalicionit opozitar ”Aleanca për të ardhmen”.

Damian Gjiknuri, deputet dhe ekspert ligjor i PS, thotë për programin shqip të DW se nisur nga vendimi që Kolegji Zgjedhor mori të premten e kaluar, ai nuk është shumë optimist për një pranim të padisë së sotme, që kundërshton ndryshimin nga KQZ të tabelës së rezultateve përfundimtare per kryetarin e bashkise së Tiranës.

“Nuk jam shumë optimist për mënyrën sesi shkuan gjërat në Kolegjin Zgjedhor. Ne kërkuam ekspertizë ndërkombëtare, të Komisionit të Venecias, por kjo nuk u pranua nga PD. Pse? Kjo na bën të mendojmë se ka një përpjekje të PD për të mos pranuar asnjë lloj konsulence ndërkombëtare në këtë drejtim, pasi ekspertët ndërkombëtarë do të konstatonin shkelje të rënda ligjore,” thotë zoti Gjiknuri.

Por Tom Ndreca, që kryesoi trupës e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që rrëzoi të premten e kaluar kërkesën ankimore të PS mendon ndryshe.

“Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene, që kërkojnë zgjidhje” thotë ai për programin shqip të DW. "Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë, kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin. Akti normativ i KQZ për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korigjimin e tabelave të KZAZ- ve të Tiranës," thotë Tom Ndreca.

Procesi i numërimi të votave- dëshmoi për vakume në Kodin Elektoral

Por edhe pse akti normativ i KQZ për të vlerësuar dhe numëruar votat e kontestuara nuk krijoi një normë për njësitë e tjera zgjedhore në të gjithë vendin procesi i numërimit dëshmoi për vakume në Kodin Elektoral, pasi ky Kod nuk parashikon sesi do të veprohet ne rastin e votave të kontestuara. Nisur nga ky realitet per Damian Gjiknurin procesi i numërimit ka shkaktuar mosbesimin e elektoratit në sistemin zgjedhor.

“Mënyra se si rrodhën ngjarjet në zgjedhjet lokale të 8 Majit i kanë vënë një pikëpyetje të madhe institucioneve zgjedhore në Shqipëri. Institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri ka ngrënë një goditje dërrmuese dhe besim i publikut është ulur shumë. Ka nevojë për të rishikuar mënyrën sesi administrohen zgjedhjet, rolin e qeverisë. Mbi të gjitha duhet rikthyer besimi i publikut tek zgjedhjet. Një vend ku humbet besimi tek vota shkon drejt thellimit të krizës,” thotë Gjiknuri.

Nevojë për reformim të sistemit zgjedhor

Tom Ndreca nga Kolegji Zgjedhor mendon se “ thembra e Akilit” në procesin e numërimit është natyra partiake e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve.

“ Procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jo partiake, ndofta forma elektronike, si e kanë vendet e BE,” thotë Tom Ndreca.

Komisioni dhe Parlamenti Europian jane treguar të gatshme të japin ekspertizë ligjore për të zgjidhur problematikën që nxorën zgjedhjet lokale të 8 majit.

Autor: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi