1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini: Sanksionet i komplikojnë të gjitha

18 Qershor 2017

Ende nuk është e qartë nëse projektligji për sanksionet e reja të SHBA-së ndaj Rusisë do të marrë vërtetë formën e ligjit. Por udhëheqësi i Kremlinit tregoi si masë paraprake kartonin e verdhë duke kërcënuar tërthorazi.

https://p.dw.com/p/2esIR
Wladimiir Putin im Interview mit der französischen Zeitung Le Figaro in Paris
Fotografi: Reuters

Në debatin rreth sanksioneve të reja amerikane ndaj Rusisë kreu i Kremlini Vladimir Putin paralajmëroi për një përkeqësim në marrëdhëniet me SHBA-në. "Natyrisht kjo do t'i komplikojë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara", tha Putin për kanalin e parë televiziv Rossiya 1.

Ai e konsideron qëndrimin e SHBA-së si të rrezikshëm. Është shumë herët për të folur për kundërmasa, tha Putini. Megjithatë, vendi i tij do të "bëjë diçka shtesë," tha Presidenti. Ai nuk u shpreh më qartë, por theksoi: masat që mund të marrë Rusia, nuk do të shkaktojnë ndonjë kolaps.

Russsland Bürgersprechstunde mit Wladimir Putin
Fotografi: Reuters/Sputnik/A.Druzhinin/Kremlin

Në shënjestër: gazsjellësit rusë

Senati amerikan votoi të enjten me shumicë dërrmuese pro sanksioneve të reja kundër Moskës, për shkak të ndërhyrjes së dyshuar ruse në fushatën zgjedhore presidenciale amerikane. Projektligji parashikon sanksione kundër kompanive që kontribuojnë me furnizime me pjesë  këmbimi, shërbime ose teknologji "drejtpërdrejt" për ndërtimin ose mirëmbajtjen e gazsjellësve rusë.

Si masa sanksionuese parashikohen përjashtimi i Rusisë nga tenderat publikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose kufizimi i huamarrjeve nga bankat amerikane deri në masën dhjetë milionë dollarë brenda dymbëdhjetë muajsh. Po ashtu mund të kufizohen edhe mundësitë e kompanive amerikane apo të qytetarëve amerikanë për të blerë aksione të kompanive të sanksionuara. Prej këtyre do të preken me siguri edhe sipërmarrjet evropiane gjë që kancelarja Angela Merkel e konsideroi si "të çuditshme".